4.3 milionë euro për një koncert, Teliti: Qeveria zhvat fondet e emergjencave për një aktivitet privat

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, foli mbi skandalin e financimit me 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit për koncertin e reperit amerikan Kanye West, ku u shpreh se bëhet fjalë për një skandal të përmasave të mëdha financiare dhe për një përdorim të paprecedentë të fondeve publike për një aktivitet privat.

Teliti deklaroi se vendimi i qeverisë për të kaluar këto para përmes një akti normativ bie ndesh, me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Ligjin Organik të Buxhetit dhe ligjin vjetor të buxhetit. Ai theksoi se përdorimi i Fondit Rezervë të shtetit, i cili sipas tij është krijuar për situata të jashtëzakonshme dhe të paparashikuara, nuk mund të justifikohet për financimin e një koncerti privat.

Sipas Telitit, fondi rezervë prej rreth 30 milionë eurosh duhet të përdoret për emergjenca si fatkeqësi natyrore, ndërhyrje të domosdoshme publike apo situata që nuk mund të parashikohen në buxhetin vjetor, ndërsa në këtë rast mungojnë elementët bazë të urgjencës, paparashikueshmërisë dhe interesit publik.

Duke folur për interesin e ulët të publikut dhe shitjen e biletave, Teliti tha se po përdoren struktura të administratës dhe institucione publike për të siguruar pjesëmarrjen në koncert, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbuluar dështimin e organizimit.

Ai kërkoi ndërhyrjen urgjente të Prokurorisë për nisjen e një hetimi penal ndaj personave dhe institucioneve që kanë propozuar, miratuar dhe autorizuar këtë financim, duke përmendur Ministrinë e Financave, Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë.

Pjesë nga deklarata:

Jemi në kuadër të një skandali të tmerrshëm financiar. Fillon që nga shkelja e hapur e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vazhdon me shkeljen e ligjit organik të buxhetit dhe më pas me shkeljen e ligjit vjetor aktual të buxhetit. Të trija këto akte, Kushtetuta, ligji organik dhe ligji i këtij viti, janë shkelur hapur, në dritën e diellit, pa asnjë ndrojtje nga ana e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit, i cili mirë që po jep paratë, por del pastaj dhe sulmon njerëzit të cilët ankohen për këtë shpërdorim antikushtetues dhe antimoral të parasë publike.

Shiko, ky është një aktivitet privat. Biznese private në Shqipëri janë mbi 110.000. Qeveria shkon dhe merr paratë e buxhetit të shtetit me gjoja justifikimin për promovimin e turizmit, për t'ia dhënë kompanisë e cila administron koncertin.

Të marrësh para nga buxheti i shtetit për të promovuar turizmin është praktikë e njohur, është praktikë 30-vjeçare. Por t'i japësh një kompanie paratë e buxhetit të shtetit për një aktivitet privat që nuk ka lidhje me turizmin shqiptar, kjo është diçka që nuk qëndron as në tokë dhe as në qiell.

Është një skandal i përmasave galopante financiare, ku prokuroria urgjentisht duhet të ndërhyjë, sepse është shkelje e hapur e ligjit dhe ky akt normativ duhet një orë e më parë ndaluar.

T'ua kalojmë organizatorëve këto 4.3 milionë euro, të cilat hiqen nga paratë e fondit rezervë të buxhetit të shtetit.

Për qytetarët që na ndjekin, fondi rezervë i buxhetit të shtetit është një fond prej pothuajse 30 milionë eurosh, i destinuar për shpenzime të një nevojshmërie të lartë që nuk mund të parashikoheshin, si fatkeqësi, rikonstruksione emergjente, sëmundje apo projekte emergjente.

Pra, janë gjëra që nuk parashikoheshin dot nga buxheti bazë i shtetit dhe që janë të një nevojshmërie tejet të lartë. Tani më thoni: ku qëndron urgjenca, nevojshmëria, paparashikueshmëria dhe interesi publik?

Asnjë nga këto elemente, të shkruara në Kushtetutë dhe në ligjin organik të buxhetit të shtetit, nuk janë marrë parasysh. Janë thjesht justifikime që përdor kryeministri për gjoja promovimin e turizmit dhe kulturës shqiptare.

Këngëtarë ka plot në botë. Ata vijnë, këndojnë, bëjnë punën e tyre, paguhen dhe marrin fitimet. Njerëzit duan të shkojnë, s'duan të shkojnë, është zgjedhja e tyre.

Fakti që nuk janë shitur biletat e një koncerti, çfarë do të thotë? Do të thotë që do të angazhohet buxheti i shtetit? Ku e kanë këtë të drejtë këta që të marrin paratë e shqiptarëve dhe të heqin 4.3 milionë euro për t'ia dhënë një kompanie që menaxhon një koncert tërësisht privat?

Nuk mundet qeveria shqiptare, për këtë apo për çdo koncert tjetër, që janë marrëdhënie private midis organizatorëve dhe atyre që blejnë biletat, të ndërhyjë dhe të japë para buxhetore. Është shkelje e hapur e ligjit. Provat janë atje, faktet janë aty.

Duhet urgjentisht të hapet procedimi penal ndaj atyre që e kanë propozuar, nga Ministria e Financave, ndaj atyre që e kanë miratuar, Këshilli i Ministrave, dhe ndaj miratuesit final, Kuvendit të Shqipërisë.

Skandal i përmasave financiare. Kemi parë me dhjetëra, me qindra skandale në këto vite, por ky është një skandal i radhës, akoma dhe më galopant, duke u përfshirë dhe vetë fondi rezervë, i cili është për ngjarje të jashtëzakonshme dhe të paparashikuara.

Shteti mund të ndërhyjë vetëm nëse është aktivitet shtetëror. Nëse do të ishte koncert i organizuar nga Ministria e Turizmit, atëherë po, mund të ndërhyjë buxheti i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Por ky nuk është aktivitet shtetëror. Ç'lidhje kemi ne, si buxhet i shtetit, si qeveri, si shtet, me një aktivitet privat?

Nëse meraku i kryeministrit qenka imazhi i Shqipërisë, duhet t'i bëjmë me dije se imazhi i Shqipërisë nuk rregullohet me një koncert. Ai lidhet me korrupsionin, mungesën e investimeve të huaja, largimin masiv të shqiptarëve, problemet e bizneseve dhe dështimin e projekteve si aeroporti i Kukësit dhe porti i Durrësit.