‘Blindohet’ Parisi për Francë-Marok, masa të jashtëzakonshme për çerekfinalen e Botërorit
Parisi po përgatitet për një natë me tension të lartë përpara çerekfinales së Botërorit 2026 mes Francës dhe Marokut. Autoritetet franceze kanë vendosur një plan të posaçëm sigurie për të shmangur trazirat dhe incidentet që mund të ndodhin para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Sipas të përditshmes ‘Le Parisien’, Prefektura e Policisë së Parisit ka autorizuar përdorimin e dronëve për monitorimin e qytetit, me synimin që festa e futbollit të mos shndërrohet në episode dhune.
Frika e autoriteteve bazohet edhe në precedentët. Pas fitores së Francës ndaj Marokut në gjysmëfinalen e Botërorit 2022, në të gjithë Francën u kryen mbi 266 arrestime, prej të cilave 167 vetëm në Paris.
Masat e reja të sigurisë do të hyjnë në fuqi nga ora 21:00 të së enjtes, një orë para fillimit të ndeshjes. Gjithashtu është ndaluar përdorimi i fishekzjarrëve dhe çdo materiali piroteknik.
Zona e Champs-Élysées, e cila ishte epiqendra e trazirave edhe gjatë festimeve të fundit të Ligës së Kampionëve, do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë. Shumë biznese kanë vendosur barriera mbrojtëse përpara vitrinave të tyre për të shmangur vandalizmin dhe grabitjet.
Autoritetet kanë urdhëruar gjithashtu mbylljen e disa stacioneve të metrosë pranë Champs-Élysées për të kufizuar grumbullimet e mëdha të tifozëve. Në linjën 6 do të mbyllen stacionet mes Charles de Gaulle-Étoile dhe Trocadéro, ndërsa kufizime do të ketë edhe në disa stacione të linjave 8, 9, 12 dhe 14.
Përballja konsiderohet me rrezik të lartë edhe për shkak të komunitetit të madh maroken në Francë. Sipas të dhënave të qeverisë franceze, rreth 300 mijë qytetarë me origjinë marokene jetojnë në zonën metropolitane të Parisit, ndërsa në të gjithë Francën numri i tyre arrin në rreth 2.2 milionë.
Në komunikatën zyrtare, Prefektura e Policisë thekson se gjatë fazave finale të turneve të mëdhenj të futbollit ndodhin shpesh incidente dhe akte dhune. Për këtë arsye, autoritetet kanë vendosur të marrin masa të jashtëzakonshme për të garantuar rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve gjatë një prej ndeshjeve më të ndjeshme të Botërorit.