Zyrtare/ Arsenali njofton transferimin e Illan Meslier
Arsenali ka zyrtarizuar transferimin e portierit francez Illan Meslier, i cili i bashkohet klubit londinez si lojtar i lirë.
Portieri 26-vjeçar vjen te "Topçinjtë" pas shtatë sezonesh me Leeds United, ku zhvilloi 215 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe e mbajti portën të paprekur në 70 prej tyre.
Gjatë kohës së tij në "Elland Road", Meslier luajti 107 ndeshje në Premier League, duke fituar përvojë të rëndësishme në elitën e futbollit anglez.
Meslier e nisi karrierën te klubi francez FC Lorient, përpara se t'i bashkohej Leeds United në formë huazimi në vitin 2019. Transferimi u bë përfundimtar pasi Leeds siguroi ngjitjen në Premier League.
Sipas raportimeve, Meslier fillimisht do të jetë portieri i tretë i Arsenalit, megjithëse kjo situatë mund të ndryshojë nëse Kepa Arrizabalaga vendos të largohet nga klubi.