VIDEO/ Hoxha: Samiti i NATO-s vitin tjetër në Tiranë nuk është 100% i sigurt, çështja mbetet e hapur
Analisti Artan Hoxha, ka komentuar debatin për zhvillimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, duke deklaruar se pavarësisht një vendimi formal në fuqi, çështja mbetet ende e hapur dhe mund të rishikohet gjatë vitit të ardhshëm.
I ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon në SYRI TV, Hoxha u shpreh se deklaratat e bëra lidhe me një diskutim më të gjerë brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Sipas tij, aktualisht ekziston një vendim formal që parashikon zhvillimin e samitit të NATO-s në Tiranë pas një viti, por kjo nuk përjashton mundësinë që organizimi i samiteve të ardhshme të diskutohet sërish.
‘Jo nuk ka të bëjë me Ramën, por Ruth citoi një vendim të kahershëm kur u pyet, ndërsa rezoluta e samitit na tregon që çështja gjithsesi mbetet e hapur.
Pra, kemi një vendim formal në fuqi që mbas një viti NATO do mblidhet në Tiranë, por kemi dhe një çështje të hapur që do shohim si do diskutohet gjatë një viti.
Unë mendoj këtë gjë, që ka rrjedhur në këtë mënyrë: U shkruajt nga mediat ndërkombëtare për hesapet e tyre si një hipotezë që samitet nuk do mbahen më çdo vit, ka pakënaqësi ndaj vendeve të Evropës dhe atëherë samitet nuk do mbahen më as kështu kaq kollaj në Evropë.
Ankaraja bën një përjashtim për Trumpin se ka një marrëdhënie shumë të personalizuar me Erdogan. Tani, një gjë e tillë u komentua dhe në politikën e brendshme.
Mund të jetë komentuar edhe me idenë që ka raporte të vështira me Ramën dhe atëherë Rama i kundërpërgjigjet sot. Të gjitha këto janë në fakt tullumbace, është çështje e brendshme e aleancës dhe jemi në situatën ku zakoni i mbledhjes vit pas viti me rotacion në një nga vendet anëtare, është ende në fuqi.
Pra, deri këtu do të thotë vitin tjetër do t'i kemi liderët e vendeve të NATO-s në Tiranë, por është një çështje e hapur për t'u riparë dhe kemi 12 muaj kohë që kjo gjë të rishikohet. Kjo që tha kryeministri, që e bëri fakt të kryer që 100% vitin tjetër këta do jenë në Tiranë, unë nuk e mendoj që është një ngjarje 100% e sigurt.’, u shpreh Artan Hoxha ndër të tjera në SYRI TV.