Djokovic si Messi: Do të doja të luaja vetëm 90 minuta si ai!

Novak Djokovic ka bërë një krahasim me Lionel Messin pas një prej fitoreve më epike të karrierës së tij në Wimbledon. Tenisti serb, në moshën 39-vjeçare, qëndroi në fushë për 5 orë e 15 minuta për të mposhtur kanadezin Felix Auger-Aliassime dhe për të siguruar një vend në gjysmëfinale.

Djokovic triumfoi pas një beteje të jashtëzakonshme me rezultatin 7-6(10), 3-6, 6-3, 6-7(4), 7-6(4), në ndeshjen më të gjatë të zhvilluar ndonjëherë në këtë fazë të turneut. Në të njëjtën ditë, një tjetër legjendë e sportit, Lionel Messi, gjithashtu 39 vjeç, udhëhoqi Argjentinën drejt fitores ndaj Egjiptit në Botërorin 2026.

Pas ndeshjes, Djokovic u pyet për aftësinë e tij për të përballuar një kundërshtar 14 vite më të ri dhe për jetëgjatësinë sportive të tij dhe Messit. Përgjigjja e serbit erdhi me humor: “Do të doja të luaja vetëm 90 minuta si ai!”

Duke folur për sfidën ndaj Auger-Aliassime, Djokovic pranoi se fitorja kërkoi shumë sakrificë dhe përqendrim. “E fitova këtë ndeshje me raketë dhe me shumë zemër. M’u desh të menaxhoja shumë nervozizmin dhe tensionin ekstrem që ndien në këto përballje”, tha ai.

“Afër fundit ndeshja mund të shkonte në cilindo krah. Mendoj se rezultati ishte i ekuilibruar nga fillimi deri në fund dhe kjo ishte një pasqyrë reale e asaj që ndodhi në fushë. Në super tie-break mund të fitonte secili”, shtoi tenisti serb.

Djokovic theksoi se pikërisht momente të tilla e motivojnë të vazhdojë karrierën. “Janë këto momente që më bëjnë të vazhdoj të luaj tenis. Do të doja të ishte finalja, që të mos shqetësohesha për gjendjen e trupit tim nesër, por jam shumë i lumtur që fitova. Një fitore e tillë ka pa dyshim një kuptim më të madh”.

Serbi tregoi edhe një moment të veçantë me familjen e tij. “U thashë fëmijëve të mi të shkonin të flinin pas setit të katërt, por ata nuk deshën të më dëgjonin. Jam i lumtur që qëndruan, sepse sinqerisht ishte një nga ndeshjet më të mira që kam luajtur ndonjëherë në këtë fushë”.

Me këtë sukses, Djokovic siguroi gjysmëfinalen e 15-të në Wimbledon dhe të 55-ën në turnetë Grand Slam. Megjithatë, ai mbetet i fokusuar te sfida e radhës ndaj Jannik Sinner.

“Numrat janë të bukur, por për mua kjo është vetëm një tjetër gjysmëfinale. Do t’i shoh të gjitha statistikat kur të përfundoj karrierën. Tani për tani është vetëm punë. Duhet të rikuperohem, jam ende në turne dhe pas pak ditësh do të përballem me lojtarin më të mirë në botë”, përfundoi Djokovic.