Skandali, bllokohen deputetët me pasaporta diplomatike, Myrtezani: Doganierët komunikonin me shefat e tyre...

Një incident i pazakontë është regjistruar në një nga pikat kryesore kufitare të vendit, ku një delegacion nga Maqedonia, pjesë e të cilit ishin dy deputetë dhe zyrtari Hasim Myrtezani, u mbajt i bllokuar për më shumë se një orë. Bëhet e ditur se, pavarësisht faktit që anëtarët e delegacionit posedonin pasaporta diplomatike—të cilat normalisht ofrojnë lehtësi të menjëhershme në lëvizje—kalimi i tyre u refuzua fillimisht pa asnjë shpjegim të qartë.

Gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv Myrtezani, hodhi poshtë me forcë pretendimet se udhëtimi i tyre kishte lidhje me organizimin e protestave të fundit në territorin shqiptar. Vizita kishte karakter krejtësisht privat dhe zyrtar, duke u theksuar se kalimet e mëparshme në kufi nuk kishin zgjatur asnjëherë më shumë se dhjetë minuta.

Raportohet se tensioni i heshtur u përcoll edhe te vetë punonjësit e doganës, të cilët mbetën të paqartë rreth situatës. Udhëtarët e bllokuar kërkuan sqarime pranë sporteleve për vonesën e tejzgjatur dhe morën një trajtim korrekt nga ana e doganierëve, të cilët megjithatë dukeshin tepër në siklet.

Pas më shumë se një ore pritjeje, doganierët lejuan kalimin e dy deputetëve dhe zotit Myrtezani, duke lënë sërish të paqartë fatin e njërit prej bashkëudhëtarëve të tyre si dhe arsyen e vërtetë prapa kësaj ndalese që shkaktoi hije të forta dyshimi mbi lëvizjen e lirë të zyrtarëve.

Flavio Qarri: Zotin Hasim Myrtezani, një nga tre anëtarët e atij delegacioni që janë bllokuar në pikën kufitare të Qafë Thanës. E para njëherë, çfarë nuk është marrë vesh deri në këto momente? E dyta, mund ta fillojmë nga qëllimi i vizitës suaj? Mos ndoshta jeni patronazhuar, paradhënie e dinin autoritetet tona se çfarë do bënit?

Hasim Myrtezani: Jo, aspak s'ka të bëjë me organizimin e atyre protestave që ndodhin në shtetin e Shqipërisë. Kemi qenë krejtësisht për punët tona dhe deputetët dje që ishin bashkarisht me mua në atë udhëtim, u prononcuan se vizita ka qenë krejtësisht zyrtare dhe private për punët tona që i kemi pasur drejt Tiranës. S'kemi pasur asnjë lloj lidhshmërie me protestat dhe ngjarjet që ndodhin në Shqipëri.

Flavio Qarri: Por, çfarë ndodhi në pikën kufitare të Qafë Thanës? Mund të na bëni një kalim hap pas hapi?

Hasim Myrtezani: Kështu, kemi qenë drejt pikës kufitare në Qafë Thanë. Kam qenë unë me një veturë të posaçme dhe dy deputetët ishin në veturën tjetër. Natyrisht se kemi ne pasaporta edhe diplomatike që na e lehtëson kalimin kufitar gjithmonë, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në vende të tjera. Dua të shpreh faktin se unë shumë shpesh e vizitoj Shqipërinë, për faktin se edhe kam punuar një periudhë atje me një kompani private dhe plus asaj të gjitha pushimet familjare i kam bërë në Shqipëri dhe e vizitoj Shqipërinë shumë shpesh. Ajo që ndodhi dje ishte një rast  i paqartë për shkak se, fakti që patëm pasaportat diplomatike me vete dhe të njëjtat i deponuam në pikën kufitare, u kuptua fakti se ka një problem të caktuar që ishte deri në fund edhe i paqartë se pse ndodhi ajo vonesë, mbi një orë që kemi pritur aty.

Zakonisht kur kam kaluar kufirin edhe raste të tjera, më shumë se pesë-dhjetë minuta nuk jemi vonuar, për shkak se normalisht duhet të kontrollohen të dhënat e çdo udhëtari që kalon kufirin dhe është një proces shumë normal. Po ajo që ndodhi dje, që pritëm mbi një orë, u nënkuptua se ka një paqartësi situate dhe natyrisht pas gjysmë ore kam zbritur unë nga makina së bashku me dy deputetët dhe kemi shkuar në mënyrë shumë kulturore, njerëzore, kemi pyetur te sporteli se çfarë ndodh dhe pse vonohemi kaq shumë. Për hir të korrektesës të të punësuarit të doganës, ka pasur një sjellje shumë normale, shumë korrekte. Por ishin në siklet dhe ishin në një komunikim të vazhdueshëm, me siguri me eprorët e tyre. Me siguri me njerëzit përgjegjës që u dashke t'i informojnë se ka një situatë të paqartë, dhe natyrisht atje kuptuam se ka një, si të themi, një lloj problemi që ende për ne nuk ishte i kuptuar nga ana e doganierëve dhe policisë së Shqipërisë. Në ndërkohë pas një ore pritje, doli njëri nga doganierët dhe na tha se ju të tjerët mund të vazhdoni udhëtimin, e kishte fjalën për mua dhe dy deputetët…