SYRI TV/ Plug investigon aferat e Erion Isait, i pandehur nga SPAK
Pak ditë më parë SPAK mori të pandehur kryebashkiakun e Ersekës Erion Isai dhe disa zyrtarë të lartë të qeverisë, për aferën e rrugës Korçë-Ersekë. SPAKut iu deshën 5 vjet për të faktuar falsifikimet e rrugës Korçë-Ersekë, ndërsa emisioni Plug në SYRI Televizion kishte hedhur dritë që një vit më parë për këto shkelje. Por teksa gazetarët kishin faktuar falsifikimet dhe skemat e dyshuara 5 D në bashkinë Kolonjë, për këto të fundit prokuroria e posaçme ka mbyllur një sy duke mos kryer hetim financiar.
SYRI TV
Emisioni investigativ PLUG, iu rikthye investigimit për kryebashkiakun e Erekës, Erion Isai. Në datën 19 qershor të këtij viti, SPAK ngriti akuza për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për Erion Isain, ish-kreun e ARRSH Ergys Verdho, sipërmarrësen Entela Çano dhe një seri zyrtarësh të tjerë në lidhje me aferën e rrugës Korçë-Ersekë. Sipas aktakuzës së SPAK, Erion Isai në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar projektin e rrugës, e cila më pas u shemb, ndërsa kostot e ndërtimit të saj u fryn jashtë parashikimeve buxhetore.
Por, teksa SPAK-ut iu deshën pesë vjet për të hetuar këtë aferë, emisioni investigativ plug, në dy emisione, gjatë vitit të kaluar, arriti të faktojë falsifikimet dhe abuzimet me rrugën Korçë-Ersekë. Plug faktoi nëpërmjet dokumenteve, se rruga Korçë-Ersekë u ndërtua pa një projekt, por nëpërmjet shkresave të falsifikuara të firmosura nga Entela Çano dhe mrrë në dorëzim nga një komision i ngritur nga Erion Isai në bashkinë Ersekë. Më pas, dokumentacioni iu dorëzua ARRSH, e cila në vend të kryente verifikimet përkatëse, miratoi fonde buxhetore për ndërtimin e rrugës në një projekt të falsifikuar. Madje, falsifikimi i projektit solli për pasojë edhe fryrjen e kostove në disa milionë euro, duke i shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit.
SPAK është ndalur vetëm në procedurën e rrugës Korçë-Ersekë, duke anashkaluar parashikimet ligjore për hetim financiar të personazheve të përfshirë në këtë aferë. Emisioni Plug, gjatë transmetimeve të mëhershme, kishte denoncuar me prova sesi edhe në bashkinë e Kolonjës janë ngritur të dyshuarat skema 5D. Një nga drejtorët e Erion Isait, i marrë i pandehur nga SPAK për aferën e rrugës Korçë-Ersekë, Armand Tafili, ka ngritur një agroturizëm, me fonde të IPARD, ndërsa ngrihen dyshime se ky shtetas nuk ka pasur para të mjaftueshme për të justufikuar ndërtimin e resortit. Gjithahtu një tjetër drejtor i Erion Isait, ka marrë fonde publike nga bashkia ersekë, nëpërmjet kompanisë së tij Rehovari. Pavarësisht të dhënave, SPAK nuk ka hetuar mbi këto prova, duke anashklauar zbardhjen e tyre.