SYRI TV/ Punonjësit shqiptarë zëvendësohen nga të huajt, filipinasit e indianët pushtojnë tregun e punës

Mungesa e fuqisë punëtore vendase sa vjen e thellohet për shkak të emigrimit masiv, duke bërë që bizneset shqiptare të kërkojnë gjithnjë e më shumë staf jashtë vendit. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm prania e punonjësve të huaj, veçanërisht në sektorë si shërbimet, industria dhe bujqësia. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, në total për vitin 2025 lejet e punës për të huajt janë rritur me 43%.

Bizneset shqiptare po kërkojnë gjithnjë e më shumë staf jashtë vendit, pasi mungesa e fuqisë punëtore vendase sa vjen e thellohet, për shkak të emigrimit masiv. Kryesisht moshat e reja e të mesme zgjedhin të largohen jashtë vendit për shkak të keqqeverisjes, çka ka bërë që në Shqipëri të punësohen më shumë të huaj.

Sipas Monitor, evidentohet se vitet e fundit është rritur ndjeshëm prania e punonjësve të huaj, veçanërisht nga vendet aziatike, në sektorë si shërbimet, industria dhe bujqësia. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në total për vitin 2025 janë miratuar online 18,156 kërkesa punësimi për shtetas të huaj. Krahasuar me vitin paraardhës numri i tyre u rrit me 43.4%. Sipas AKPA, 14 mijë leje pune për shtetasit e huaj u dhanë për herë të parë në 2025-n, duke treguar fluksin e lartë të të huajve që po vijnë të punojnë në vend. Për vitin 2025 shtimi më i lartë i kërkesave ishte për të punësuarit nga Filipinet dhe India, ku përkatësisht 18% e kërkesave për punësime të miratuara online nga AKPA ishin nga Filipinet dhe 18% nga India. Në 2025, u dhanë 3,251 leje pune për shtetas indianë, gati dy herë më shumë se një vit më parë dhe 3279 leje për shtetas nga Filipinet. Gjithashtu janë miratuar edhe kërkesa të lejeve të punës për shtetas nga Egjipti që zunë 15% të totalit, ndërsa nga Turqia 9%, Kosova 4% dhe Italia 3%.

Po ashtu vihet re një rritje e numrit të shtetasve nga Kosova dhe Italia të pajisur me leje qëndrimi në vendin tonë, pasi për këto dy shtete ndiqen procedura më të lehtësuara për punësimin. Në 2025 sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, numri i shtetasve nga Kosova të pajisur me leje qëndrimi në vend arriti në 6,076 banorë, që përbën rreth 22% të totalit. Krahasuar me 2024 numri i tyre u rrit 32%. Pas Kosovës numri më i lartë i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi në 2025 ishte nga Italia me 3,776 persona që përbëjnë 14% të totalit të të huajve dhe krahasuar me 2024 numri i tyre u rrit 75%.

Të huajt punësohen në profesione të ndryshme, nga kamerierë e punonjës mirëmbajtjeje deri te inxhinierë dhe kujdestarë fëmijësh e të moshuarish, duke u bërë pjesë gjithnjë e më e dukshme e tregut shqiptar të punës.