Rivaldo për rivalitetin Messi-Ronaldo: Duhet të dimë të admirojmë madhështinë
Legjenda e futbollit brazilian, Rivaldo, ka befasuar me komentet e tij plot vlerësim për Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. Ish-ylli i kombëtares së Brazilit përdori rrjetet sociale për të lavdëruar kapitenin e Argjentinës dhe paraqitjen e “Albiceleste” në Botërorin 2026, pas përmbysjes spektakolare ndaj Egjiptit me rezultatin 3-2 në fazën e 1/8-ave.
Rivaldo vlerësoi mbi të gjitha karakterin dhe shpirtin luftarak të skuadrës argjentinase. “Çfarë grinte, çfarë dëshire për të fituar, çfarë lufte dhe përkushtimi nga të gjithë! Kjo është ajo që tifozët presin të shohin në fushë në një Botëror”, shkroi braziliani.
Pavarësisht rivalitetit historik mes Brazilit dhe Argjentinës, Rivaldo nuk kurseu elozhet për Messin, duke theksuar edhe një herë madhështinë e tij në moshën 39-vjeçare.
“Çfarë lojtari! Në moshën 39-vjeçare, duke luajtur Botërorin e tij të gjashtë, ai vazhdon të tregojë të njëjtin pasion për fanellën e Argjentinës: emocionohet, lufton, qan dhe edhe një herë tjetër bëhet vendimtar”, u shpreh ish-sulmuesi brazilian.
Rivaldo theksoi se rivaliteti sportiv nuk duhet të pengojë vlerësimin për një lojtar të madh. “Jam brazilian, e dua vendin tim dhe gjithmonë do të mbështes kombëtaren tonë. Rivaliteti është pjesë e futbollit, por di të njoh dhe të admiroj kur shoh një ndeshje të madhe dhe një ekip që jep gjithçka në fushë”, shkroi ai.
Më herët, Rivaldo i ishte drejtuar edhe drejtpërdrejt Messit me një mesazh admirimi: “Me gjithë respektin, Messi, ajo që bën në fushë është diçka nga një botë tjetër”.
Por vlerësimet e brazilianit nuk u ndalën vetëm te argjentinasi. Ai foli edhe për Cristiano Ronaldon, duke e cilësuar portugezin një figurë historike të Kupës së Botës.
“Gjatë gjithë karrierës së tij, Cristiano ka ndërtuar një histori që shërben si frymëzim për sportistë të të gjithë brezave. Talenti i tij është i jashtëzakonshëm, por më mbresëlënëse është aftësia e tij për t’u rikrijuar, për të tejkaluar veten dhe për të vazhduar të konkurrojë në nivelin më të lartë vit pas viti”, deklaroi Rivaldo.
Sa i përket eliminimit të Brazilit nga Norvegjia, ish-futbollisti mendon se Vinicius Junior duhej të kishte marrë përsipër ekzekutimin e penalltisë së humbur nga Bruno Guimarães dhe se Neymar mund të kishte luajtur më shumë minuta. Megjithatë, ai la një mesazh optimizmi: “Brazili nuk dorëzohet kurrë”.