Me faturë, qeveria 4.2 mln euro kundër protestës

Nga Grigels Muçollari

Deri tani, qeveria është investuar në shumë forma e kanale, shpesh të errëta, kundër sheshit, kundër protestuesve.

Patjetër me shumë kosto. Askush nuk mbron qeverinë e nuk u sulet njerëzve që janë ngritur kundër Edi Ramës, falas. Ata të gjithë marrin shpërblime, dhe të majme.

Por sot, është zbuluar se, me vendim qeverie, me faturë që do ta shlyejnë taksapaguesit shqiptarë, Kryeministri ka vendosur të hedhë 4.2 mln euro kundër lëvizjes që po i lëkund karrigen.

Duke financuar një koncert, një event totalisht privat, ku bileta më e lirë është 150 euro.

Një nga arsyet pse njerëzit janë ngritur është pikërisht kjo, që Edi Rama shpërdoron buxhetin e shtetit sipas trilleve personale: për charter, për ekspozita, për kopsht relaksues në zyrë, për koncerte.

4.2 mln euro i shërbejnë vetëm Edi Ramës, që kërkon ta paraqesë atë grumbullim që do të ndodhë në fundjavë si antimiting. Sikur pjesëmarrësit në koncert janë populli masiv që rreshtohet me qeverinë. Duke harruar se pikërisht aty, në atë stadium, në një moment ose tjetër, do të shpërthejë himni: "Rama, jep dorëheqjen!"