Norvegjia në alarm para Anglisë: gripi, lodhja dhe problemet me hotelin komplikojnë përgatitjet
Norvegjia po përjeton ditë të vështira në prag të çerekfinales historike të Botërorit 2026 ndaj Anglisë. Përveç sfidës së madhe sportive, skuadra e drejtuar nga Ståle Solbakken është përballur me një virus gripal dhe probleme logjistike që kanë ndikuar në përgatitjet e saj.
Fillimisht, mediat britanike raportuan për një helmim masiv nga ushqimi ose një virus intestinal që rrezikonte të godiste ekipin skandinav. Megjithatë, këto zëra rezultuan të pavërtetë. Në të vërtetë, bëhet fjalë për një virus gripal sezonal që ka prekur disa anëtarë të delegacionit, duke shkaktuar temperaturë të lartë, kollë dhe dobësi fizike.
Sulmuesi Strand Larsen ishte një nga futbollistët e prekur, por tashmë është rikthyer në stërvitje pasi ka kaluar temperaturën. Ndërkohë, mbrojtësi Pedersen u izolua në hotel si masë paraprake përpara ndeshjes së fundit. Edhe trajneri Ståle Solbakken pranoi se ka kaluar net pa gjumë për shkak të simptomave të gripit.
"Pas fitores ndaj Brazilit e lashë stafin të festonte. Isha shumë i lodhur dhe shkova direkt në shtrat", deklaroi tekniku norvegjez.
Sikur të mos mjaftonin problemet shëndetësore, Norvegjia u detyrua të ndryshonte edhe hotelin ku ishte akomoduar në Fort Lauderdale. Ekipi kaloi vetëm një natë në Dalmar Hotel, pasi lojtarët u ankuan për zhurmën e vazhdueshme nga një kantier ndërtimi pranë godinës, si edhe për mungesën e pastërtisë dhe praninë e mykut në dhoma.
Pas ankesave, FIFA ndërhyri duke lehtësuar transferimin e ekipit në një hotel tjetër, më pranë Hard Rock Stadium, ku do të zhvillohet çerekfinalja me Anglinë. Organizmi botëror do të mbulojë shpenzimet për 50 dhoma, si edhe kostot e sigurisë.
Pavarësisht vështirësive të ditëve të fundit, Norvegjia shpreson të rikuperojë të gjithë lojtarët në kohë për përballjen me Anglinë, në një ndeshje që mund ta çojë për herë të parë në historinë e saj në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.