Paratë e shqiptarëve nuk janë para xhepi të Edi Ramës dhe Blendi Gonxhes!
Nga Franci Nuri
Si Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike, shpreh shqetësimin tim më të madh për një nga precedentët më të rrezikshëm të abuzimit me pushtetin, me Kushtetutën, me ligjin dhe me buxhetin e shtetit.
Me një akt normativ të miratuar me urgjencë, Edi Rama dhe Blendi Gonxhja (si propozues) vendosin t’i japin rreth 4.3 milionë euro para publike një koncerti privat, që pritet të mbahet pas 3 ditësh.
Nuk gjykoj se është thjesht papërgjegjshmëri politike. Kjo mendoj se është shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese, abuzim me detyrën dhe përdorim i buxhetit të shtetit sikur të ishte portofoli personal i qeverisë.
Në Shqipëri spitalet kanë mungesa medikamentesh jetike. Pacientët përballen çdo ditë me mungesë ilaçesh, aparaturash moderne dhe shërbimesh bazë.
Në Shqipëri nuk kemi ende kapacitete ajrore për shuarjen e zjarreve. Zjarrfikësit punojnë me mjete të vjetruara, pa pajisje moderne që u duhen për të shpëtuar jetë, banesa dhe prona.
Në Shqipëri përmbytemi të paktën dy herë në vit nga shirat, sepse infrastruktura dhe emergjencat civile janë lënë në harresë.
Fermerët nuk marrin mbështetjen që meritojnë. Pensionistët po mbijetojnë me çmime të papërballueshme. Familjet shqiptare po përballen me kosto jetese që rriten çdo ditë.
Dhe në këtë realitet, Edi Rama dhe ministrat e vet, gjejnë urgjencë kushtetuese jo për spitalet, jo për zjarrfikëset, jo për fermerët, jo për pensionistët, jo për fëmijët, jo për arsimin, por për të shpëtuar një koncert privat ‘nga dështimi’.
Kjo është e papranueshme në çfarëdo kuptimi!
Nëse sot qeveria financon me miliona euro një koncert privat sepse nuk po ecën siç duhet shitja e biletave, atëherë çfarë do të ndodhë nesër? A do të ngrihen artistë të tjerë dhe do të kërkojnë para publike sepse nuk shesin dot bileta?
A do të ndihmohet Noizy për të mbushur stadiumet?
A do t’i jepet edhe Clevios ndonjë dorë për koncertet?
A do të kthehet buxheti i shtetit në fond shpëtimi për çdo event privat që dështon financiarisht?
Ky është precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Shteti nuk mund të socializojë humbjet private. Shteti nuk mund të marrë paratë e taksapaguesve shqiptarë për të mbuluar riskun tregtar të subjekteve private.
Shteti nuk mund të përdorë aktin normativ për të shmangur Kuvendin, transparencën, debatin publik dhe kontrollin parlamentar.
Neni 101 i Kushtetutës parashikon aktin normativ vetëm në rast nevoje dhe urgjence për interes publik dhe emergjent. Një koncert privat nuk është emergjencë kushtetuese dhe as publike. Mosshitja e biletave nuk është fatkeqësi natyrore as publike, aq më pak e paparashikueshme. Dështimi tregtar i një eventi nuk është interes publik. Tregu i rregullon vetë gjërat.
Për këtë arsye, gjykoj se Partia Demokratike duhet t’ia përcjellë me urgjencë në SPAK kallëzimin penal për këtë rast, ndaj çdo funksionari publik që ka propozuar, miratuar, firmosur, zbatuar apo mbrojtur këtë vendimmarrje.
SPAK duhet të hetojë menjëherë:
-Kush e kërkoi fondin?
-Kush e propozoi?
-Kush e miratoi?
- Kush përfiton?
- Ku do të shkojnë konkretisht paratë?
- A janë përdorur fondet publike për të mbuluar bileta të pashitura, kontrata private, pagesa artistësh, marketing, logjistikë apo humbje tregtare?
Shqiptarët nuk mund të trajtohen më si arkë pa fund për kapriçot, propagandën dhe qejfet e kësaj qeverie.
Paratë tona nuk mund të hidhen ku të duan dhe si të duan ata që kemi fatkeqësinë të na qeverisin ende.
Boll është boll. Kupa është mbushur.
*Drejtues i Departamentit të Drejtësisë, Partia Demokratike