Publikimet në ‘ediramafiles.org’ vënë para përgjegjësie SPAK, Kasmi: Të gjithë aferat të çojnë tek kryeministri

Një platformë e re online ka trazuar ujërat e politikës shqiptare, duke nxjerrë në dritë akuza të rënda për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar ndaj drejtuesve më të lartë të qeverisë. Ky zhvillim i fundit nuk po shihet thjesht si një denoncim i radhës, por si një akuzë penale e jashtëzakonshme që po tërheq vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.

Sipas gazetarit Bledi Kasmi që ishte i ftuar në “Kafe Shqeto” në Syri tv në një bisedë më moderatorin Flavio Qarri, kjo dosje synon të ekspozojë mekanizmat e ndërlikuar dhe sekretë të aferave mafioze, të cilat dyshohet se e mbajnë shtetin të gjunjëzuar përpara krimit të organizuar. Publikimi i këtyre dokumenteve e vendos institucionin e posaçëm të drejtësisë përpara një përgjegjësie historike. Deri më tani, heshtja e institucioneve përballë dyshimeve për pastrim parash dhe korrupsion madhor, ka rritur perceptimin në publik se vetë drejtësia ndodhet nën thundrën e pushtetit.

Megjithatë, alarmi nuk mbetet vetëm brenda kufijve të Shqipërisë. Çështja ka kaluar oqeanin, duke u kthyer në një problem serioz për partnerët ndërkombëtarë. Së fundmi raportohet për depozitimin e një amendamenti nga një kongresmen në Kongresin Amerikan, i cili kërkon hetimin e lidhjeve të mundshme të kreut të qeverisë shqiptare me trafikun ndërkombëtar të drogës. Kjo tregon se situata po perceptohet si një kërcënim real për sigurinë e shteteve perëndimore.

Ndërkohë që qytetarët vazhdojnë protestat në sheshe, revolta e tyre duket se nuk lidhet thjesht me zbulimin e këtyre aferave, por me mungesën e thellë të drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë e eksponentëve që përmenden në këto skema. Analistët theksojnë se përfshirja e një konglomerati organizatash dhe faktorësh ndërkombëtarë, të specializuar në çështje politike dhe juridike, tregon se nuk bëhet fjalë për një goditje të thjeshtë politike. Mbetet për t'u parë nëse ky presion i jashtëzakonshëm ndërkombëtar do të sjellë hetime konkrete, apo nëse dosjet e rënda do të mbeten sërish të paprekura.

Bledi Kasmi: Atëherë, në lidhje me faqen e re që ju cituat më lart, unë jam plotësisht dakord me atë që tha dhe Genti, që të gjitha janë thënë. Të gjitha janë të deklaruara më përpara.

Flavio Qarri: Po, por kjo vlen për publikun shqiptar. Kam përshtypjen se ediramafiles.org nuk i drejtohet publikut shqiptar.

Bledi Kasimi: Pikërisht, këtë do të thoja tani. Që tashmë, e para, Rama, ne nuk i dimë të gjitha aferat korruptive të Ramës, sepse ai vepron në një mënyrë shumë sekrete, e konsideron shtetin si pronë të tij, e konsideron veten si sundimtar të vendit, dhe është shumë e vështirë që të zbardhen të gjitha aferat korruptive të Ramës. Sepse janë mekanizma shumë të ndërlikuar të korrupsionit dhe të aferave mafioze. Por kjo dosje, ose kjo faqe që ju thatë, ka dy vlera të veçanta për mendimin tim. E para, vendos përpara përgjegjësisë SPAK-un. Sepse nuk mund të thotë më që nuk ka dokumenta, nuk janë këto dokumenta, nuk ekzistojnë këto afera. Aty janë të gjithë dokumentacionet që do vendosen në lidhje me aferat korruptive të Ramës dhe kjo e vendos përpara përgjegjësisë SPAK-un nëse do të vazhdojë të heshtë, apo do ta marrë Ramën si të pandehur, apo do ta marrë të zbardhë të gjithë këto afera. Sepse, me gjithë këtë mal korrupsioni, me gjithë këtë mal krimi, me gjithë këtë mal pastrimi parash që bëhet sot në Shqipëri, ne nuk kemi dëgjuar asnjëherë të vetme që Rama të thërritet në SPAK.

Megjithëse, Rama del kudo dhe në të gjitha dosjet që janë në lidhje me korrupsionin, krimin, kartelet e drogës dhe pastrimin e parave. Pra, kjo faqe në një farë mënyre e vendos përpara përgjegjësisë publike SPAK-un, dhe nga ana tjetër është një shërbim që i bëhet edhe komunitetit dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë Rama nuk është më thjesht dhe vetëm një çështje shqiptare. Është një çështje, korrupsioni dhe krimi i organizuar, i cili po cënon edhe sigurinë si të vendeve europiane dhe të Shteteve të Bashkuara. Jo më larg se disa ditë më përpara, ne e kemi transmetuar, ju e keni transmetuar, ne të gjithë e dimë, që një kongresmen ka depozituar zyrtarisht në Kongresin Amerikan një amendament për hetimin e lidhjeve të Ramës me trafikun e drogës, dhe se deri ku shkojnë këto lidhje, si dhe për represionin politik në Shqipëri. Prandaj, Rama nuk është më thjesht dhe vetëm një çështje shqiptare. Kjo është një çështje që po kthehet në një problem serioz edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në këtë prizëm, është përgjegjësia e parë duhet kërkuar te SPAK. Nëse hetohet, ose do të hetohet nga Shtetet e Bashkuara, nëse ka një amendament në Kongresin Amerikan, i cili provon ose në mënyrë indirekte provon lidhjet e Ramës me trafikun e drogës, dhe në Shqipëri ti nuk ke absolutisht asnjë hetim ndaj Ramës, atëherë këtu duhet të kërkojmë, duhet të shikojmë një problem që është shumë i madh, te drejtësia shqiptare.

Kjo drejtësi nuk është. Kjo drejtësi është nën thundrën e Ramës. Dhe ky është problemi më i madh që kanë nxjerrë ata njerëz sot në rrugë. Njerëzit kanë dalë në rrugë jo se nuk i dinë aferat korruptive dhe kriminale të Ramës. Njerëzit kanë dalë në rrugë sepse këtu nuk ka drejtësi dhe nuk mban kush përgjegjësi për këto afera. Njerëzit më të rëndësishëm sot të krimit të organizuar bredhin të lirshëm nëpër rrugët e Tiranës. Policia nuk i arreston. Pra, ne kemi një gjunjëzim të të gjithë shtetit përpara një organizate kriminale e cila drejtohet nga një kryeministër.