Klopp trajner i Gjermanisë: zbulohen detajet e marrëveshjes, paga, stafi dhe kontrata
Jurgen Klopp është gjithnjë e më pranë emërimit si trajneri i ri i kombëtares së Gjermanisë, me një kontratë që do ta lidhë me federatën deri në Kupën e Botës 2030. Kështu shkruan gazeta ‘Die Welt’, sipas së cilës gjatë fundjavës presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Neuendorf, dhe presidenti i Ligës Gjermane, Hans-Joachim Watzke, do të udhëtojnë drejt Nju Jorkut për të finalizuar detajet e fundit të marrëveshjes me ish-trajnerin e Liverpoolit.
Sipas raportimit, Klopp do të firmosë një kontratë katërvjeçare, që do t'i japë mundësinë të drejtojë Gjermaninë në Kampionatin Europian 2028 dhe në Botërorin 2030. Ai do të përfitojë një pagë pak më të lartë se paraardhësi i tij, Julian Nagelsmann, i cili thuhet se fitonte deri në shtatë milionë euro në vit. Megjithatë, për Klopp aspekti financiar nuk konsiderohet vendimtar.
Një nga çështjet kryesore mbetet marrëdhënia e tij me Red Bull-in, ku aktualisht mban postin e drejtuesit global të futbollit (Head of Global Soccer) me një kontratë deri në vitin 2029. Sipas ‘Die Welt’, nuk parashikohet asnjë dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes, pasi Klopp do të vazhdojë bashkëpunimin me kompaninë në rolin e ambasadorit të markës, një rol që vlerësohet më i rëndësishëm sesa një kompensim financiar.
Sa i përket stafit teknik, ndihmësi i parë pritet të jetë Peter "Piet" Krawietz, bashkëpunëtori i tij historik te Borussia Dortmundi dhe Liverpooli, i cili aktualisht punon gjithashtu për Red Bull-in. Ndihmësi i dytë pritet të jetë holandezi Pepijn Lijnders, ish-zëvendësi i Klopp-it te Liverpooli dhe së fundmi pjesë e stafit të Pep Guardiolës te Manchester City. Ndërkohë, Zsolt Loew, përgjegjës për zhvillimin e futbollit te Red Bull, nuk pritet të jetë pjesë e stafit të kombëtares.
Edhe kontratat e sponsorizimit janë pranë zgjidhjes. Klopp nuk ka konflikte me partnerët kryesorë tregtarë të DFB-së, ndërsa marrëveshja e tij personale me Adidas do të skadojë pas Kupës së Botës 2026 dhe nuk do të rinovohet.
Mbetet për t'u zgjidhur vetëm përputhshmëria mes kontratës së tij afatgjatë me Deutsche Vermögensberatung (DVAG) dhe partneritetit të federatës me kompaninë Ergo.
Sipas ‘Die Welt’, nënshkrimi zyrtar i kontratave pritet të bëhet pas kthimit nga udhëtimi në Shtetet e Bashkuara. Angazhimi i parë publik i Klopp si trajner i Gjermanisë mund të jetë prania në Superkupën e Gjermanisë më 22 gusht në Dortmund, ku do të përballen Borussia Dortmund dhe Bayern Munich.
Takimi në Nju Jork do të shërbejë kryesisht për të përcaktuar detajet e fundit të projektit sportiv dhe për të forcuar marrëdhënien mes Klopp-it dhe drejtuesve të DFB-së, duke ndjekur të njëjtin model të vitit 2004, kur federata arriti në Nju Jork marrëveshjen me Jürgen Klinsmann-n për drejtimin e kombëtares.
Nëse gjithçka zyrtarizohet, Klopp do të bëhet trajneri i 13-të në historinë e kombëtares së Gjermanisë.