SYRI TV/ Opozita denoncon aferat e qeverisë në PE, akuza ndaj qeverisë në takimin BE-Shqipëri

Gjatë takimit të përbashkët në Parlamentin Europian, deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën se po pengon luftën kundër korrupsionit, duke përmendur rastin e Belinda Ballukut apo aferën e AKSHI-t. Gazmend Bardhi dhe Belind Këlliçi denoncuan një sërë aferash, ndërsa akuzuan kryeministrin Rama për favorizim të interesave kriminale në dhënien e lejeve të ndërtimit për kulla dhe resorte.

Sipas tyre, mazhoranca është pengesa për integrimin e vendit në BE, ndërsa u ndalën edhe te protesta e qytetarëve, të cilën e cilësuan si pasqyrim të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj qeverisjes.

Deputetët e opozitës ngritën akuza të forta ndaj mazhorancës në Parlamentin Europian se po bëhet pengesë për luftën kundër korrupsionit, duke marrë si shembull rastin e Belinda Ballukut. Nga takimi i përbashkët BE–Shqipëri, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, dhe deputeti Belind Këlliçi akuzuan mazhorancën se ka tjetërsuar rolin e Kuvendit, duke u shprehur se Parlamenti shqiptar është shndërruar në një institucion që nuk ushtron më rolin e tij kushtetues.

Këlliçi u ndal edhe te aferat korruptive në vend, si ajo e AKSHI-t, inceneratorit të Tiranës, afera 5D, si dhe te pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit.

Gjatë fjalës së tij para eurodeputetëve, kreu i Grupit të PD-së, Gazmend Bardhi, lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Rama, i cili, sipas tij, ka firmosur leje për ndërtimin e kullave dhe resorteve, paratë e të cilave vijnë nga trafikimi ndërkombëtar i kokainës, duke u ndalur gjithashtu edhe te takimi i Arubës.

Deputetët e opozitës denoncuan refuzimin që i ka bërë kryeministri Rama interpelancave të kërkuara prej tyre. Ata denoncuan refuzimin që mazhoranca i ka bërë shqyrtimit të kërkesave të parashtruara në protestat qytetare, të cilat, sipas deputetëve të opozitës, nuk janë nxitur nga faktorë të jashtëm, por janë shprehje e pakënaqësisë së gjithë shqiptarëve ndaj qeverisjes.