Propaganda qeveritare/ Si po përdoren shkrimet me emra të trilluar për të sulmuar protestën

Artikuj të nënshkruar me emra të trilluar u botuan në disa media gjatë protestave kundër qeverisë, duke promovuar narrativa të ngjashme me ato të mazhorancës dhe duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën editoriale dhe respektimin e standardeve etike të gazetarisë.

BIRN

Kur deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe deklaroi mbështetjen për protestat kundër qeverisë, reagimet nuk erdhën vetëm nga eksponentët politikë.

Më 15 qershor, gazeta Tema publikoi online një opinion të firmosur nga “Altin Ketro”, ku argumentohej se Koçeku duhej të hiqte dorë edhe nga mandati i deputetes.

“Moralisht ajo duhet të dorëzojë mandatin”, shkruante autori, duke mbështetur një qëndrim të shprehur në të njëjtën periudhë edhe nga përfaqësues të shumicës socialiste.

Në javët që pasuan, i njëjti autor publikoi një seri komentesh që kritikonin protestat kundër qeverisë, tashmë të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Nën tituj si “Revolucioni si rreth vicioz” dhe “Protesta që humbi momentin”, artikujt argumentonin se lëvizja kishte humbur ndikimin politik për shkak të mungesës së organizimit, fragmentizimit, refuzimit të dialogut me qeverinë dhe kërkesave të konsideruara të parealizueshme.

Vetë përmbajtja e këtyre opinioneve nuk do të përbënte problem në një hapësirë debati pluraliste. Megjithatë, BIRN nuk arriti të identifikojë personin që fshihet pas emrit “Altin Ketro”. Autori nuk shoqërohet me fotografi, biografi apo ndonjë informacion tjetër identifikues, ndërsa nuk rezulton të ketë gjurmë publike jashtë artikujve të botuar në media.

Pavarësisht kësaj, “Ketro” ka botuar prej vitesh në disa nga portalet më të lexuara në vend, përfshirë Tema, Shqiptarja.com dhe JavaNews. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se shkrimet e tij shfaqen që përpara vitit 2013 dhe publikohen kryesisht gjatë fushatave zgjedhore ose periudhave të krizave politike. Në të gjitha rastet, ato mbajnë një linjë kritike ndaj opozitës dhe mbështesin qëndrime të ngjashme me ato të qeverisë.

BIRN identifikoi një rast të ngjashëm edhe gjatë muajve të fundit. Një autor tjetër, që nënshkruan me emrin “Vilant Xhori”, ka publikuar komente që kritikojnë opozitën dhe liderin e saj, Sali Berisha, fillimisht në gazetën Tema dhe Shqiptarja.com.

Ashtu si në rastin e “Ketros”, kërkimet e BIRN nuk identifikuan ndonjë profil publik, fotografi apo biografi profesionale që të dëshmonte ekzistencën ose ekspertizën e autorit.

Për një lexues të zakonshëm, këta autorë paraqiten si opinionistë të pavarur. Por mungesa e çdo informacioni mbi identitetin e tyre e bën të pamundur vlerësimin e ekspertizës, pavarësisë apo konflikteve të mundshme të interesit që mund të ndikojnë në përmbajtjen e analizave të tyre.

Redaksia e gazetës nuk komentoi për arsyet e vendimit për të botuar autorë anonim dhe nëse fshehja e këtij fakti për lexuesin binte ndesh me etikën gazetareske dhe përgjegjësinë editoriale të gazetës. Bledi Lumani, ish-kryeredaktor jetëgjatë i gazetës i tha BIRN se nuk e dinte kush fshihej pas emri të Ketros.

“Shkrimet më vinin me email me të njëjtin emër, nuk e di kush qëndron pas tij”, tha ai.

E pyetur nga BIRN, redaksia e Shqiptarja.com pranoi se nuk kishte pasur asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me autorët e këtyre shkrimeve dhe se kishte vendosur t’i ribotonte ato nga media të tjera online, pa verifikuar identitetin e autorëve.

“Një opinion mund të botohet edhe në mënyrë anonime, pa cenuar thelbin e mesazhit që ai përcjell. Në rastin konkret, emrat e paraqitur si autorë nga media të tjera online mund të jenë edhe pseudonime, por nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar të tillë,” thuhet në përgjigjen me shkrim të redaksisë për BIRN.

Sipas Shqiptarja.com, përgjegjësia editoriale për përmbajtjen e një opinioni mbetet tek autori, edhe kur ai është anonim, pasi, ndryshe nga rubrika “Editorial”, shkrimet e publikuara në rubrikën “Opinion” nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të medias. Redaksia shtoi se kishte vlerësuar se tekstet në fjalë nuk përbënin shkelje të standardeve etike.

Në mbështetje të këtij qëndrimi, Shqiptarja.com iu referua praktikës së përdorimit të pseudonimeve si pjesë e lirisë së shprehjes.

“Nga pikëpamja etike dhe deontologjike, ajo që ka rëndësi është që një opinion të mos i atribuohet një personi real që nuk e ka shkruar tekstin,” thuhet më tej në përgjigjen e saj.

Anonimati në gazetari

Anonimiteti ka një vend të kufizuar në gazetari dhe pranohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur shërben për të mbrojtur burimet ose autorët nga pasoja serioze. Por, sipas ekspertëve të medias, ky parim nuk mund të përdoret për të justifikuar botimin e opinioneve të nënshkruara me identitete të panjohura ose të pa verifikueshme.

“Të publikosh një artikull apo opinion duke mos e njohur fare autorin, madje as duke mos ditur nëse ekziston apo jo ky individ, është në rastin më të mirë një ‘lajthitje profesionale’ dhe papërgjegjshmëri editoriale”, shprehet Elvin Luku, drejtues i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës.

Luku thekson se përdorimi i anonimitetit në gazetari është një praktikë e pranuar, por vetëm kur media e njeh identitetin e autorit dhe vendos ta fshehë atë për ta mbrojtur nga pasoja të rënda.

“Kjo ndodh kur informacioni që jepet mund t’i rrezikojë jetën autorit ose kur opinioni që ai shpreh mund t’i kushtojë, për shembull, vendin e punës,” tha ai.

Edhe Blerjana Bino, drejtoreshë e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), tha se Kodi i Etikës e lejon anonimitetin vetëm për mbrojtjen e burimeve që mund të dëmtohen nga identifikimi i tyre, jo për publikimin e analizave politike pa autor të identifikueshëm.

Sipas saj, redaksitë mbajnë përgjegjësi për të njohur origjinën e materialeve që publikojnë.

“Pranimi nga redaktorët se këto shkrime publikohen pa ditur kush qëndron pas tyre e kthen faqen e opinionit në një kanal të hapur për komunikim politik të koordinuar, të maskuar si koment i pavarur”, tha Bino për BIRN.

Pasojat në diskursin publik

“Altin Ketro” kishte një vit në heshtje, që nga fushata e majit 2025, para se të riaktivizohej me shkrime kundër protestave qytetare të muajit të fundit.

Intervalet e angazhimit të tij në media me opinione përkojnë kryesisht me fushata zgjedhore ose kriza politike, gjithmonë i pozicionuar në narrativën pro qëndrimeve e mazhorancës qeverisëse dhe kritik i opozitës dhe aksioneve të saj.

Në një shkrim të 11 shkurtit 2025, vetëm një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj, “Ketro” përdorte një ton mbrojtës ndaj tij, duke u bërë thirrje lexuesve të besonin në pafajësinë e Veliajt deri në provimin e akuzave.

Ndryshe nga “Ketro” që është veteran si opinionist, të dhënat e BIRN sugjerojnë se autori tjetër imagjinar “Vilant Xhori” e ka nisur aktivitetin në prill të këtij viti dhe ka publikuar disa opinione që kritikojnë lidershipin e Berishës dhe PD-në.

Aktivizimi i këtyre autorëve në periudha zgjedhore ose krizash politike, i shoqëruar me mungesën e transparencës mbi identitetin e tyre, ngre pikëpyetje mbi qëllimin e këtyre publikimeve dhe rolin e ndikimin e tyre në debatin publik.

Në mungesë të informacionit për autorësinë, lexuesit nuk kanë mundësi të vlerësojnë as ekspertizën dhe as konfliktet e mundshme të interesit që mund të ndikojnë në përmbajtjen e këtyre analizave.

“Qëllimi i publikimeve të tilla është të bombardojë dhe manipulojë opinionin publik i cili nuk ka as kohë, as dije, por dhe as mundësi të verifikojë ekzistencën apo besueshmërinë e autorit”, thotë pedagogu i gazetarisë, Elvin Luku, duke shtuar se “lexuesi e merr si të mirëqenë për sa kohë artikulli është publikuar në një media, pra ka kaluar filtrat redaksional”.

Për Lukun, autorët anonimë përdoren si instrument për të ndikuar debatin publik në periudha të tensionuara politike.

“Shpeshherë, në raste krizash të rënda politike, si kjo në të cilën ndodhet Shqipëria aktualisht, aparatet e PR-it ndërmarrin fushata të koordinuara me qëllim ndërtimin e narrativave për të dyzuar apo konfonduar opinionin publik” tha ai.

Blerjana Bino vlerëson se përdorimi i pseudonimit është një praktikë legjitime në gazetari, por se funksioni historik i tij ka qenë mbrojtja e atyre që flasin kundër pushtetit nga ndëshkimi i tij.

Sipas saj, në rastet e identifikuara nga BIRN kjo logjikë përmbyset, duke krijuar një perceptim të rremë të pluralizmit dhe duke cenuar besimin e publikut te hapësira e opinionit.

“Përdoren anonimë për të përçuar narrativa të caktuara të atyre që janë në pushtet, në kundërshtim me qytetarët që protestojnë,” thotë Bino.