Manchester United siguron mesfushorin brazilian, marrëveshje prej rreth 60 milionë eurosh me Chelsea-n

Manchester United ka arritur marrëveshjen me Chelsea-n për transferimin e mesfushorit brazilian Andrey Santos. Sipas raportimeve të “The Athletic”, “Djajtë e Kuq” do të paguajnë 48 milionë paundë, plus 2 milionë të tjera në formë bonusesh të arritshme lehtësisht, për një vlerë totale që shkon rreth 58 milionë euro.

Chelsea ka ruajtur gjithashtu një përqindje prej 10% nga një shitje e ardhshme e lojtarit, duke siguruar një përfitim edhe në rast se Santos do të largohet nga “Old Trafford” në të ardhmen.

Mesfushori brazilian, i lindur në vitin 2004, ka gjetur akordin personal me Manchester United dhe ka marrë lejen nga Chelsea për të udhëtuar dhe për të përfunduar transferimin. Santos kishte një kontratë me klubin londinez deri në vitin 2030 dhe ishte kërkuar nga disa skuadra të tjera evropiane.

Me afrimin e tij, United forcon repartin e mesfushës, ku përveç ish-lojtarit të Atalantës, Ederson, do të ketë një tjetër futbollist të kombëtares braziliane. Klubi anglez kërkon gjithashtu të mbushë boshllëkun e lënë nga largimi i Casemiros.

Santos ka zgjedhur Manchester United sepse dëshiron një rol më të rëndësishëm dhe synon të jetë titullar i rregullt, diçka që do të ishte më e vështirë te Chelsea për shkak të konkurrencës së madhe në atë repart. Rinovimi i Moisés Caicedos deri në vitin 2033 dhe numri i madh i mesfushorëve në dispozicion të trajnerit Xabi Alonso e kanë bërë më të vështirë rrugën e brazilianit drejt formacionit bazë në “Stamford Bridge”.

Andrey Santos u bashkua me Chelsea-n në janar të vitit 2023 nga Vasco da Gama. Në sezonin 2025-26 ai zhvilloi 43 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 3 gola dhe duke dhënë 4 asistime.

Mesfushori ka grumbulluar edhe 6 paraqitje me kombëtaren e Brazilit, por nuk u përfshi në listën e trajnerit Carlo Ancelotti për Botërorin e këtij viti.