SYRI TV/ GJKKO pushon çështjen ndaj Jonaid Myzyrit, i shpëton akuzës për tenderat

Gjykata e Posaçme pushoi çështjen ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, dhe disa ish-vartësve të tij për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Megjithatë, Myzyri mbetet nën hetim në një procedim të ndarë për verifikimin e pasurisë dhe dyshime për shpërdorim detyre në disa procedura koncesionesh. Ndërkohë, vijojnë hetimet për shpërdorim detyre ndaj tre të pandehurve të tjerë.

Gjykata e Posaçme pushoi çështjen për Jonaid Myzyrin, ish-kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, ndonëse SPAK e kishte marrë të pandehur. Në kërkesën për pushim, SPAK tha se janë ezauruar të gjitha fazat hetimore dhe nuk është konstatuar kryerja e veprës penale "shkelje e barazisë në tendera" nga ana e Myzyrit dhe ish-vartësve të tij. Por Jonaid Myzyri vijon të jetë person nën hetim, në kuadër të një procedimi të ndarë, pasi ndaj tij po kryhen verifikime të pasurisë dhe veprime në kuadër të shpërdorimit të detyrës në disa procedura koncesionesh. Prokurori Elvin Gokaj është tërhequr nga akuza fillestare, pasi, paralelisht, në Apelin Administrativ po zhvillohej një tjetër proces me objekt shqyrtimin e kërkesës së ish-kreut të KPP-së, i cili i dha të drejtë palës paditëse, madje përmes një vendimi unifikues. Myzyri këmbënguli që në fillim se akuza që i atribuohej për funksionin që kishte jo vetëm që nuk qëndronte, por as nuk ishte në kompetencën e SPAK-ut dhe GJKKO-së për hetimin dhe gjykimin e saj. Bashkë me Myzyrin, i kanë shpëtuar akuzës edhe të pandehurit e tjerë, të cilët akuzoheshin për të njëjtën vepër penale, konkretisht:

Vilma Zhupaj
Lindita Skeja
Merita Zeqaj
Enkelejda Bega
Vladimir Hodaj
Gerald Adhiaj
Marjana Hasani

Nga ana tjetër, konfirmuan të njëjtat burime, vijon të mbetet akuza për "Falsifikim të vulave, të stampave ose të formularëve", si dhe vijojnë hetimet për shpërdorim detyre ndaj të pandehurve:

Mehdi Lala
Ndoc Kulla
Ardian Kaza

Në korrik të vitit të kaluar u zbuluan detaje të rënda nga dosja hetimore, ku nga përgjimet rezultonte se fjala e Jonaid Myzyrit, kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, ishte urdhër, edhe kur ky urdhër ishte në shkelje të ligjit, por duhej zbatuar. Kjo del në pah nga deklarimet e Jonida Skejës, një e bashkëpandehur me Myzyrin, lidhur me dosjen e një procedure prokurimi për një rrugë në Mirditë. Hetimi për këtë aferë nxori në pah një supergrabitje në banesën e zyrtares së KPP-së, në një fshat të Librazhdit, ku ishin marrë të paktën 200 mijë euro, si dhe ishte rrëmbyer për një kohë të shkurtër vëllai i saj. SPAK i sekuestroi telefonin Skejës, ku u zbuluan bisedat me miqtë dhe familjarët e saj. Pas disa muajsh, Gjykata e Posaçme i hoqi masën e pezullimit nga detyra kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, duke e lënë vetëm me masën "detyrim paraqitjeje". Në argumentet e paraqitura në gjykatë thuhet se Myzyrit i kishte përfunduar mandati dhe, pas disa muajsh, i ra edhe masa e "detyrimit për paraqitje".

"Tejkalimi i kompetencave të KPP-së ka sjellë trajtim të pabarabartë të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, duke cenuar konkurrencën ndërmjet tyre dhe duke dëmtuar efikasitetin në procedurat e prokurimit publik, si dhe duke shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën mbi 47 milionë lekë", theksohej në dosjen hetimore ndaj Myzyrit.