Raketa iraniane godet një tanker që mbante gjashtë marinarë kroatë

Anija e Katarit për transportimin e LNG-së "Al-Rekayat", e cila mbante gjashtë marinarë kroatë, u godit gjatë një sulmi me raketa iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Neven Melvan nga Sindikata e Detarëve tha  se asnjë nga marinarët kroatë apo të tjerë nuk u lëndua.

“Kishte gjashtë detarë kroatë në anijen e dëmtuar të LNG-së së Katarit, Al-Rekajat. Të gjithë janë mirë, askush nuk u lëndua dhe ata u nisën për në shtëpi nëpërmjet Omanit”, tha Neven Melvan, sekretari i përgjithshëm i Sindikatës së Detarëve .

Lajmi se anija, në të cilën ndodheshin edhe marinarë kroatë, u godit, u publikua nga portali Morski.hr. Sipas informacioneve të tyre, zjarri që shpërtheu në dhomën e motorëve pas goditjes me raketë iraniane u shua me sukses.

Një nga marinarët kroatë përshkroi momentet gjatë sulmit.

"Përshëndetje kolegë. Vetëm dua t'ju njoftoj se jemi të gjithë mirë. E kemi shuar zjarrin , ende del pak tym nga oxhaku. Ishte turni im. Për fat të mirë, isha përpara ECR-së, vetëm dy metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi. Mbijetova nga një mrekulli e vërtetë e Zotit, sepse dola në platformën ECR vetëm një minutë para përplasjes", tha detari.

Sipas tij, të gjithë anëtarët e ekuipazhit shpëtuan pa lëndime.Reuters, duke cituar një burim të njohur me çështjen, raportoi se një zjarr shpërtheu në dhomën e motorëve të anijes, gjë që përbënte rrezik shpërthimi. Anija pësoi dëme të konsiderueshme.

Katër burime të njohura me incidentin konfirmuan se anija Al-Raqayat pësoi dëme të mëdha pasi u godit ndërsa lundronte në anën omane të Ngushticës së Hormuzit. Sulmi erdhi pas raportimeve se Garda Revolucionare e Iranit kishte qëlluar me raketa anijet që kalonin nëpër korridorin jetësor të transportit detar gjatë natës.

Ky është sulmi i parë ndaj një anijeje LNG të Katarit që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit. Katari është një ndërmjetës kyç në negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Al-Rekayat është në pronësi të Nakilat (Qatar Gas Transport Company Ltd), e cila operon një nga flotat më të mëdha në botë për transportimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).