'Jep dorëheqjen', Qytetari: Rama gjen para për koncerte, jo për pensionistët dhe spitalet

Në ditën e 39-të të protestës, qytetari ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë Rama për përdorimin e fondeve publike, duke e vënë përballë 4 milionë eurot për spektakle me problemet e qytetarëve.

Ai deklaroi se qeveria thotë se nuk ka para për pensionistët, spitalet, fermerët dhe familjet në vështirësi, por fondet gjenden kur bëhet fjalë për evente.

Sipas tij, emergjenca e vërtetë e vendit janë qytetarët që përballen me varfërinë, mungesën e shërbimeve dhe largimin e të rinjve.

“Shqipëria nuk është se s’ka lekë, Shqipëria është e vjedhur”, u shpreh protestuesi, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen.

Pjesë nga fjala e tij:

Shqiptarë! Sot ky kryeministër na thotë që s’ka para. Nuk ka para për pensionistët. Nuk ka para për spitalet. Nuk ka para për fermerët. Nuk ka para për studentët. Nuk ka para për familjet që nuk arrijnë të mbyllin muajin.

Por, kur vjen puna për spektakël, paratë dalin. Se nga dalin, ai e di!

Fondi rezervë është krijuar për emergjencat e qytetarëve. Por më thoni: a ka emergjencë më të madhe se një nënë që nuk ushqen dot fëmijën e saj? A ka emergjencë më të madhe se ai prind që nuk arrin të kurojë fëmijën e tij? A ka emergjencë më të madhe se një i ri që detyrohet të largohet nga Shqipëria për bukën e gojës? A ka emergjencë më të madhe se një pensionist i cili duhet të zgjedhë mes bukës me djathë dhe ilaçeve të tij?

Dhe pikërisht këtu lind pyetja: Çfarë po i bën ky kryeministër këtij populli?

Shqipëria kudo sot kërkon ndihmë. Shqipëria kudo sot është derdhur në shesh. Dhe çfarë po bën kryeministri ynë? Zgjedh të marrë paratë e fondeve të emergjencave dhe t’ua japë për spektakël.

Ne nuk duam të dimë se sa ka kushtuar ky spektakël. Ne duam të dimë sa ka kushtuar shpresa e humbur e këtij brezi!

I drejtohem sot këtij kryeministri dhe i them se shteti është shtet kur asnjë nënë nuk qan për bukën e fëmijëve të saj, kur asnjë i ri nuk ikën nga vendi dhe nuk e braktis atë.

Sot ne nuk protestojmë kundër një muzike, zoti kryeministër. Sot ne protestojmë pikërisht për gjendjen ku ndodhet vendi ynë: për ekonominë, për ata pensionistë që s’kanë bukë të hanë.

Sot ne protestojmë kundër një pushteti që vjedh taksat tona për muzikë.

Shqipëria nuk është se s’ka lekë. Shqipëria është e vjedhur!

Ndaj duhet t’i them kryeministrit se prioriteti i vendit tonë është që këta të rinj të mos largohen, që nënat të kenë bukë për fëmijët e tyre, që pensionistët të dalin dhe të shijojnë jetën si çdo pensionist kudo në botë.

Kjo është Shqipëria që ne duam.

Zoti kryeministër, jep dorëheqjen dhe largohu, sepse nuk përfaqëson më këtë popull!