Pse Edi Rama nuk po jep dorëheqjen?

Vetëm një figurë e errët në historinë e një kombi mund të jetë indiferent kur populli i ka dalë në rrugë dhe i kërkon dorëheqjen. Mijëra qytetarë paqësorë, një brez i ri i mrekullueshëm, qytetarë atdhetarë që janë mbledhur me një kërkesë të vetme kryesore: Rama ik!

Mbajtësi i pushtetit kryeministror, i cili ka kapur të gjitha pushtetet në Shqipëri, e di mirë që argumenti se është i votuar nga populli dhe ka 83 mandate është një argument propagandistik që vetëm të nënshtruarit pa zë të rilindjes mund ta blejnë. Kur populli masivisht derdhet në rrugë, ekuacioni ndryshon.

Por, Rama i trembur dhe frikacak vazhdon të besojë se ‘ky popull nuk i ngrihet’, duke besuar në sjelljen e një populli të traumatizuar nga diktatura të ndryshme dhe psikologjikisht i shtypur nga pushteti i njëshit. Ai i ka lënë të varfër dhe ka larguar në masë rininë, i ka trullosur duke ju kontrolluar bukën (punën) dhe vjedhur zgjedhjet. Ai është arkitekti i kthimit të Shqipërisë në një narko-shtet për të qenë i fuqishëm financiarisht dhe pasur përkrahjen e krimit të organizuar, që ka gjetur në Shqipëri parajsën e pastrimit të parave dhe kontrollin e tregjeve të drogës. Ata e kanë bërë të fuqishëm për të blerë influencë politike kudo në botë për të marrë përkrahje dhe mbështetje. Ndërkombëtarët kanë kohë që kanë mbyllur sytë ndaj realitetit skandaloz në Shqipëri, të mungesës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të shpartallimit dhe përpjekjes për zhdukje të opozitës. Ata ishin të magjepsur jo vetëm nga shijet estetike të Edi Ramës por edhe kujdesit të vecantë të tij për ta mbajtur në formë këtë marrëdhënie. Prandaj edhe sot, kur populli kërkon largimin e tij, përpiqen të shlyejnë nderin duke i hapur pallatet presidenciale apo këshilluar se cfarë duhet të bëjë.

Sot, Edi Rama e di që është një kufomë politike pa të ardhme, por vazhdon të shpresojë tek miqtë e tij, burokratë lapangjozë të Brukselit apo funksionarë shtetesh që ju ka dhënë pjesë të sovranitetit shqiptar apo influencë politike për axhendat e tyre ballkanike. Ai do të mbyllë sa më shpejt këtë gjendje, por e ka të vështirë nga marrëveshjet e papërfunduara me krimin e organizuar. Ai kërkon ta ndajë ‘revolucionin e flamingove’ nga zemërimi popullor për arrogancën, korrupsionin, shpopullimin, për të treguar se është një lider që di të reflektojë. Atë tashmë e ka tmerruar algoritmi i rrjeteve sociale që ka dalë jashtë kontrollit të tij. Rama do të ishte i kënaqur dhe ndoshta ka qenë pjesë e skenarit, që cështja e rezortit të Zvërnecit të ishte pjesë e diskutimit të medias ndërkombëtare ku të kryqëzohej Kushner dhe familja presidenciale dhe ai të ishte lideri që gjente gjuhën me flamingot. Kështu ai do të portretizohej si viktimë dhe do të kërkonte mbrojtjen e administratës amerikane dhe nga ana tjetër do të kënaqte Alexin për ta bërë këtë cështje një kalë beteje për zgjedhjet e mes-mandatit në SHBA. Prandaj nga grupet e ndryshme të protestuesve, aktivistët e ‘Shoqërisë së Hapur’ janë nga më aktivët në protestë. Në mediat ndërkombëtare më shumë flitej për Kushner dhe fajet e tij se sa për diktatorin sharlatan të Tiranës që e vodhi popullin e tij, mjeroi vendin dhe punoi ngushtë me mafian për ta kthyer Shqipërinë në një narko-shtet. Ata vazhdojnë të qeshin me atletet e tij të bardha në Samite, të merren me ekstravagancën e tij, kur dihet që po atë ditë ai harxhon 4.5 milion dollarë nga fondet rezervë të shtetit për të kënaqur egon e tij personale.

Në kushtet e sotme të një proteste mbarëkombëtare, keqpërdorimet e Ramës për tu vetë-evidentuar si ‘lider global’ kanë marrë fund. Ai është para ditës së gjykimit të madh, të cilin nuk mund ta shmangë. Heqja e tij është një imperativë për të ardhmen e Shqipërisë.

Prandaj protesta duhet të vazhdojë dhe të përshkallëzohet pa hequr vëmendjen nga kërkesat kryesore dhe mbi të gjitha heqjen e Ramës. Shpërqëndrimi me veprime të tjera politike dobëson protestën dhe krijon ndarje. Gjarprit duhet ti shtypet koka dhe sot i kemi prerë vetëm bishtin.