VIDEO/ Hetimet për rrugën Korçë-Ersekë, Emisioni Plug zbardhi falsifikimet e projektit

Mirëmbrëma, po fillon Plug! Në vjetën e vitit 2025, këtu në Plug denoncuam skandalet e kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai. I përfshirë në aferën e rrugës së shembur Korçë-Ersekë, tenderat e ujësjellësit dhe një agroturizëm I ngritur me fondet e IPARD. Rreth 9 muaj pasi ne denoncuam me prova skandalet 100 milionë euroshe të Erion Isait, SPAK në datën 19 qershor mori të pandehur 16 zyrtarë të lartë, përfshi Erion Isain, ish-drejtorin e rrugëve Ergys Verdho, ish-kreun e KESH Erald Elezi, sipërmarrësen Entela Çano, dhe një seri vartësish të tyer në Bashkinë Ersekë, ARRSH etj.

Sonte do t`ju tregojmë se akuza e SPAK ndaj grupit prej 16 zyrtarësh të lartë, nuk është thjesht një hetim, që ka zgjatur në kohë duke mos parandaluar dëmin financiar ndaj buxhetit të shtetit. Pra një skandal i denoncuar në vitin 2024, i provuar në vitin 2025 do të zgjaste për gati 3 vite, duke u lejuar kështu që qindra-milionë euro të dizbursoheshin deri në qindarkën e fundit.

Mëngjesin e 17 shkurtit 2024, një pjesë e segmentit të rrugës Korçë-Ersekë, u  shemb. Rruga pësoi shkarje masive në segmentin Loti II pjesa e parë me gjatësi 4.15 km.

SPAK nisi hetimet pas skandalit të 18 shkurtit 2024, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar në Prokurorinë e Posaçme që në 30 tetor 2020, nga inxhinieri Romeo Nazarko. Në atë kallëzim, inxhinieri kërkonte hetim për Drejtorin e Kohës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, Minitren e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe kompaninë ANK me pronar Agim Kolën, vëllain e ish-deputetit socialist, Ndue Kola, i cili në fakt është shfaqur më vonë si inxhinier I rrugës.

ARRSH pranon zyrtarisht, se gabimet në projektim janë shkaku i shembjeve në rrugën Korçë-Ersekë. “Shkaku i shembjes së një pjese të segmentit rrugor në lotin e dytë, pjesën e parë, në shkurt të vitit 2024 është humbja e qëndrueshmërisë së bazamentit nga ndryshimi i nivelit të ujrave nëntokësore”-thuhet në një raport të ARRSH.

Këto janë pamjet që tregojnë shembjen e rrugës Korçë-Ersekë në Lotin 2, pikërisht në segmentin 4.15 km, projekt që u hartua nga Entela Çano dhe Erion Isai. Emisioni Plug transmetoi në sezonet e kaluara, një emision ku tregonte se çfarë ndodhi me shembjen e rrugës, kush ishte kompania zbatuese e projektit ANK Konstruksion dhe fijet e kësaj kompanie me lidhjet shtetërore.

Ky që shihni në ekran, është projekti i zabtimit i rrugës Korçë Ersekë, i bërë nga Entela Çano. Siç shhet, projekt-zatimi, përbëhet nga vetë këto dy foto, që me sa duket janë bërë nga google maps, dhe më pas, nëpërmjet programeve kompjuterike, fotove u është shtuar dhe vija e kuqe që supozon gjurmën e rrugës. Në raportin teknik të rrugës, që mban firmën dhe vulën e kompanisë A&E Engineering, pretendohet që Projekti i Zbatimit "Rruga Korce - Erseke "(Loti 2) eshte rezultati i bashkepunimit me pergjegjesit lokale dhe komunitetin e zones ku u finalizuan kontrollet dhe verifikimit e domosdoshme; si dhe pervetesimi i te dhenave gjeologjike dhe gjeoteknike, topografike, te dhena te trafikut, etj. Por në kallëzimin penal, që inxhinieri Romeo Nazarko ka bërë në SPAK, pretendohet se në terren nuk kanë zbritur inxhinierët e Entela Çanos, por inxhinierët e kompanisë ANK, e cila duket se kishte marrë garanci se do të ishte fituese e tenderit 28 milionë euro për ndërtimin e kësaj rruge.

Vjeshtën e vitit 2025 SPAK mori nën hetim kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai,  pasi në komunikimet telefonike të zbardhura nga Prokuroria e Posaçme, dyshohej se ai ka shpërdoruar detyrën dhe ka shkelur barazinë në tendera. Në bisedat e zbardhura nga SPAK, Erion Isai bashkëbisedon me Entela Çanon, ku në këmbim të projektit të falsifikuar për rrugën e Ersekës, kryebashkiaku i jep mikeshës së tij disa tendera mbikëqyrje punimesh për ujësjellësin e kësaj bashkie.

ERION ISAI - “Miremengjes, Shifi pak keto: Po 110 max ose 90 i jep zgjidhje thuj enteles Vetem rjeti jashtem deri depo fi 250 ne 20 bar eshte 18 755 ml X 6793 leke = 127 402 715 pa tvsh kurse pesari fi 200 me gjatesi 1 880 X 4747 leke = 8 924 360 leke".

ENTELA ÇANO -- "Mirmengjes..ok.. mi dërgo Ok..te njejten gje po bejme edhe ne..reduktim parametrash".

ERION ISAI -- “Sa me shpejt s Pls".

ENTELA ÇANO -- “Ok..pa merak".

ERION ISAI --"Me duhet deri te premtenMe duhet lista me emrat e fshatrave dhe vlerat per cdo fshat vëlla Nje zjarr te luteeeeem

ENTELA ÇANO --"Pa merak..do bëj të pamunduren qe te premten ti dorezojme".

ERION ISAI --“Je yll

ERION ISAI --“Kemi gati ndonje prevrntiv Te ndonje fshati?"

ENTELA ÇANO --"Neser paradite mendoj se mund të kemi diçka..po sforcohemi shume per te arritur vleren..230 me tvsh..jam e sakte ? Ma konfirmo te lutem".

ERION ISAI  --"330 Eshte maх".

ENTELA ÇANO "Shyqyr..".

ERION ISAI --"Pls Zjarrrrr Se neser duhet me i printu Vulos ktu te ue Une Te premte mengjes herët Duhen dorezu".

ENTELA ÇANO --  “Do bëj më të mirën e mundshme.. mendoj që do të jem korekte..por jam sforcuar shumë për të kapur vlerën..".

ERION ISAI ---"Ishte teeeepeeeeer e larte As behej fjale".

ENTELA ÇANO -- "Me 5 aspra tha do verë të mirë miku: shprehje gjermane..".

Pasi Entela Çano kopsit projektin, që ia kishte marrë Tomor Spahiut, Erion Isai nuk humbet kohë dhe e dorëzon në Agjencinë Kombëtare të Ujërave dhe Mbetjeve të Ngurta, që në atë kohë drejtohej nga Alqi Bllako. Erion Isai dhe Entela Çano zhvillojnë disa biseda deri në datën 15 shtator, kur kryebashkiaku i Eresekës, i jep Entela Çanos numrin e vartësit të tij, Armand Tafili, me qëllim që së bashku të pregatisin tenderin e paracaktuar të supervizimit të ujësjellësit, që do të fitohej nga Entela Çano.

ERION ISAI -- "Armand Tafili, Do te te marre Per superviz.".

ENTELA ÇANO -- "Faleminderit shume".

ARMAND TAFILI: “Dakort Entela.Shumë faleminderit. Mbetemi në kontakt.".

ENTELA ÇANO -- “Ok. Faleminderif”

 

Në datën 24 shtator 2020, Entela Çano dhe Armand Tafili shkëmbejnë të tjera mesazhe, ku drejtori i Erion Isait  i tregon vlerën e fondit që pronarja e kompanisë A&E Engineering, pritet të përfitojë pasi të zhvillohet tenderi.

 

ENTELA ÇANO -- “Armand pershendetje..si je ? Po te dergoj llogaritjet..por te lutem kjo vlere duhet mbajtur sekret..askush nuk duhet ta dije te lutem", gjithashtu, i dërgon edhe një material, përmbajtja e të cilit nuk mund të evidentohet.

ARMAND TAFILI --“Mire si je ti Patjeter".

ENTELA ÇANO -- "Ky eshte procesverbali.. Faleminderit ty..por te lutem askujť".

ARMAND TAFILI --  "Ri e qete".

 

Në datën 5 tetor, Entela Çano interesohet drejtpërdrejtë tek Armand Tafili, për të marrë informacion se çfarë po bëhej me këtë tender.

ENTELA ÇANO -- “Armand përshëndetje ..si je ?".

ARMAND TAFILI --"Mire si je ti".

 ENTELA ÇANO --“Çfarë po bëhet me MBKQ e Kozelit ?".

 

Në datën 7 tetor 2020, Armand Tafili informon Entela Çanon të shoh Agjencinë e Prokurimit Publik, pasi tenderi më në fund ishte shpallur.

 

ARMAND TAFILI -- "Si kalove E pe besoj".

ENTELA ÇANO -- “Mirë faleminderit..po e pashe..rrofsh..dorën e mbarë.."

ARMAND TAFILI --“Mbarë.".

 

Nga një verifikim i dhjetëra tenderave, që ARRSH ka shpallur për hartimin e projektzbatimit të rrugëve të reja, rezulton se një kompanie i duhen minimalisht 22 muaj për të hartuar një projekt, ndërsa kostoja për hartimin e një projekti të ngjashëm, shkon nga 800 mijë deri në 1 apo dy milionë euro, në varësi të speficfiave të rrugës.

Një tjetër skandal në këtë projekt, është rritja fiktive e kostove. Në projektin fillestar,  i cili mbahet nga ARRSH dhe nuk bëhet publik, rruga ishte parashikuar të ndërtohej me një kosto prej 1 milionë euro për një 1 km. Loti i parë me gjatësi prej 17 kilometrash, i inaguruar nga Damian Gjiknuri në vitin 2018, kushtoi rret 15 milionë euro. Ndërkohë, loti i dytë me gjatësi 4.15 km kushtoi plotë 26 milionë euro, dhe loti i dytë pjesa e dytë kushtoi 25 milionë euro. Pas shembjes së rrugës në pjesën e parë të lotit të dytë, ARRSH  shtoi edhe rreth 5 milionë euro shtesë me justifikimin e rishikimit të projektit, por që kurrë nuk u bën transparente. Në total, sipas ARRSH, rruga Korçë-Ersekë ka kushtuar 8.2 miliardë lekë apo më shumë se 82 milionë euro, sipas projektit të Entela Çanos.

Për rritjen e kostove të rrugës  në dy lotet e tjera, pati edhe një hetim nga Agjencia e Prokurimit Publik. Plug disponon të plotë vendimin e hetimit të APP, ku konstaton se ky institucion, që në vitin 2021 kishte gjetur rritje të kostove të rrugës, por nuk mori asnjë masë, pasi gjatë hetimit, sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, ARRSH kishte argumentuar rritjen e kostove me disa vkm të miratuara nga qeveria Rama për çmimet e materialeve të ndërtimit. Por teksa APP nuk mori asnjë masë për rritjen fiktive të kostove, ky institucion dyshohet se ka kryer një tjetër vepër penale, duke lejuar zbatimin  e  projektit me një tender abuziv. Nga dokumenti që disponon emisioni PLUG, rezulton se APP ka konstatuar se procedurat dhe kriteret e tenderit të rrugës Korçë-Ersekë, u hartuan në mënyrë të tillë që të favorizonin kompaninë fituese ANK, ndërsa po kjo kompani e fitoi tenderin duke mos plotësuar një seri kriteresh të përcaktuara nga ARRSH për këtë procedurë prokurimi me vlerë 30 milionë euro.

Këtë skandal, që Agjencia e Prokurimit Publik e konstatoi vet, e mbuloi vetëm duke gjobitur deri në 2 milionë lekë, gjashtë anëtarë të njësisë së prokurimit për mospërmbushje të parashikimeve ligjore në ligjin e prokurimit publik.

Emisioni Plug ka siguruar një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për një auditim të kryer në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ku zbardhet një e dhënë shumë e rëndësishme. Sipas dokumentit që shihni në ekran, vet qeveria kishte parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekësh, apo rreth 14 milionë eurosh, me kursin e kohës, për ndërtimin e Lotit 2, pjesa e parë, të rrugës Korçë-Ersekë. Siç shihet nga ky dokument, qeveria do të paguante në tre vjet shumën e 1.2 miliardë lekëve për ndërtimin e kësaj rruge. Por, ARRSH në varësi të Belinda Ballukut lidhi një kontratë me kompaninë ANK, për vlerën e 2.8 miliardë lekëve apo rreth 30 milionë eurove për ndërtimin e vetëm 4..15 km rrugë. Dhe sipas KLSH, kjo ishte në shkelje, pasi u angazhuan fonde, përtej parashikimeve buxhetore.

Pra, kostoja e ndërtimit të këtij segmenti prej 4.15 km, u rritë jashtë planeve buxhetore me gati 17 milionë euro nga sa vetë qeveria kishte parashikuar, pa llogaritur këtu edhe shembjen e rrugës. Deri këtu është e qartë, se Agjencia e Prokurimit Publik anashkaloi rritjen e kostove të ndërtimit të rrugës, duke i besuar verbërisht Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa ky i fundit, kishte miratuar 30 milionë euro për një projekt të falsifikuar. Vetë ARRSH, nuk dha asnjë shpjegim teknik, pse u miratua projekti i Entela Çanos dhe nuk u vijua me projektin vitit 2010, që parashikonte rrugë në një segment që nuk rrezikonte të shembej, dhe mbi të gjitha ndërtimi ishte me kosto disa dhjetëra milionë euro më lirë sesa projekti që paraqiti Entela Çano dhe Erion Isai në ARRSH. Ky  i institucion, që në atë kohë drejtohej nga Ergys Verdho, ka kryer edhe një tjetër vepër penale. ARRSH dhe kreu i saj ERgys Verdho, jo vetëm miratuan një projekt të falsifikuar, por njëkohësisht, ia besuan mbikqyrjen e punimeve të këtij projekti, hartueses në letra të tij, Entela Çano.

Më 26 tetor 2020, ARRSH hapi tenderin me objekt prokurimi: “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e pare)”. Vlera e fondit limit të këtij tenderi ishte 190 mijë euro, ndërsa në garë morën pjesë 5 kompani, nga të cilat në fazën e dytë kaluan vetëm tre: 1. “GJEOKONSULT &CO” 2. “A & E ENGINEERING” dhe 3.“MCE” & “Studio Servis K-SA” & “INDAY-18”. Në përfundim, fituese u shpall pikërisht kompania e A&E Engineering, e Entela Çanos, ndërsa si dhuratë për vitin e ri 2020, në datën 31 dhjetor të atij viti, Ergys Verdho dhe Entela Çano, lidhën kontratën me vlerë totale 224 mijë euro për mbikqyrjen e punimeve të këtij projekti. Pra, jo vetëm që projekti nga Entela Çano nuk iu bë dhuratë bashkisë Kolonjë, por ARRSH, vendosi që punimet e këtij projekti të falsifikuar dhe korruptiv, t`ia besonte ish zyrtares së lartë të Fondit Shqiptarë të Zhvillimit, duke skualifikuara nga gara madje edhe kompani që ofruan çmime shumë më të ulëta për mbikqyrjen e punimeve të kësaj rruge.

Dy vjet pas tenderit për lotin e dytë pjesa e parë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, tenderoi edhe tenderin për  lotin e dytë pjesa e dytë, me gjatësi 13 km. Ndryshe nga tenderi parë, ku ARRSH shpenzi rreth 30 milionë euro për vetëm 4 km, në pjesën e dytë të lotit të dytë, ARRSH shkurtoi shpenzimet, duke tenderuar 13 km rrugë për vlerën e 25 milionë eurove me TVSH. Deri këtu duket lajm i mirë, pasi në thelb u kursyen para nga taksat e shqiptarëve, duke pasur parasysh se ndërtimi i 13 kilometrave rrugë ishte po aq i vështirë teknikisht, pasi përbëhej nga disa ura dhe vepra arti që teknikisht kanë kostot të lartë. nga ana tjetër ky fakt tregon edhe njëherë vjedhjen masive që u bë në pjesën e parë të lotit të dytë, ku u shpenzuan 30 milionë euro për 4.15 km rrugë, apo thënë ndryshe gati 8 milionë euro për kilometër.

Ndërtimi i pjesës së dytë të lotit të dytë, të rrugës Korçë-Ersekë, nxjerr në pah edhe njëherë falsfikimin e projektit nga Entela Çano dhe Erion Isai. Në 16 shtator 2024, tetë muaj pasi rruga u shemb në pjesën e parë të lotit të dytë, Autoriteti Rrugor Shqiptar bën një rishikim të kontratës me kopaninë ANK duke shtuar edhe rreth 432,238,665.08 lekë pa tvsh apo 5 milionë euro për përfundimin e këtij projekti. Në total, nga 26 milionë euro, për përfundimin e plotë të pjesë së dytë të lotit të dytë, kostoja shkoi në 31 milionë euro.

Sipas dokumentit të modifikimit të kontratës, në datën 17 korrik 2024, Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, ka paraqitur relacionin teknik, në të cilin janë paraqitur dhe prezantuar të gjitha shkaqet që kanë çuar në nevojën për këtë modifikim kontrate. Sipas ARRSH, është mbikëqyrësi i punimeve, që propozon ndryshimet e kontratës, dhe në këtë rast, është kompania A&E Engineering, e Entela Çanos. Dhe sipas Entela Çanos, Shkaqet e modifikimit të kontratës janë:

Rishikim i projektit të urës mbi përroin e Selenicës;

Rishikim i projektit në lidhje me përmirësimin e tabanit të rrugës;

Ndryshime të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me faktin në terren;

Ndryshim të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me preventivin.

Pra edhe nga ky rast, konfirmohet përsëri që projekti i Entela Çanos dhuruar Erion Isait ishte i falsifikuar, me pasoja të rënda për xhepin e qytetarëve shqiptarë. E gjitha kjo është bërë me dijeninë e plotë të Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku. Sipas dokumentit, rezulton se për shkak problemeve me projektin e Entela Çanos, punimet për pjesën e dytë të lotit të dytë të rrugës Korçë –Ersekë, janë pezulluar në datën 26 tetor 2023, ndërsa në datën 18 mars të vitit 20224, Belinda Balluku ka firmosur pagesat shtesë për rishikimin e kontratës.

Afati i kësaj kontrate është 18 muaj nga data e lidhjes së kontratës. Njoftimi për fillimin e punimeve datë 13.06.2022. Punimet janë pezulluar më datë 26.10.2023, raportuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, konform Udhëzimit nr. 2, datë 18.03.2022 “Mbi Raportimin e Zbatimit të Kontratës”. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me shkresën Nr. 1707/3 prot, datë 18.03.2024 “Detajimi pjesor i buxhetit për shpenzimet kapitale për vitet 2024-2026…” ka miratuar këtë projekt, me detajimin përkatës. Financimi për vitin 2024 është 104,000,000 Lekë me TVSH.

Në këtë dokument, zbulohet edhe një tjetër e dhënë që ngarkon me përgjegjësi Autoritetin Rrugor Shqiptar.  Ky institucion, ka tentuar të heq përgjegjësitë nga vetja, duke u shprehur se nuk mund të parashikonte mospërputhje midis projektit-faktit dhe preventivit.

Autoriteti Kontraktor nuk mund të parashikonte mospërputhjet midis projektit-faktit-preventivit, si dhe nevojave dhe domosdoshmërisë së ndryshimeve në funksion të përdoruesve të rrugës

Është pikërisht kjo fjali, që nuk duhet të anashkalohet nga SPAK, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministrja e Infrastrukturës, pranuan që në fillim një projekt të falsifikuar, me kosto të fryra dhe mbi të gjitha shkelën ligjin, duke pranuar si mbikqyrës kompaninë që supozohet se hartoi projektin në terren. ARRSH, për të gjitha falsifikimet korruptive me pasoja të rënda të Entela Çanos, u vu në dijeni nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Agjencia e Prokurimit Publik dhe inxhinieri Romeo Nazarko, ku veçanërisht ky i fundit, paralajmëroi të gjithë këtë skandal deri me padi në SPAK.

Belinda Balluku dhe ARRSH, në vend që të kërkonin llogari ndaj Entela Çanos dhe kompanisë ANK për falsifikimin e projektit të rrugës Korçë-Ersekë, që çoi në një seri problemesh, i shpërblyen të dyja kompanitë duke u dhën gjithashtu një projekt të përbashkët, ndërtimin dhe supervizimin e lotit të katërt të autostradës Elbasan-Tiranë. kompania ANK do të paguhet përsëri 25 milionë euro për ndërtimin e rreth 4 kilometrave rrugë, ndërsa Entela Çano do të mbikqyr punën në këto katër kilometra, duke përfituar rreth 300 mijë euro pagesa.