Qeveria e Ramës, e vetmja në botë që 'shpëton' një koncert privat që nuk shet biletat

Qeveria po jep 4 milionë euro, për një event që pritet të gjenerojë direkt jo më shumë se 20 milionë euro, ndërsa mbetet i pamatshëm efekti në imazh, që në fakt mund të jetë dhe negativ, nëse vendi nuk kalon testin e infrastrukturës dhe trafikut, që është i ngjeshur dhe në ditë normale, jo më gjatë ditës së koncertit

MONITOR

Koncerti i shumë reklamuar i artistit të njohur ndërkombëtar Kaney West nuk arriti të tërheqë interesin e pritur në fillim. Teksa Shqipëria për herë të parë tentoi të organizonte një koncert të përmasave ndërkombëtare, me 60 mijë persona, pavarësisht problemeve që mund të kishte me infrastrukturën, duke se ai realisht çaloi në dy pika: Së pari, mungesa e fuqisë blerëse nga tregu vendas, me biletat që u luhatën nga 120-330 euro; Së dyti interesi i ulët nga turistët e huaj, që nuk e njohin Shqipërinë si një treg organizimi eventesh dhe hezituan të vinin. Interesi i ulët i tyre duket dhe në platformën booking, ku ende ka shumë vende të lira akomodime me çmime 40-50 euro në natë, në datat e koncertit, ndryshe nga finalja e UEFA Europa Conference League Final 2022, në stadiumin “Air Albania”, në maj 2022, mes AS Roma dhe Feyenoord, ku tregu i akomodimit reagoi menjëherë dhe çmimet fluturuan fillimisht eri në 600 euro nata, duke reflektuar kërkesën e lartë.  Më herët edhe Wizz Air pohoi për Monitor se nuk kishin vënë re kërkesë përtej normales për fluturime rreth datave të koncertit. Interesi më i madh ka qenë nga vendet e rajonit, sipas operatorëve hotelierë.

Që kur u njoftua eventi, në fund të majit Monitor ngriti pikëpyetje nëse Shqipëria kishte kapacitet të organizonte një koncert të përmasave të tilla, si nga ana e logjistikës, ashtu dhe fuqisë blerëse vendase, e interesit të turistëve. Koncerte me një audiencë mbi 50 mijë persona zakonisht organizohen në qytete të mëdha, me stadiume me 60 mijë vende dhe infrastrukturë të mirë publike, sisteme metrosh, trenash etj. Organizatorët e pranuan që kishte vështirësi dhe ky do të ishte një test i madh.

Kur kanë mbetur pak ditë nga koncerti, gjysma e biletave nuk kanë shitur, siç është e dukshme në platformën e biletave, ndërkohë që organizatorët kanë bërë të ditur më herët për Monitor, që duhet të shiteshin rreth 70% e biletave që koncerti të jetë me leverdi ekonomike.

Në këtë moment vjen ndërhyrja nga qeveria, që akordoi rreth 4.2 milionë euro për organizimin e koncertit me argumentin e promovimit të turizmit.

Kjo shumë është sa 30% e vlerës që koncerti do të gjeneronte nëse do të shiteshin të gjitha biletat ( rreth 14 milionë euro- 60 mijë vend shumëzim me 240 euro që është mesatarja e biletës). Rreth 7 milionë euro është vetë pagesa që merr këngëtari, sipas deklarimeve të organizatorëve.

Ndërkohë koncerti nuk ka arritur të tërheqë sponsor, sipas të dhënave nga agjencitë publicitare për shkak të paketës së shtrenjtë rreth 250 mijë euro, që konsiderohet e lartë për tregun e vogël të reklamave në vend dhe buxhetet e kompanive.

Kryeministri Rama reagoi sot dhe tha se fondet u përdorën “në minutën e fundit” për të shmangur, sipas tij, turpërimin e vendit përballë rreth 25 mijë vizitorëve nga 80 shtete, të cilët kishin blerë më herët biletat për koncertin. Kryeministri e pranoi indirekt, se në rast se nuk do të jepeshin këto fonde, koncerti do të anulohej, duke e bërë qeverinë, me paratë e taksapaguesve, shpëtimtarin e një eventi privat.

Këto janë fonde që u hoqën nga fondi i emergjencave, që buxheti i lë mënjanë në raste të papritura, si zjarre, tërmet, përmbytje etj.

Mosshitja e biletave në fakt nuk është ngjarje e papritur, por thjesht një ngjarje e paplanifikuar mirë, për kapacitetet e Shqipërisë dhe fuqinë blerëse.

Është përsëri sjellja e zakonshme e keqadministrimit të një aktiviteti në dëm të parasë publike.

Rast unik në botë, që shteti shpëton koncertin

Monitor ka bërë një kërkim se nëse ka pasur raste të tilla në botë, kur qeveria ka ndërhyrë për të shpëtuar një festival që nuk ka shitur biletat. Në tregun ndërkombëtar të muzikës, kur një artist nuk arrin të shesë mjaftueshëm bileta, organizatorët zakonisht ulin çmimet, zvogëlojnë kapacitetin, zhvendosin koncertin në një sallë më të vogël ose e anulojnë aktivitetin. Në Shqipëri, po ndodh e kundërta: ndërsa një pjesë e madhe e vendeve për koncertin e Kanye West në Tiranë vijon të mbetet e pashitur vetëm pak ditë përpara aktivitetit, shteti është përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjet dhe promovimin e tij.

Pavarësisht shitjeve më të dobëta se pritshmëritë, qeveria e ka trajtuar koncertin si një projekt me rëndësi strategjike për turizmin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, inspektuan personalisht punimet në stadium, ndërsa njoftimi zyrtar i qeverisë e cilësoi aktivitetin si një investim me ndikim afatgjatë në ekonomi, turizëm dhe pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ende nuk është bërë publike një faturë e plotë e angazhimit shtetëror dhe as ndarja e qartë e kostove ndërmjet organizatorit privat dhe institucioneve publike. Ministri Gonxhja nuk dha më herët një përgjigje të drejtpërdrejtë për “Monitor” nëse qeveria kishte parashikuar bashkëfinancim, por e paraqiti koncertin si pjesë të një strategjie më të gjerë për tërheqjen e eventeve të mëdha ndërkombëtare.

Përfshirja e autoriteteve në infrastrukturë, siguri, menaxhimin e trafikut dhe promovim mund të jetë normale për një event me dhjetëra mijë pjesëmarrës. Çështja që mbetet pa përgjigje është nëse ndërhyrja kufizohet te detyrimet institucionale apo nëse fondet publike po përdoren edhe për të mbuluar kostot tregtare të një aktiviteti privat që nuk ka siguruar të ardhurat e pritshme nga shitja e biletave.

Në botë koncertet anulohen, nuk “shpëtohen” nga qeveria

Një kërkim në rastet ndërkombëtare nuk evidenton një precedent të dokumentuar qartë, ku një qeveri të ketë ndërhyrë pas shitjeve të dobëta për të mbuluar humbjet e koncertit privat të një artisti të vetëm.

Rasti më i afërt është ai i produksionit muzikor të Sting, The Last Ship, në Brisbane të Australisë. Qeveria e Queensland-it kishte dhënë mbështetje financiare paraprake për sigurimin e produksionit, si pjesë e një fondi prej 100 milionë dollarësh australianë për eventet e mëdha. Më pas, shitjet rezultuan të dobëta: vetëm 72% e biletave ishin shitur, ndërsa çmimet u ulën nga deri në 500 dollarë australianë në oferta prej 99 dollarësh. Qeveria e kishte mbështetur projektin para fillimit të shitjeve, me pretendimin se ai do të sillte rreth 11 milionë dollarë australianë në ekonominë lokale.

Megjithatë, The Last Ship nuk ishte një koncert i vetëm i Sting, por një produksion teatror me 29 shfaqje. Financimi publik nuk u miratua pasi biletat mbetën pa u shitur, por ishte pjesë e marrëveshjes fillestare për sjelljen e shfaqjes në Brisbane.

Raste të tjera të financimit publik lidhen kryesisht me festivale ose institucione kulturore shtetërore, jo me koncerte private individuale. Kennedy Center në SHBA, për shembull, vazhdoi të merrte financim federal edhe kur shitjet e biletave ranë në 57% dhe më shumë se 50 mijë vende mbetën bosh. Por Kennedy Center është institucion publik kombëtar dhe nuk përbën një precedent të krahasueshëm me financimin e koncertit privat të një artisti.

Në Australi, qeveria kishte financuar edhe Byron Bay Bluesfest, i cili më pas u anulua për shkak të shitjeve të dobëta. Pas anulimit, institucionet publike kërkuan sqarime për rreth 722 mijë dollarë australianë grante të paguara, në vend që të ndërhynin për të mbuluar më tej humbjet.

Çfarë ndodh zakonisht kur nuk shiten biletat

Industria globale e koncerteve po përballet gjatë vitit 2026 me fenomenin e quajtur “Blue Dot Fever”, ose “ethet e pikave blu”. Termi i referohet numrit të madh të vendeve të lira, që në hartat e platformave të biletave shfaqen si pika blu.

Kur shitjet mbeten të ulëta, zgjidhja më e zakonshme është anulimi ose reduktimi i turneut. The Pussycat Dolls anuluan pothuajse të gjithë pjesën amerikano-veriore të turneut, duke deklaruar se kishin bërë një vlerësim të situatës. Edhe Post Malone, Meghan Trainor dhe artistë të tjerë kanë anuluar ose ndryshuar data, ndërsa mediat dhe ekspertët e industrisë i kanë lidhur disa prej këtyre vendimeve me shitjet e dobëta.

Aktori dhe muzikanti Kiefer Sutherland ishte edhe më i drejtpërdrejtë, duke anuluar pjesën amerikane të turneut dhe duke pranuar publikisht se shkaku ishin “shitjet shumë të ulëta të biletave”.

Në raste të tjera, organizatorët ulin çmimet në ditët e fundit; ofrojnë paketa promocionale; mbyllin sektorë të stadiumit; zhvendosin koncertin në një ambient më të vogël; shpërndajnë një pjesë të biletave falas; anulojnë datat që nuk mbulojnë kostot.

Arsyeja është e thjeshtë: koncertet janë aktivitete tregtare, ku rrezikun e marrin artisti, promotori dhe organizatori. Kur kërkesa është mbivlerësuar, tregu korrigjon përmasën e eventit ose e anulon atë.

Një precedent shqiptar pa transparencë financiare, edhe efekti ekonomk i deklaruar shumë i fryrë

Qeveria shqiptare pretendon se koncerti mund të sjellë një ndikim të madh ekonomik përmes turistëve, hoteleve, restoranteve, transportit dhe promovimit të vendit. Ministri Gonxhja ka deklaruar se aktiviteti mund të gjenerojë deri në 120 milionë euro qarkullim në ekonomi, por nuk është bërë publike metodologjia e plotë që mbështet këtë parashikim.

Sipas përllogaritjeve të Monitor, edhe me supozimin që të gjitha biletat do të shiteshin dhe çdo fans do të shpenzonte 1100 euro, efekti maksimal në ekonomi nuk i kalon 70 milionë euro. Kjo është një shifër e ekzagjeruar, pasi shumë pjesëmarrës mund të jenë vendas dhe çmimet si të hoteleve, të transportit dhe të ushqimeve janë më të lira se në vendet e tjera europiane dhe në SHBA ku zhvillohen koncerte të përmasave të tilla.

Nëse llogarisim një shpenzim mesatar prej 60-70% të mesatares në SHBA prej 1000-1100 dollarë për person, pra rreth 660-770 euro/person, me supozimin që do të shiten të gjitha biletat, efekti direkt në ekonominë shqiptare do të luhatej në 40-50 milionë euro. teksa numri i biletave të shitura është gati gjysma (kryeministri ka deklaruar se janë 25 mijë të huaj) , efekti direkt nuk pritet ti kalojë 20 milionë euro.

Pra qeveria dha 4 milionë euro, për një event që pritet të gjenerojë direkt jo më shumë se 20 milionë euro, ndërsa mbetet i pamatshëm efekti në imazh, që në fakt mund të jetë dhe negativ, nëse vendi nuk kalon testin e infrastrukturës dhe trafikut, që është i ngjeshur dhe në ditë normale, jo më gjatë ditës së koncertit.

Një efekt ekonomik pozitiv nuk përjashtohet, sidomos nëse në Tiranë mbërrijnë dhjetëra mijë vizitorë të huaj dhe për më tepër nëse ky koncert shërben si precedent për zhvillime të tjera të këtyre përmasave. Megjithatë, vlerësimi i përfitimit kërkon që të dihet edhe kostoja: sa paguan organizatori, sa mbulon artisti, cilat shpenzime po marrin përsipër institucionet dhe nëse ekziston një garanci financiare publike për eventin.

Pa këto të dhëna, Shqipëria rrezikon të krijojë një precedent të pazakontë: në vend që koncerti privat të përshtatet me kërkesën reale të tregut, shteti mobilizon burime publike për ta mbajtur atë në përmasat e planifikuara.

Nuk mund të thuhet ende me siguri juridike se Shqipëria është “i vetmi vend në botë” që ka financuar një koncert privat pasi nuk janë shitur biletat, sepse kushtet financiare të marrëveshjes nuk janë publike. Por nga rastet e dokumentuara ndërkombëtarisht, nuk rezulton një shembull i krahasueshëm ku qeveria të jetë përfshirë kaq hapur në shpëtimin dhe promovimin e një koncerti individual, ndërsa kërkesa tregtare vijon të mbetet nën kapacitetin e planifikuar.