Zyrtare: Zlatko Dalic largohet nga Kroacia
Zlatko Dalic nuk do të jetë më trajner i Kombëtares së Kroacisë. Federata Kroate e Futbollit ka konfirmuar se 59-vjeçari ka vendosur t'i japë fund aventurës së tij pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, duke mbyllur një kapitull historik për futbollin kroat.
Dalic ia komunikoi vendimin presidentit të Federatës, Marijan Kustic, pas një takimi mes palëve, duke i dhënë fund një periudhe gati nëntëvjeçare në krye të kombëtares.
I emëruar në vitin 2017, ai u bë trajneri më i suksesshëm në historinë e Kroacisë.
Nën drejtimin e tij, kroatët fituan medaljen e argjendtë në Kupën e Botës 2018, medaljen e bronztë në Botërorin 2022 dhe medaljen e argjendtë në Ligën e Kombeve në vitin 2023. Po ashtu, ai e kualifikoi ekipin në Evropianët 2020 dhe 2024, si edhe në Botërorin 2026.
"Nuk ka nder më të madh sesa të drejtosh kombëtaren tënde. Kur mora këtë detyrë nuk e imagjinoja se do të arrinim gjithë këto suksese", deklaroi Dalic.
Tekniku kroat theksoi se krenaria e tij më e madhe nuk janë vetëm trofetë dhe medaljet, por edhe lidhja e krijuar mes kombëtares dhe tifozëve, ndërsa falënderoi të gjithë futbollistët, me një vlerësim të veçantë për Luka Modric dhe brezin që e çoi Kroacinë në finalen e Botërorit 2018.
"Mbështetja që mora ditët e fundit më bëri ta rishqyrtoj vendimin, por besoj se ka ardhur koha. Edhe pse kam ende ambicie, ky është momenti i duhur për ta mbyllur këtë epokë të jashtëzakonshme", u shpreh ai.