Kolina u përgjigjet kritikëve: Penalltia e kërkuar nga Egjipti nuk ekzistonte, Infantino nuk ndikon tek arbitrat
Kryetari i Komitetit të Gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Kolina, ka hedhur poshtë pretendimet se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ushtron ndikim mbi arbitrat e Kupës së Botës. Legjenda italiane e arbitrimit mbrojti pavarësinë e gjyqtarëve dhe reagoi edhe ndaj polemikave për penalltinë e kërkuar nga Egjipti në sfidën ndaj Argjentinës.
“Askush nuk mund të vërë në dyshim integritetin e gjyqtarëve të Kupës së Botës. Kur ndodh një gjë e tillë, krijohen reagime që mund të çojnë deri te kërcënimet ndaj arbitrave dhe familjeve të tyre. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Kolina për faqen zyrtare të FIFA-s.
Ai theksoi se Departamenti i Arbitrimit të FIFA-s punon në mënyrë të pavarur dhe se as presidenti Gianni Infantino nuk ndikon në vendimmarrjen e arbitrave.
“Presidenti i FIFA-s gjithmonë ka mbështetur punën tonë, por vendimet merren në mënyrë të pavarur. Ashtu si lojtarët dhe trajnerët, edhe gjyqtarët përpiqen të bëjnë më të mirën në çdo ndeshje”, shtoi italiani.
Kolina komentoi edhe episodin më të diskutuar të ndeshjes Argjentinë-Egjipt, ku “Faraonët” kërkuan një penallti pas kontaktit mes Mohamed Salah dhe Julian Alvarez.
Sipas tij, si arbitri i takimit ashtu edhe sistemi VAR e vlerësuan situatën si një kontakt normal loje, duke mos parë elementë për të akorduar 11-metërsh.
“Gjithmonë do të ketë një element subjektiviteti në disa vendime, por ne jemi të kënaqur me mënyrën se si ky parim është zbatuar gjatë gjithë turneut”, përfundoi Kolina, duke lënë të kuptohet se pretendimi i Egjiptit për penallti ishte i pabazuar.