Kaso: Përndjekja e liderëve të opozitës dëmton demokracinë. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka ngritur shqetësimin për situatën politike në Shqipëri në një diskutim në Parlamentin Europian, ku ka denoncuar atë që e cilësoi si “kapje të shtetit”, përdorim të institucioneve dhe cenim të standardeve demokratike.
Në fjalën e tij para eurodeputetëve, Kaso falënderoi Parlamentin Europian për mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit, duke theksuar se qytetarët shqiptarë mbeten ndër më pro-europianët në rajon.
Sipas deputetit demokrat, Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demokratike, e cila është reflektuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare.
Ai u ndal veçanërisht te zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke pretenduar se ato u zhvilluan në kushte të pabarabarta mes mazhorancës dhe opozitës.
Kaso akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve shtetërore gjatë fushatës elektorale, presion ndaj administratës publike dhe ndikim të krimit të organizuar në procesin zgjedhor.
Fjala e plotë e deputetit të PD, Ivi Kaso:
Faleminderit, Bashkëkryetarë,
Të nderuar kolegë të Parlamentit Europian,
Së pari, dëshiroj të falënderoj Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë.
Vendi ynë mbetet një nga më pro-evropianët, ku mbi 92% e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE, sepse për ne Europa përfaqëson demokracinë, lirinë dhe shtetin e së drejtës.
Partia Demokratike ka mbështetur gjithmonë integrimin, duke besuar se zgjerimi duhet të bazohet rreptësisht në meritë.
BE-ja ka pranuar vende me sfida ekonomike e sociale, por kurrë një vend ku standardet demokratike minohen në mënyrë sistematike.
Sot, rënia demokratike, kapja e shtetit dhe korrupsioni kanë nxjerrë në protestë paqësore dhjetëra mijëra qytetarë për 38 ditë. Këto shqetësime pasqyrohen qartë në Raportin e ODIHR-it, Rezolutën e Parlamentit Evropian të 17 qershorit 2026, Raportin V-Dem dhe gjetjet e Misionit Faktmbledhës të PPE-së.
Më lejoni të ndalem në dy çështje: zgjedhjet dhe drejtësia.
Së pari, Zgjedhjet dhe standardet demokratike.
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 mbeten një nga sfidat më të mëdha akoma për t’u adresuar. ODIHR, Parlamenti Evropian dhe BE-ja arritën në përfundimin se zgjedhjet u zhvilluan në një "fushë loje thellësisht të pabarabartë" në favor të shumicës qeverisëse. Raportet evidentojnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, presionin ndaj administratës, blerjen e votës dhe ndikimin e krimit të organizuar. Gjatë vitit elektoral, drejtuesit e opozitës u përballën me arrestime dhe procedime penale, duke cenuar rëndë pluralizmin.
Fenomeni më i rëndë ishte rrjeti kombëtar i patronazhistëve. Grumbullimi i paligjshëm i të dhënave personale përmes infrastrukturës shtetërore e shndërroi administratën në një makineri elektorale. Qytetarët u profilizuan dhe u monitoruan, duke përdorur shërbimet publike si instrument kontrolli politik.
ODIHR i referohet gjithashtu rolit të zyrtarëve të lartë në ushtrimin e ndikimit në fushatë. Ndaj ish-Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, SPAK ka ngritur akuza për abuzim me tenderat dhe janë depozituar kallëzime për rrjetin e patronazhistëve në Fier, por deri më sot nuk ka asnjë hetim për këtë sistem. Vetë prokuroria ka pranuar se Kodi Penal nuk ofron bazë të mjaftueshme për ndjekjen e patronazhistëve—një boshllëk që duhet plotësuar urgjentisht dhe që reforma zgjedhore, ashtu si edhe shumë cështje të tjera të mprehta që janë problemet e vërteta të zgjedhjeve nuk ka mundur t’i adresojë akoma. Për më tepër, raporti i PD-së, "The Big Fat Farce", dokumenton 2,543 shkelje zgjedhore, duke dëshmuar se këto praktika janë një fenomen sistemik. Shqipëria ka nevojë për një reformë të mirëfilltë zgjedhore, jo vetëm ndryshime formale.
Së dyti, Drejtësia.
Reforma në drejtësi e vitit 2016 solli ndryshime, por sot sistemi përballet me mbi 200 mijë çështje të prapambetura, ku qytetarët presin deri në 16 vjet për drejtësi. Testi i vërtetë i saj është ndëshkueshmëria në nivelet më të larta. Në rastin e ish-Zëvendëskryeministres Balluku, në vend që të lejonte drejtësinë të vepronte, Kryeministri Rama e mbrojti atë publikisht, duke përdorur 82 deputetë si mburojë politike. Drejtësia nuk mund të jetë selektive, mburojë për pushtetin apo armë kundër opozitës.
Të nderuar kolegë,
Shqipëria po rrëshqet drejt një modeli autoritar. Prandaj, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian:
Të mbajë procesin e anëtarësimit rreptësisht të bazuar në meritë.
Ta kushtëzojë progresin me reforma reale për zgjedhje të lira dhe shtet të së drejtës.
Të angazhohet drejtpërdrejt me opozitën dhe shoqërinë civile.
Qytetarët në protesta kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe një qeveri kujdestare për të garantuar zgjedhje të ndershme. Duke qenë se raportet ndërkombëtare konfirmojnë se nga viti 2013 zgjedhjet nuk janë të barabarta, qeveria kujdestare është një domosdoshmëri demokratike.
Pa zgjedhje të lira nuk ka shtet të së drejtës. Pa drejtësi të pavarur nuk ka demokraci. Dhe pa demokraci nuk mund të ketë një të ardhme europiane.
Ju faleminderit.