SYRI TV/ Eurodeputetja kryqëzon qeverinë Rama, Guarda: Vendimet e qeverisë pengojnë anëtarësimin në BE, jo protestat

Eurodeputetët kanë kritikuar në Strasburg, kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij, sa i takon ndryshimit të ligjit për zonat e mbrojtura, duke i cilësuar kundër direktivave të Bashkimit Europian. Ata bënë thirrje për respektimin e transparencës dhe shtetit ligjor, në një seancë që u fokusua te zhvillimet e fundit në Shqipëri. Edhe deputetët e opozitës, ngritën shqetësimin për korrupsionin e qeverisë Rama dhe lidhjet me krimin.

SYRI TV

Protesta e shqiptarëve dhe ndryshimet ligjore të mazhorancës, që hapin rrugën ndërtimit në zonat e mbrojtura u kthye në kryefjalë të diskutimeve në Strasburg, në mbledhjen e Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Europian. Eurodeputetët, kryqëzuan qeverinë Rama, duke e akuzuar se në shkelje të direktivave të Bashkimit Europian, i ka hapur rrugë shkatërrimit të zonave të mbrojtura, duke i bërë thirrje të tërhiqet nga ndryshimet në ligj. Eurodeputetja italiane Christina Guarda, e cila vizitoi disa ditë më parë Shqipërinë, duke inspektuar dhe zonën e Zvernecit, bëri kritika të forta duke thënë se teksa qeveria pretendon se nuk ka dhënë leje ndërtimi, në këto zona u vendosën gardhe dhe makineri ndërtimi. Madje ajo theksoi se janë këto vendime të qeverisë që pengojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe jo protestat, siç pretendon Edi Rama.

Kemi dëgjuar nga ministri që nuk është dhënë një leje ndërtimi. Kemi parë që janë bërë rrethime, gardhe që nuk lejojnë njerëzit të kalojnë dhe kemi identifikuar makina, që shërbejnë për të kryer ndërtime në zonën e mbrojtur. Kur shkuam atje, diskutuam me ministrin dhe ai dukej sikur nuk ishte në dijeni të kësaj situate. Dhe tha që kjo ndoshta ishte bërë për përgatitjen e testeve që nevojiteshin, për të bërë vlerësimin mjedisor dhe vlerësimin e projektit. Nëse nuk jepet leje për të kryer një testim të caktuar, ne kemi aplikime dhe zona të caktuara. Nuk është e nevojshme që të bëhet gardhi. Ai na tha që ne nuk jemi pjesë e BE-së akoma. Kjo ishte e vështirë për ta kapërdirë. Komisioni ka thënë që duhet të tërhiqeni nga këto ndryshime. Kemi parë deklarata që protesta po kërcënojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por nuk janë protestat që po e kërcënojnë, por hapa pas që po bëhen.

Edhe deputeti gjerman Sebastian Everding kritikoi modelin e turizmit që ka zgjedhur Shqipëria, ndërsa theksoi se mungon transparenca dhe shteti ligjor.

Shqipëria ka peizazhe dhe pasuri natyrore. Është një avantazh i madh konkurrues me vendet e tjera ajo që ka Shqipëria. Po mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse respektohet natyra, shteti ligjor dhe transparenca.

Ndërsa eurodeputeti Fredi Beleri theksoi se protesta e shqiptarëve, ka në fokus korrupsionin dhe keqqeverisjen, ndërsa ironizoi kryeministrin Edi Rama, i cili mundohet ta gjejë fajin te agjentët e huaj, ndërsa qytetarët kërkojnë prej 40 ditësh dorëheqjen e tij.

Shumica e njerëzve që dolën në demonstrata janë shqiptarët që protestuan për mungesën e transparencës, korrupsionin, kanë folur për keqqeverisjen dhe largimin e trurit nga vendi. Këto protestues i ndjejnë shumë thellë, ndërsa qeveria thotë që këto probleme vijnë nga fqinjët. Duhet të përfundojë helmimi i shoqërisë.

Deputetët e opozitës ngritën në Strasburg, shqetësimet për ligjet me porosi, dhënien e pasurive publike te miqtë e kryeministrit, deputeti Igli Cara, mori si shembull faljen e portit të Durrësit, në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe shkatërrimi i një aseti strategjik për ndërtim pallatesh.

Deputeti Bardh Spahia denoncoi lidhjet e qeverisë Rama me krimin, duke vënë dorën edhe në plagën e shpopullimit të vendit.

Nga ana tjetër deputetët e mazhorancës, të ngelur krejt të vetëm përballë realitetit që raportuan edhe vetë eurodeputetët, morën në mbrojtje qeverinë dhe kryeministrin, duke pretenduar se është bërë fushatë dezinformimi rreth situatës në Shqipëri.