Theu krahun duke festuar, mesfushori i Anglisë i nënshtrohet me sukses operacionit

Jordan Henderson ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi theu krahun gjatë festimeve të fitores së Anglisë ndaj Meksikës në Botërorin 2026.

Mesfushori i Brentfordit pësoi një dëmtim të pazakontë pasi u rrëzua keq teksa tentoi të kalonte mbi barrierat reklamuese anash fushës, gjatë festimeve me tifozët pas ndeshjes. Henderson nuk ishte aktivizuar në atë takim, por u largua nga fusha me barelë dhe mori oksigjen pas incidentit.

Futbollisti anglez bëri të ditur në rrjetet sociale se operacioni u krye me sukses në Kansas City, aty ku kombëtarja angleze ka bazën e saj gjatë gjithë periudhës së Botërorit.

“Operacioni u krye! Tani le të përgatitemi për ndeshjen e madhe të së shtunës”, shkroi Henderson në Instagram. Ai falënderoi gjithashtu stafin mjekësor që u kujdes për të në Kansas City Orthopaedic Institute, veçanërisht tre kirurgët që realizuan ndërhyrjen.

Pavarësisht dëmtimit, 36-vjeçari do të qëndrojë me skuadrën angleze gjatë gjithë turneut dhe do të jetë pranë grupit teksa lojtarët përgatiten për çerekfinalen ndaj Norvegjisë, që do të zhvillohet të shtunën në Miami.

Henderson ka luajtur një ndeshje në këtë Botëror, duke u aktivizuar si zëvendësues në fitoren 2-0 të Anglisë ndaj Panamasë në fazën e grupeve. Me atë paraqitje, ai u bë lojtari i parë anglez në historinë e futbollit që merr pjesë në katër edicione të Kupës së Botës.

Pas çdo fitoreje në turne, lojtarët e Anglisë janë afruar te tifozët për të festuar dhe kënduar së bashku me ta. Megjithatë, pas dëmtimit të Hendersonit, trajneri Thomas Tuchel pritet t’u kërkojë futbollistëve të shmangin kalimin mbi barrierat reklamuese, për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.