Sula: Edi Rama mbushi stadiumin me para publike, jo me entuziazëm qytetarësh. Mbreti doli lakuriq edhe këtë radhë

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, akuzoi qeverinë se ka përdorur fonde publike dhe rrjetin arsimor për të mbushur stadiumin në koncertin e reperit Kanye West.

Në një deklaratë për mediat, Sula tha se, ndonëse ministri i Turizmit Blendi Gonxhe kishte deklaruar më herët se shteti nuk do të financonte koncertin, sipas saj, qeveria ka akorduar 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për organizimin e aktivitetit.

Sipas përfaqësueses së PD-së, fondet janë përdorur për të mbuluar kostot e koncertit, ndërsa pretendoi se Ministria e Arsimit dhe strukturat arsimore janë angazhuar për shpërndarjen e biletave falas dhe organizimin e nxënësve për të marrë pjesë në koncert.

Sula deklaroi se nga zyrat arsimore janë udhëzuar shkollat dhe mësuesit të hartojnë lista me nxënës, të kontaktojnë prindërit dhe të organizojnë shoqërimin e tyre në aktivitet, duke e cilësuar këtë një abuzim me sistemin arsimor.

Ajo i bëri thirrje prindërve të refuzojnë, sipas saj, përdorimin e fëmijëve për qëllime propagandistike, ndërsa u kërkoi institucioneve ligjzbatuese të hetojnë financimin prej 4.2 milionë eurosh dhe procedurat që lidhen me organizimin e koncertit.

Në përfundim të deklaratës, Sula ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën kombëtare të 11 korrikut, duke e cilësuar atë si një reagim kundër qeverisë dhe mënyrës së përdorimit të fondeve publike.

Deklarata e plotë:

Të dashur qytetarë, mbreti doli lakuriq edhe këtë radhë!

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe më 10 qershor deklaroi se shteti nuk do te jepte asnjë lekë financim për këngëtarin Kanye West, një reper kompleks për të cilin në disa vende të Europës janë anuluar koncertet, ndërsa dy ditë më parë kryeministri njoftoi se shteti ka dhënë vetëm 4,2 milionë euro nga fondi rezerve i buxhetet të shtetit për këtë koncert, ndërkohë që buxheti i Ministrisë së Turizmit është 190 milionë lekë në vit për ngjarje kulturore dhe turistike.

I alarmuar që biletat e këngëtarit Kanye West nuk janë shitur, pasi ngriti një stadium pa asnjë transparencë për qytetarët, kryeministri vendosi të zhvaste nga xhepat e qytetarëve jo pak, por 4,2 milionë euro e t’ia plotësojë kërkesën reperit, duke mashtruar shqiptarët përmes aktit normativ nr. 3, të Këshillit të Ministrave, të datës 6 korrik me motivin për ‘mbarëvajtjen e një aktiviteti kulturor-turistik, me ndikim në promovimin e turizmit dhe të imazhit të Republikës së Shqipërisë…’

Rama do të bënte gjithçka që të mos i binte kjo fasadë dhe 4,2 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve i firmosi me lehtësi të habitshme për këdo që punon ndershmërisht, sa dhe me lehtësi të papërballueshme për pensionistët që duhet të numërojnë qindarkat e shtuara në pensionin denigrues, me të cilat nuk mbyllin asnjë hall.

Kryeministri nuk ndaloi këtu por u angazhua me mbushjen e stadiumit për këngëtarin e famshëm si kundërvënie ndaj protestës së shqiptarëve që mbahet çdo ditë në bulevard falas, pa asnjë fond publik.

U mobilizua Ministria e Arsimit dhe gjithë rrjeti arsimor për të shpërndarë bileta pa pagesë për nxënësit që stadiumi të mbushet plot e që të krijohet iluzioni i entuziazmit popullor, imazhi, që kaq shumë dëshiron të servirë kryeministri, i normalitetit në vend, ku spektakli i paguar me bileta ‘falas’ të zëvendësojë protestën e përditshme të qytetarëve në Tiranë.

Por, çfarëdo që të bëjë e sado të investojë, Edi Rama nuk e mbulon dot më këtë imazh të rremë korrupsionin që ka fundosur çdo funksion publik, trafikun ndërkombëtar të drogës, dosjet e shitjes së trojeve shqiptare të publikuara në ‘The Albanian File’ dhe mjerimin e përditshëm ekonomik.

Nga zyrat arsimore u urdhëruan shkollat dhe mësuesit të hartojnë lista e të kontaktojnë prindërit për të dërguar fëmijët në koncert me biletë ‘falas’; janë detyruar edhe mësuesit që do të shoqërojnë nxënësit në koncert. Urdhri është përcjellë dhe është zbatuar në kohë rekord në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme dhe sot është hartuar edhe lista e përgjithshme me nxënësit që do të mbushin stadiumin e koncertit të Kanye West.

Të ishte ky zell për mosbraktisjen e shkollës prej nxënësve, për infrastrukturën arsimore, për rritjen e cilësisë në mësimdhënie, për trajtimin e mësuesve apo për përmirësimin e rezultateve të vlerësimeve ndërkombëtarë PISA, sistemi arsimor sot nuk do të ishte duke mbushur stadiumin me paratë publike që janë zhvatur nga çdo shqiptar.

Duke denoncuar këtë akt që bie ndesh me ligjin, i bëj thirrje prindërve që të refuzojnë abuzimin me fëmijët e tyre, të ndalet trysnia ndaj mësuesve të cilët janë me pushime; i bëj thirrje institucioneve ligjzbatuese të hetojnë këtë krim financiar prej 4,2 milionë euro, që i shtohet miliona eurove nga parku Eden, nga Inceneratorët, koncensionet e shëndetësisë, tuneli i Llogarasë dhe nga gjithë abuzimet që u rëndojnë shqiptarëve prej 13 vitesh, për të cilat i japin përditë kryeministrit leksionin: Rama jepe dorëheqjen dhe në protestën kombëtare të 11 korrikut do ta shndërrojmë bulevardin në tribunën e lirisë, ku zëri i qytetarëve nuk blihet me bileta falas, por ngrihet i lirë dhe i fuqishëm për të shembur fasadat, për të rrëzuar propagandën dhe për t’i dhënë fund pushtetit autokratik të Edi Ramës.