Trafikuan 7 ton kokainë/ Gjykata belge dënon bandën shqiptare, konfiskohen 3.1 mln euro pasuri
Një bandë shqiptare e drogës, që vepronte në jug të Anversës në Belgjikë, është dënuar me deri në 6 vjet burg për trafikimin e gati 200 kilogramëve kanabis dhe 7 tonëve kokainë. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e mbi 3.1 milionë eurove pasuri me origjinë kriminale.
Nga Nette Loots, NIEUWSBLAD
Hetimi nisi më 23 shkurt 2024, pasi policia e Anversës mori informacione se një BMW me targa rumune përdorej për trafik ndërkombëtar droge. U përmendën gjithashtu dy adresa në rrugët Lambermontstraat dhe Geuzenstraat në Anversë.
Gjatë kontrollit të BMW-së, policia zbuloi një furrë me mikrovalë të modifikuar, brenda së cilës ishin fshehur mbi 2,2 kilogramë kokainë.
Pas kësaj, hetuesit nisën vëzhgimin e shtatë lokacioneve: pesë në Anversë, një në Brasshaat dhe një në Linter (provinca e Brabantit Flamand). Gjatë vëzhgimeve u identifikuan tetë të dyshuar, të cilët u panë disa herë duke transportuar kuti dhe thasë me substanca kimike.
Në një objekt në Geuzenstraat, policia gjeti gjashtë qese plehrash me pothuajse 50 bidonë bosh të produkteve që përdoren për larjen, pastrimin dhe përpunimin e kokainës. Furrat me mikrovalë nuk shërbenin vetëm për përpunimin e drogës, por edhe për transportimin e saj në mënyrë të padukshme.
Pas disa muajsh hetime, më 5 shtator 2024 u kryen kontrolle në banesa dhe objekte. Në Geuzenstraat dhe në Linter, policia zbuloi dy laboratorë droge, ku kokaina lahej, pastrohej dhe presohej. U sekuestruan: mbi 1.400 litra substanca kimike, 10 kilogramë kokainë, 23 kilogramë kanabis.
3.1 milionë euro të konfiskuara
Hetuesit gjetën gjithashtu makina për numërimin e parave, telefona celularë dhe një kontabilitet të detajuar të organizatës kriminale. Nga dokumentet rezultoi se banda kishte trafikuar pothuajse 191 kilogramë kanabis dhe rreth 7 ton kokainë, me një xhiro të vlerësuar prej 147 milionë eurosh.
Edhe pse të gjithë të pandehurit mohuan përfshirjen dhe kërkuan pafajësinë, në fund të qershorit ata u dënuan me 40 muaj deri në 6 vjet burg. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e mbi 3.1 milionë eurove pasuri kriminale.
Dënimin më të rëndë e mori Arbri C. (35), i cili sipas gjykatës kishte rol drejtues në organizatë. Ai mbante kontaktet, mbikëqyrte vendndodhjet e ndryshme dhe drejtonte aktivitetin e grupit, megjithëse edhe vetë merrte udhëzime nga persona më lart në hierarki. Ai u dënua me 6 vjet burg dhe 48.000 euro gjobë.
Arban D. (33), i cili paguante shumicën e kontratave të qirasë për objektet e përdorura nga organizata, u dënua me 5 vjet burg dhe 40.000 euro gjobë.