'Pensionistët numërojnë qindarkat, qeveria financon luksin'/ Haxhiu: Emergjenca e Shqipërisë është varfëria, jo koncertet
Deputetja e Partisë së Lirisë, Burnilda Haxhiu, akuzoi qeverinë se po keqpërdor fondet publike, duke deklaruar se 4.2 milionë euro nga fondi i emergjencave janë destinuar për koncertin e Kanye West, në vend që të investohen në shëndetësi, arsim, bujqësi dhe mbështetje për shtresat në nevojë.
Në një deklaratë për mediat, Haxhiu tha se emergjenca e vërtetë në Shqipëri është varfëria, emigrimi i të rinjve, gjendja e pensionistëve, mungesa e mbështetjes për fermerët dhe problemet në spitale e shkolla. Sipas saj, qeveria ka vendosur propagandën dhe spektaklin përpara nevojave të qytetarëve.
Deputetja e PL-së theksoi se fondi i emergjencave është krijuar për fatkeqësi natyrore dhe situata të jashtëzakonshme, jo për financimin e koncerteve, ndërsa kërkoi transparencë të plotë mbi vendimin, publikimin e dokumentacionit përkatës dhe mbajtjen e përgjegjësisë politike e ligjore për përdorimin e këtyre fondeve.
Haxhiu u shpreh se paratë e taksapaguesve duhet të përdoren për investime publike dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke e cilësuar financimin e koncertit si një shembull të humbjes së prioriteteve nga ana e qeverisë.
Deklarata e Haxhiut:
Emergjencë është varfëria që prek mijëra familje. Emergjencë janë pensionistët që detyrohen të zgjedhin mes ushqimit dhe ilaçeve. Emergjencë janë të rinjtë që largohen çdo ditë nga vendi sepse nuk shohin asnjë mundësi për të ndërtuar jetën e tyre këtu. Emergjencë janë fermerët që prodhojnë me kosto gjithnjë e më të larta dhe nuk marrin mbështetjen që meritojnë. Emergjenca janë bizneset e vogla që përballen me taksa dhe kosto në rritje.
Emergjenca janë spitalet që vuajnë nga mungesa e investimeve dhe ilaçeve dhe shkollat që kanë nevojë për kushte më të mira. Megjithatë, për qeverinë prioritet duket se është propaganda. Në vend që fondet publike të shkojnë aty ku ka më shumë nevojë, ato përdoren për të krijuar fasadën e suksesit. Për të organizuar aktivitete luksoze dhe për të ndërtuar spektakle që nuk zgjidhin asnjë nga problemet reale të shqiptarëve. Ky është kulmi i arrogancës së pushtetit. Ky është i njëjti kryeministër që u premtoi shqiptarëve se nuk do të kishte financim me para publike. Sot, faktet tregojnë të kundërtën. Jo vetëm që janë përdorur para publike, por ato janë marrë pikërisht nga fondi i emergjencave.
Një fond që ekziston për raste fatkeqësish natyrore, kriza kombëtare, situata të jashtëzakonshme dhe nevoja urgjente të qytetarëve. Jo për koncerte, evente dhe propagandë politike. Fondi i emergjencave nuk është një arkë rezervë për dëshirat e qeverisë. Ai është një fond i krijuar për momentet kur qytetarët kanë më shumë nevojë për shtetin. Kur ndodhin përmbytje, tërmete, zjarre, epidemi apo kriza të tjera që rrezikojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Përdorimi i tij për një aktivitet që nuk ka lidhje me emergjencat ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si administrohen paratë publike dhe mbi respektin që kjo qeveri ka ndaj ligjit dhe interesit publik. Ndërsa spitalet përballen me mungesë pajisjesh, mungesë ilaçesh dhe personeli mjekësor, qeveria financon skena. Ndërsa shkollat kanë nevojë për laboratorë, biblioteka, infrastrukturë dhe kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit, qeveria financon spektakle.
Ndërsa fermerët braktisin tokat sepse nuk marrin subvencionet dhe mbështetjen që u nevojitet për të konkuruar, qeveria financon koncerte. Ndërsa pensionistët numërojnë qindarkat për të blerë ilaçet dhe për të përballuar jetesën, qeveria shpërndan miliona euro për luks. Ndërsa të rinjtë largohen nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë, qeveria investon në aktivitete që zgjasin vetëm disa orë, por kushtojnë miliona. Ndërsa familjet shqiptare përballen me rritjen e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe shërbimeve bazë, qeveria zgjedh të shpenzojë miliona euro për një event që nuk sjell asnjë përfitim afatgjatë për qytetarët. Ky është një akt që tregon se kjo qeveri ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe çdo sens të prioriteteve kombëtare.
Është një vendim që dëshmon se propaganda ka zënë vendin e qeverisjes dhe se fasada është bërë më e rëndësishme sesa mirëqenia e njerëzve. 4.2 milionë euro nuk janë para të qeverisë. Janë para të taksapaguesve shqiptarë. Janë kontributi i çdo qytetari që paguan taksa, i çdo biznesi që punon ndershmërisht dhe i çdo familjeje që pret nga shteti t'i administrojë me përgjegjësi fondet publike. Këto para duhej të përdoreshin për të shpëtuar jetë, për të përmirësuar shërbimet publike, për të investuar në spitale, shkolla, infrastrukturë, bujqësi, mbrojtje civile dhe për të mbështetur familjet në nevojë. Në vend të kësaj, qeveria zgjedh propagandën, fasadën dhe spektaklin. Ky rast nuk mund dhe nuk duhet të kalojë në heshtje. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si përdoren fondet e tyre. Mbi çfarë baze ligjore është marrë ky vendim? Kush e ka propozuar, kush e ka miratuar dhe kush do të mbajë përgjegjësi për këtë përdorim të fondeve publike?
Ne kërkojmë transparencë të plotë për mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve, publikimin e çdo vendimi, kontrate, procedure dhe dokumenti që lidhet me këtë financim, si dhe mbajtjen e përgjegjësisë politike dhe ligjore për çdo shkelje të mundshme. Paratë publike nuk janë pronë e qeverisë, ato nuk mund të përdoren sipas dëshirës së pushtetit dhe as të shërbejnë për të financuar propagandën politike. Çdo euro e shpenzuar duhet të justifikohet përballë qytetarëve dhe të përdoret vetëm në interesin e tyre. Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri që organizon spektakle me fondet e emergjencave. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që e konsideron emergjencë gjendjen e qytetarëve të saj. Që vendos në qendër të politikave publike familjen shqiptare, pensionistin, fermerin, studentin, sipërmarrësin dhe çdo qytetar që pret nga shteti mbështetje dhe drejtësi. Sepse emergjenca e vërtetë nuk është mungesa e një koncerti.
Emergjenca e vërtetë është Shqipëria që po zbrazet nga emigracioni, pensionistët që jetojnë në kufijtë e mbijetesës, të rinjtë që nuk shohin të ardhme, fermerët që braktisin tokat, pacientët që presin shërbime më të mira dhe familjet që çdo ditë përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të lartë. Kjo është emergjenca që kërkon përgjegjësi, jo propagandë. Dhe kjo është emergjenca që kërkon investime, jo spektakle. Dhe kjo është emergjenca që meriton çdo qindarkë të taksave të shqiptarëve. Faleminderit.