Akuzat për sulm seksual trazojnë të ardhmen e demokratit Graham Platner, pezullon fushatën për Senatin në Maine
Kandidati demokrat për Senatin amerikan në shtetin e Maine, Graham Platner, ka pezulluar fushatën e tij pas akuzave për sulm seksual dhe një sërë skandalesh që kanë tronditur kandidaturën e tij.
Vendimi vjen pasi drejtues dhe mbështetës të Partisë Demokratike i kërkuan të tërhiqej nga gara, e konsideruar kyçe për përpjekjet e demokratëve për të fituar kontrollin e Senatit në zgjedhjet e nëntorit.
Në një video të publikuar në rrjetin social X, Platner mohoi akuzat, duke i cilësuar ato “të rreme”, dhe tha se pezullimi i fushatës nuk përbën pranim faji. Sipas tij, vendimi u mor pasi demokratët kërcënuan se do t’i ndërprisnin mbështetjen politike dhe financiare.
Ai deklaroi se do të paraqesë zyrtarisht kërkesën për t’u tërhequr nga gara vetëm pasi të sigurohet se kandidati që do ta zëvendësojë do të përzgjidhet përmes një procesi “të hapur, transparent dhe demokratik”. Sipas ligjit të shtetit të Maine, tërheqja duhet të formalizohet deri më 13 korrik që emri i kandidatit të ri të përfshihet në fletën e votimit.
Gara për Senatin në Maine konsiderohet vendimtare për demokratët, të cilët synojnë të marrin shumicën në Senatin amerikan. Për ta arritur këtë, partia duhet të fitojë mandatin që aktualisht mbahet nga senatorja republikane Susan Collins, të ruajë vendet ekzistuese dhe të sigurojë edhe fitore në shtete të tjera konkurruese.
Platner, fermer gocash deti dhe veteran ushtarak, ishte shfaqur si favoriti për nominimin demokrat falë një platforme progresive që përfshinte kujdes shëndetësor universal dhe strehim më të përballueshëm. Ai kishte marrë mbështetjen e senatorëve Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren, ndërsa kundërshtarja e tij për nominimin, guvernatorja Janet Mills, kishte pezulluar fushatën.
Megjithatë, kandidatura e tij u godit nga disa polemika. Përveç akuzës së fundit për sulm seksual, mediat amerikane raportuan më herët për një tatuazh që i ngjante një simboli nazist, të cilin Platner tha se e kishte mbuluar. Gjithashtu u rikthyen në vëmendje postime të vjetra në Reddit, ku ai kishte bërë komente kontroverse për viktimat e sulmeve seksuale, për të cilat më vonë kërkoi falje.
Në muajin qershor, “The New York Times” raportoi se Platner kishte shkëmbyer mesazhe seksuale me gra të tjera gjatë martesës së tij, fakt që ai e pranoi. Më pas, e njëjta gazetë publikoi dëshmi nga tre ish-partnere, të cilat e akuzuan për sjellje agresive dhe të paqëndrueshme.
Pas publikimit të akuzës për sulm seksual, disa prej mbështetësve të tij më të rëndësishëm në Kongres, përfshirë senatorët Elizabeth Warren, Ruben Gallego dhe Martin Heinrich, si dhe përfaqësuesin Ro Khanna, tërhoqën mbështetjen. Po ashtu, Komiteti i Fushatës Senatoriale Demokratike dhe Partia Demokratike e Maine-it ndërprenë financimin dhe mbështetjen për kandidaturën e tij.