Kamioni me inerte përmbyset në aksin Elbasan–Peqin, vështirësi në qarkullim
Një kamion i ngarkuar me inerte është përmbysur këtë të mërkurë në aksin rrugor Elbasan–Peqin, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se kamioni i përket një prej kompanive të angazhuara në punimet për ndërtimin e Korridorit VIII. Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat që çuan në përmbysjen e mjetit, ndërsa shkaku i aksidentit mbetet objekt hetimi.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe po menaxhojnë qarkullimin për të shmangur bllokimin e trafikut në këtë segment rrugor.
Deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar për persona të lënduar, ndërsa pritet një reagim nga autoritetet për më shumë detaje mbi aksidentin.