'Shqipëria humbet të rinjtë nga nepotizmi', Qytetarja: Sistemi i Ramës po na largon

Në ditën e 39-të të protestës, qytetarja Xhorxhina Rroshi ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe mënyrës së funksionimit të sistemit në Shqipëri, duke rrëfyer përballjen e saj me mungesën e meritokracisë dhe abuzimet që, sipas saj, e detyruan të braktiste ëndrrën për t’u bërë inxhiniere.

33-vjeçarja deklaroi nga sheshi se Shqipëria po humbet të rinjtë dhe talentet, ndërsa korrupsioni dhe nepotizmi po pengojnë ata që duan të ndërtojnë të ardhmen me punë e përkushtim. Ajo solli si shembull eksperiencën e saj në fushën e ndërtimit, duke akuzuar kompani për abuzime me tenderat, preventivat e fryra dhe punime të deklaruara që nuk ekzistonin.

Rroshi kritikoi prioritetet e qeverisë dhe kërkoi një sistem ku fondet publike të mbrohen, profesionistët të respektohen dhe të rinjtë të mos detyrohen të heqin dorë nga ëndrrat e tyre.

Në fund të fjalës së saj, ajo bëri thirrje për një Shqipëri me meritokraci, pa nepotizëm dhe pa korrupsion, duke iu bashkuar kërkesës së protestuesve për ndryshim politik.

Fjala e saj:

Të nderuar shqiptarë, shqiptarët e vërtetë do të ishin të gjithë sot në shesh.

Unë jam Xhorxhina Rroshi. Jam 33 vjeçe. Kam qenë aktive që nga dita e parë e kësaj proteste, deri në ditën e 39-të, duke postuar çdo ditë, sepse kjo protestë nxori në dritë një ëndërr që u shua tek unë 14 vite më parë, kur fillova Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Kur isha gjimnaziste, ëndrra ime ishte të bëhesha arkitekte. Kisha talent për vizatim, isha shumë e mirë në matematikë, ekselente në fizikë dhe besoja se me punë e përkushtim çdo ëndërr mund të realizohej.

Por realiteti ishte shumë më i ashpër. Babai im ndërroi jetë kur unë isha 17 vjeçe. Nëna ime mbeti me një asistencë ekonomike qesharake, ndërsa shteti më ofroi vetëm 70 mijë lekë të vjetra në muaj si mbështetje. Për një studente si unë, që duhej të jetonte mes librave dhe të studionte në Tiranë, kjo nuk mjaftonte për të mbijetuar.

Por nëna dhe motrat e mia donin të sakrifikonin që vajza e tyre të studionte në Tiranë. Kështu që, për t’ua shpërblyer, fillova të punoj që në vitin e parë të fakultetit, me ndershmëri, dhe që nga ajo ditë nuk kam reshtur kurrë së punuari me ndershmëri.

Me një mesatare 9.92 në gjimnaz, isha e 36-ta në listën e pranimeve në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Meqenëse nuk mundja të ndiqja arkitekturën, por vazhdova të doja procesin e krijimit dhe ndërtimit, për mua profesioni i inxhinierit ishte dhe mbetet një profesion fisnik.

Punoja dhe studioja njëkohësisht, sepse kisha vullnet dhe dashuri për dijen, të cilën e kam ende sot e kësaj dite. Por edhe kjo ëndërr u ndërpre. E lashë fakultetin pas përfundimit të sistemit bachelor, sepse kuptova se meritokracia në Shqipëri nuk funksiononte siç duhet.

Kuptova se jo gjithmonë ata që ndërtojnë janë ata që respektojnë profesionin. Pashë kompani ndërtimi që abuzonin me tenderat, frynin preventivat, deklaronin staf dhe punime që nuk ekzistonin. Dhe unë nuk mund ta pranoja këtë.

Jam rritur nga një baba, i cili ishte kryeagronom i nderuar, student i shkëlqyer në Fakultetin e Agronomisë. Dhe ai nuk ishte veçse një fshatar, sipas qytetarëve tuaj që sot kemi në pushtet. Ai më mësoi se profesioni nuk është një mënyrë për t’u pasuruar, por një përgjegjësi para njerëzve. Sepse ndershmëria nuk shitet dhe nuk blihet.

Sot, sot i shoh këtë shesh të mbushur me shqiptarë, shqiptarë të vërtetë, dhe ndiej se ajo ëndërr që dikur e humba, ëndrra e asaj studentes plot pasion, është zgjuar përsëri.

Sot jam gati ta nis edhe një herë rrugëtimin tim si inxhiniere. Në Shqipëri, në një Shqipëri ku rrugët ndërtohen siç janë projektuar në letër. Në Shqipëri ku fondet publike nuk vidhen. Në një Shqipëri ku inxhinierët marrin përgjegjësi dhe nuk bëjnë kompromis me jetën e qytetarëve për disa para më shumë.

Sepse, ashtu si një mjek mund të humbasë një jetë njeriu me një gabim, edhe një inxhinier, me një gabim apo me një kompromis të vetëm, mund të rrezikojë qindra e mijëra njerëz.

Prandaj sot nuk flas vetëm për ëndrrën time. Flas për ëndrrën e çdo të riu shqiptar që meriton të studiojë, të punojë dhe të ndërtojë të ardhmen me meritë.

Për universitete pa nepotizëm! Pa ryshfete! Pa padrejtësi! Pa dekurajimin e talenteve të vërteta!

Le ta ndërtojmë së bashku një Shqipëri ku askush të mos detyrohet të heqë dorë nga ëndrrat e tij vetëm sepse është i ndershëm dhe sepse ka lindur në një familje të varfër.

Si një revolucion shpirtrash të pastër dhe mendjesh të bukura.

Le ta ndërtojmë së bashku!