Korçë-Ersekë, SPAK konfirmon gjetjet e Plug: Erion Isai dhe Entela Çano falsifikuan projektin e rrugës
Ky ishte denoncimi I Plug për aferën 88 milion euroshe të rrugës Korçë-Ereskë. Një rrugë, ku jo vetëm janë vjedhur para, por mbi të gjitha, falsifikimet e projektit të saj, çuan edhe në shembjen e një segmenti të konsiderueshëm, që vuri në rrezik jetën e kalimtarëve. Faktet e publikuara nga Plug 9 muaj më parë, I ka konfirmuar SPAK në datën 19 qershor të këtij viti, kur mbylli hetimet dhe dërgoi për hetim Erion Isain, Ergys Verdhon, Entela Çanon dhe një seri zyrtarësh të tjerë. Ashtu sikundër dëshmoi Plug, SPAK e konfirmon kur deklaron se projekti I rrugës Korçë-Ersekë është falsifikuar, ndërsa kostot për ndërtimin e këtij segmenti u rritën jashtë parashikimeve buxhetore.
Më 19 qershor, Prokuroria e Posaçme njoftoi mediat se kishte mbyllur hetimet për aferën e rrugës Korçë-Ersekë, e cila u shemb në shkurt të vitit 2024. Sipas SPAK, për këtë aferë u dërguan në gjykim 16 zyrtarë të lartë, përfshi kryetarin e Bashkisë Kolonjë Erion Isai, ish-kreun e ARRSH Ergys Verdho dh eish-vartësin e tij Erald Elezi, që gjithashtu është në arrest-shtëpie për aferën e Tunelit të Llogarasë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:
Erion Isai, me detyrën e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 248 e 25, 258 e 25 të Kodit Penal;
Eljona Mydini, ish zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Ergys Verdho, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Erald Elezi, ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Të pandehur janë marrë edhe disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ARRSH: Gentian Raça, Donikë Shehu, Klarita Konomi, Nikollaq Mihali, Erdit Salillari të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Për të njëjtat akuza, janë marrë nën hetim edhe Erjon Cenko, Ëngjëll Dine, Ermal Zylfo, Armand Tafili, Muharrem Tartari dhe Shpëtim Liço, punonjës të bashkisë Kolonjë.
SPAK ka marrë të pandehur tashmë zyrtarisht edhe inxhinieren Entela Çano, e cila është administratore e kompanisë A&E Engineering. Sipas SPAK, Entela Çano akuzohet për faslifikim të dokumenteve kryer në bashkëpunim.
Të gjithë zyrtarët e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një seri veprimesh për kryerjen e tenderit fiktiv për ndërtimin e Lotit II pjesa I, e rrugës Korçë-Ersekë. Sipas SPAK, bashkia e Kolonjës, që drejtohet nga Erion Isai, nuk ka disponuar projekt për këtë rrugë, pavarësisht korenspodencave që ka pasur me Entela Çanon dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e e tëtë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 24.09.2020, ka rezultuar se: Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni” me objekt “Ndërtim rruga Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta.
Ashtu siç kishte denoncuar Plug me prova, SPAK duke iu referuar dokumentacionit zyrtar, ka faktuar tashmë se vartësit e Erion Isait, shtetasit Erjon Cenko, Ëngjëll Dine dhe sipërmarrësja Entela Çano e cila supozohet se dhuroi projektin e rrugës Korçë-Ersekë, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga bashkia.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.
Skandali thellohet dhe më tej. Teksa Plug ka publikuar të dhëna që tregonin kostot e fryra të projektit, SPAK ka arritur të vërtetojë se titullarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar në vitin 2020, Ergys Verdho si kreu I ARRSH, dhe vartësit e tij, kanë shkelur ligjin për procedurat e tenderit të kësaj rruge. Sipas SPAK, drejtuesit e ARRSH kanë miratuar preventivin e kostove të ndërtimit të rrugës pa pasur projekt.
Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit. Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.
Hetimet kanë zbuluar, se në fakt, Ergys Verdho dhe vartësit e tij, kanë përcaktuar fondin limit prej gati 30 milionë eurosh për ndërtimin e 4.2 km rrugë, sipas dokumenteve të përgatitura dhe dorëzuar dorazi nga Entela Çano.
Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë). Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, ligjin nr.10164, datë 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, VKM nr.276, datë 16.5.2018 “Për miratimin e organizimit, të strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.
Pasoja e të gjitha veprimeve të kundraligjshme të Erion Isait, Ergys Verdhos, Entela Çanos dhe vartësve të tyre, ka qenë pikërisht rritja e kostos së ndërtimit të kësaj rruge. Këtë fakt e ka denoncuar edhe Plug, referuar një auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, I cili u injorua nga SPAK për disa vite duke lejuar ndërtimin e një rruge pa projekt, me kosto të fryra dhe mbi të gjitha, të rrezikshme për përdoruesit e mjeteve.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.
Siç edhe ndoqët në fillim, Emisioni Plug denoncoi se Entela Çano jo vetëm nuk hartoi projekt për këtë rrugë, por “bamirësia” e saj për dhurimin e projektit inekzistent të rrugës Korçë-Ersekë, u shpërblye nga Ergys Verdho dhe Erion Isai, të cilët I dhanë tenderin e mbikqyrjes së punimeve për këtë rrugë dhe mbikqyrjen e punimeve për ujësjellësin e Ersekës. C
Procedura e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)”, me fond limit 22,704,145 (njëzet e dy milion e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 14.10.2020, ka rezultuar se: Erdit Salillari, Klarita Konomi, Niko Mihali, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, “A&E Engineering” sh.p.k. .Procedura e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me tvsh, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë, zhvilluar në datën 06.10.2020, ka rezultuar se: Në lidhje me përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Sipas SPAK, Erion Isai dhe vartësit e tij, kanë kryer një seri veprimesh të kundraligjshmesh, duke favorizuar Entela Çanon në tenderat e mbikqyrjes së punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Ersekës. Madje, sipas hetimeve, rezulton se Erion Isai dhe vartësit e tij kanë hartuar kritere të veçanta kualifikimi duke favorizuar kompaninë e Entela Çanos, për tenderat që iu dhanë si shpërblim për projektin e falsifikuar të rrugës Korçë-Ersekë.
Anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, në përllogaritjen e fondit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. Si dhe specifikimet teknike janë përgatitur nga administratorja e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k.,shtetasja Entela Çano. Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. Anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Në këto kushte, Erion Isai, Ergys Verdho, Entela Çano dhe një seri vartësisht të tyre, janë marrë të pandehur për vepra të rënda penale nga SPAK. Por, komunikimi akuzave dhe zvarritja e hetimeve, nuk parandaloi atë që ishte pasoja e rëndë për qytetarët: hemoragjia financiare në ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, e cila u paralajmërua nga disa institucione që ende pa u zhvilluar tenderi.