Rama urdhëron policët të merren me Google Review për bizneset e miqve të tij
Ditët e fundit, mijëra qytetarë kanë komentuar negativisht në disa prej bizneseve që kanë përfituar prona publike apo lehtësira të tjera nga qeveria, biznese si këto janë të njohura, sepse janë në pronësi të miqve të kryeministrit Edi Rama. Për këtë arsye drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Skënder Hitaj ka njoftuar nisjen e një hetimi për atë që e cilëson si një fushatë të koordinuar me mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale, të cilat dyshohet se kanë publikuar në masë komente dhe “revieë” negative ndaj bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit.
Mbetet e paqartë se çfarë sjelljeje konkrete po hetohet dhe se si do të ndërhyjë policia për t'i ndalur komentet negative. Thirrjet për t'i bërë review negative biznesve të favorizuara nga kryeministri Edi Rama janë bërë rregullisht ditët e fundit në rrjetet sociale nga disa burime, megjithatë nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për komente të automatizuara apo për përdorues realë që kanë lënë komente negative nga llogaritë e tyre personale.
Deklarata e plotë e drejtorit të policisë, Skënder Hita
Gjatë ditëve të fundit, strukturat tona të luftës kundër krimeve kibernetike kanë evidentuar një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, i cili konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve (revieës) dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit në Shqipëri.
Nga veprimet e para verifikuese, administrimi i kallëzimeve dhe analiza e të dhënave të siguruara deri në këtë fazë, rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat ndërkombëtare të vlerësimit të hoteleve, restoranteve, resorteve dhe destinacioneve turistike.
Brenda një periudhe të shkurtër kohore, këto llogari dyshohet se kanë publikuar në masë, komente dhe vlerësime negative, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare.
Nga analiza fillestare rezultojnë mbi 10 000 llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat janë aktualisht objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.
Konkretisht një pjesë e konsiderueshme e llogarive dyshohet se janë krijuar rishtazi dhe janë përdorur në funksion të kësaj veprimtarie, por ka dhe llogari me profile të sakta, të cilat janë identifikuar nga ana jonë dhe po vijojnë veprimet hetimore.
Janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën.
Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar.
Një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek dhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Turizmi është një sektor strategjik i ekonomisë kombëtare dhe një aset i rëndësishëm i imazhit ndërkombëtar të vendit tonë. Çdo përpjekje e organizuar për të manipuluar përceptimin publik, për të dëmtuar bizneset shqiptare apo për të cenuar interesin ekonomik të vendit, do të trajtohet me prioritet maksimal nga Policia e Shtetit.
Në këtë kuadër, kam urdhëruar strukturat e specializuara, veçanërisht ato të Hetimit të Krimit Kibernetik, që të vijojnë me intensitet të lartë veprimet procedurale për identifikimin e autorëve dhe personave që qendrojnë pas kësaj veprimtarie, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve ndërmjet llogarive, evidentimin e mënyrës së organizimit, sigurimin dhe administrimin e provave dixhitale, si dhe bashkëpunimin me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Materialet procedurale do t’i referohen organit të Prokurorisë, pasi nga të dhënat e administruara ekzistojnë dyshime për elemente të veprave penale në fushën e krimeve kompjuterike, si dhe dëmtimit të interesave ekonomike dhe reputacionit.
Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit.
Në emër të Policisë së Shtetit, iu bëj thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme, të paraqesin kallëzim pranë strukturave tona të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.