Bardhi në PE: Kuvendi u shërben ligjeve korruptive, mbrojtja politike e korrupsionit pengon integrimin

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës dhe mënyrës së funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë gjatë fjalës së mbajtur në takimin e përbashkët BE–Shqipëri në Parlamentin Europian.

Bardhi deklaroi se Parlamenti shqiptar është shndërruar në një institucion që  nuk ushtron më rolin kushtetues të kontrollit ndaj qeverisë, por vepron si një noter i vendimeve të saj, duke i shërbyer vetëm miratimit të ligjeve që favorizojnë korrupsionin dhe mbrojtjen politike të zyrtarëve të lartë.

Ai theksoi se, opozitës i mohohet sistematikisht e drejta për të ushtruar funksionet kushtetuese, ndërsa nismat ligjore, kërkesat për interpelanca me Kryeministrin dhe komisionet hetimore parlamentare refuzohen nga shumica.

Në fjalën e tij, Bardhi solli si shembull refuzimin e Kuvendit për të zhvilluar një debat mbi Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke argumentuar se mazhoranca po injoron rekomandimet e partnerëve europianë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Ai akuzoi gjithashtu shumicën parlamentare se ka dobësuar mekanizmat e mbikëqyrjes së procesit të integrimit europian dhe se, përmes mbrojtjes politike të zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, po dëmton besueshmërinë e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Sipas Bardhit, një Parlament që nuk kontrollon qeverinë, nuk garanton llogaridhënie dhe nuk ushtron funksionet e tij kushtetuese nuk mund të konsiderohet një parlament që funksionon sipas standardeve europiane.

Fjala e plotë:

Të nderuar kolegë,

Si shumica prej jush në këtë sallë, edhe unë besoj se mënyra se si funksionon një Parlament nuk përcakton vetëm cilësinë e procesit të integrimit europian. Ajo përcakton cilësinë e vetë demokracisë.

Fatkeqësisht, në Shqipëri ky raport është përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme. Parlamenti po largohet çdo ditë e më shumë nga funksioni i tij kushtetues si institucion kontrolli dhe mbikëqyrjeje, për t'u reduktuar në një noter të vendimeve të qeverisë.

Vetëm pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë dha demonstrimin më të qartë të këtij përkeqësimi institucional, një zhvillim që nuk përputhet me standardet europiane të funksionimit të institucioneve demokratike.

Me forcën e kartonit, shumica parlamentare refuzoi debatin e kërkuar nga opozita mbi Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, që ngre edhe shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike.

Sot Parlamenti shqiptar nuk e udhëheq procesin e integrimit europian, sepse nuk ushtron më funksionet kushtetuese për të cilat është zgjedhur:

nuk merr nisma ligjvënëse,

nuk siguron llogaridhënie të qeverisë

dhe nuk ushtron kontroll e mbikëqyrje efektive.

Por problemi është edhe më i thellë. Shumica parlamentare jo vetëm që e ka zhveshur Parlamentin nga këto funksione, por i mohon edhe opozitës të drejtën për t'i ushtruar ato.

Së pari, Parlamenti nuk merr në shqyrtim nismat e opozitës. Pas Rezolutës së fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, opozita vendosi t’i kthejë një pjesë të rekomandimeve të saj në nisma konkrete ligjore. Asnjëra prej tyre nuk përfshihet në shqyrtim.

Së dyti, Parlamenti nuk kontrollon qeverinë. Instrumenti më i drejtpërdrejtë i llogaridhënies është interpelanca me Kryeministrin.

Gjatë këtij sesioni parlamentar, opozita ka kërkuar 11 interpelanca me Kryeministrin. Asnjëra nuk është zhvilluar, sepse kryeminitri refuzon te jap llogari per aktet qe mbajne firmen e  tij.   Zero në 11 interpelanca të kërkuara.

Pa llogaridhënie parlamentare nuk mund të ketë as shtet të së drejtës, as institucione demokratike që funksionojnë sipas standardeve europiane, as integrim në Bashkimin Europian.

Por kontrolli parlamentar nuk është i vetmi funksion kushtetues që është dobësuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me funksionin mbikëqyrës të Parlamentit, veçanërisht në procesin e integrimit europian.

Komisioni për Integrimin Europian u bashkua me Komisionin e Politikës së Jashtme dhe drejtimi iu rikthye shumicës.

Kështu u zhduk i vetmi mekanizëm institucional që garantonte një mbikëqyrje të pavarur parlamentare mbi procesin e negociatave dhe përfshirjen e opozitës.

E njëjta logjikë është ndjekur edhe ndaj instrumenteve të tjera të kontrollit.

Pesë kërkesa të opozitës për komisione hetimore parlamentare janë refuzuar të gjitha.

Në vend që të luaj rol në përshpejtimin e procesit të integrimit, Parlamenti përmes veprimeve të tij po bëhet pengesë. Më lejoni tju sjell në vëmendje vendimin e Parlamentit për të mos i hequr imunitetin Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të akuzuar nga SPAK për paracaktim të tenderave, korrupsion dhe pastrim parash. Mbrojtja politike e korrupsionit të zyratrëve të lartë, nuk e ndihmon integrimin, por e vështirëson atë.

Të nderuar kolegë,

Procesi i integrimit europian nuk matet vetëm me ligjet që miratohen apo me kapitujt që hapen, diksutohen dhe mbyllen.

Ai matet edhe me mënyrën se si funksionojnë institucionet demokratike.

Një Parlament që nuk merr nisma, nuk kontrollon qeverinë dhe nuk ushtron mbikëqyrje, ai nuk kryen funksionin për të cilin është zgjedhur.

Mund t’i vendosim shumë emra këtij institucioni: sekretariat i ekzekutivit, zyrë protokolli apo noter i qeverisë.

Por nuk mund ta quajmë Parlament në kuptimin europian të fjalës.

Në fillim të fjalës sime shpreha bindjen se mënyra se si funksionon një Parlament përcakton cilësinë e demokracisë. Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për më shumë kapituj të hapur. Ka nevojë për një Parlament që ushtron plotësisht funksionet e tij kushtetuese. Që ka rol në procesin e integrimit. Sepse vetëm atëherë procesi i integrimit do të jetë jo vetëm më i shpejtë, por edhe më i besueshëm.

Ju faleminderit.