Messi e pranon: Isha i zemëruar që humba penalltinë me Egjiptin

Lionel Messi nuk i ka fshehur emocionet pas fitores së jashtëzakonshme të Argjentinës ndaj Egjiptit me rezultatin 3-2 në Kupën e Botës 2026.

Kapiteni i kampionëve të botës pranoi se ishte ndier shumë i shqetësuar, sidomos pas penalltisë së humbur që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

Argjentina e pa veten në disavantazh 0-2 dhe pranë eliminimit, por reagoi në mënyrë spektakolare. Cristian Romero ngushtoi diferencën, Messi barazoi rezultatin, ndërsa Enzo Fernandez realizoi golin e fitores në kohën shtesë, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale.

Pas përfundimit të sfidës në Atlanta, Messi u pa i përlotur, duke përjetuar një përzierje emocionesh mes zhgënjimit për gabimin nga pika e bardhë dhe gëzimit për përmbysjen e madhe.

“Isha vërtet i zemëruar për penalltinë, shumë i shqetësuar që e humba sërish. Nëse do ta kisha shënuar, ndeshja do të kishte ndryshuar. Po luanim mirë dhe krijuam raste, por portieri bëri pritje të jashtëzakonshme. Fatmirësisht, më erdhi mundësia të ndihmoja ekipin”, deklaroi Messi.

Me këtë gabim, ylli argjentinas vendosi edhe një rekord të padëshiruar, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Kupës së Botës që humbet dy penallti në një edicion të vetëm të turneut, pa llogaritur seritë e 11-metërshave.

Megjithatë, paraqitja e tij ishte sërish historike. Në moshën 39-vjeçare, Messi u bë lojtari i parë që nga Diego Maradona në vitin 1986 që në një ndeshje Botërori shënon gol, realizon të paktën pesë driblime dhe krijon pesë raste nga loja e hapur.

Argjentina tashmë përgatitet për çerekfinalen ndaj Zvicrës në Kansas. Messi, me tetë gola në Botërorin 2026, vazhdon të mbetet figura kryesore e skuadrës së Lionel Scalonit në mbrojtje të titullit botëror.