Dosja e lamtumirës ‘ediramafiles.org’, Strazimiri: Dokumentet faktojnë një realitet të denoncuar prej vitesh nga opozita

Një websajt i ri i quajtur "ediramafiles.org" ka trazuar politikën shqiptare, duke publikuar një dosje që kritikët e cilësojnë si "dosja e lamtumirës" së kryeministrit. Të dhënat e publikuara flasin për shpronësime të dyshimta, abuzime të rënda me pushtetin dhe lidhje të supozuara me krimin e organizuar, duke tërhequr vëmendjen e një spektri të gjerë ndërkombëtarësh, si të majtë ashtu edhe të djathtë.

Gjatë një interviste në Kafe Shqeto në Syri tv me moderatorin Flavio Qarri, deputeti demokrat Gent Strazimiri tha se, dokumentet nuk zbulojnë asgjë të panjohur për qytetarët, por faktojnë një realitet të denoncuar prej vitesh nga opozita. Analistët argumentojnë se pushteti është mbajtur përmes sistemeve të patronazhimit, shantazheve dhe mbrojtjes së hapur të individëve me precedentë penalë, të cilët janë promovuar në poste kyçe drejtuese politike edhe pasi janë kapur në flagrancë nga organet e drejtësisë.

Zemërimi qytetar duket se ka arritur kulmin, i nxitur nga afera të fundit, përfshirë atë që në opinionin publik po komentohet si çështja e "flamingove", të cilën Strazimiri e përshkruan si pikën që derdhi gotën. Aktualisht, qytetarë të të gjitha bindjeve politike, përfshirë mbështetës të majtë të zhgënjyer e të indinjuar, kanë mbushur sheshet në atë që raportohet si një proces i pandalshëm revolte kundër qeverisë.

Njerëzit në rrugë po refuzojnë çdo lloj negocimi që do ta mbante kryeministrin në zyrë, qoftë edhe të dobësuar apo të varur nga padronë të tjerë ndërkombëtarë, duke kërkuar një ndryshim rrënjësor dhe largimin e menjëhershëm të këtij sistemi.

Flavio Qarri: Nëse i referohemi fjalive të para të asaj faqeje një nga pjesët e para është mbi të gjitha shpronësimi i çuditshëm që bënte kryeministri. Për këtë kam Genc Strazimirin në linjë për të folur për ndoshta paketimin, dosjen e lamtumirës, çfarë dreqin është kjo që është shfaqur dhe mbi të gjitha pse pas kësaj qëndron një miks midis ndërkombëtarëve që njihen si të majtë, ndërkombëtarëve që njihen si të djathtë. Dua një koment për përshtypjen e parë për dosjen edirama.org.

Gent Strazimiri: Asnjë habi. Çfarëdo lloj dokumenti që të dali, kemi kohë që e themi, çfarëdo lloj gjëje që të dali nuk është më e panjohur. Në një pikëpamje Edi Rama nuk e ka gënjyer kurrë këtë popull, këtë duhet ta themi, ta themi hapur. Ka qenë brutalisht i sinqertë, i drejtpërdrejtë, brutalisht i vetëcaktuar si kalifi në këtë vend, lideri shpirtëror, pronari i tokave, pronari i gjithçkaje. Nuk ka ndodhur dje, nuk është gjë që nuk e dinim. Ka 13-14 vjet që ndodh, ka qenë në vitin 2013 në këtë mënyrë me dajre në dorë në qoftë se e mbani mend e mori pushtetin, në këtë mënyrë e mbajti, duke i shkelur me këmbë, me sistemin e patronazhimit, me miklime dhe me presione. Dhe çdo gjë, çdo gjë, në qoftë se ka pasur një gjë që ka qenë transparente ka qenë lidhjet e tij me krimin duke i kandiduar në Kuvendin e Shqipërisë, duke i mbrojtur mbasi ishin kapur në flagrancë dhe duke i mbrojtur dhe më pas duke i vendosur në pozicione politike, megjithëse të detyruar të jepnin dorëheqjen nga kryetar bashkish apo nga deputetë, i ka vendosur drejtues politikë nëpër qarqe.

Domethënë, dosja Edi Rama është një dosje që askush nuk i gjen dot një faqe që shqiptarët mund të thonë 'nuk e dinim që ishte'. Po ka një të vërtetë, për fat të mirë u shërbyen flamingot - ende s'e kuptoj sepse nuk kemi qenë një popull kaq shumë shpend-dashës - se nuk di si ta shpjegoj ndryshe, ishte me sa duket pika që derdhi gotën. Shqiptarët tashmë janë në shesh dhe unë besoj që ka nisur një proces i pandalshëm. Unë besoj që sado që po përpiqen, duke investuar para të madhe, ata që siç thatë ju dhe ekstremi i majtë e ku di unë se çfarë, ndërkombëtar, tashmë se çështja është ndërkombëtarizuar.

Sado që po përpiqen ta kthejnë në një valle dyshe, në një kryengritje në pallat mes pinjollëve të Sorosit e ku di unë se çfarë, unë nuk besoj se do t'ia arrijnë dot. Tashmë shqiptarët janë në rrugë, janë që të gjithë, të majtë dhe të djathtë, janë bile më agresivë ata të majtë që e kanë votuar vazhdimisht Edi Ramën, kështu më rezulton mua të paktën. Dhe që refuzojnë të dorëzohen përballë tij pavarësisht thirrjeve që herë pas here japin ose që ua vënë në gojë në mikrofon kundër dhe opozitës shqiptare apo lidershipit të saj. Unë mendoj që nuk është një gjë që kthehet më mbrapsht siç ju thashë dhe nuk besoj se është diçka që mund të kanalizohet në një kryengritje në pallat, ku Edi Rama të vazhdojë të qëndrojë në zyrë, të qëndrojë i bindur tashmë, i dobësuar, i frikësuar, dhe me një kërkesë falje ndaj padronit të tij që është Sorosi.