Dha 4 mln euro nga fondi i emergjencës në shkelje të ligjit, Rama tërbohet dhe fyen shqiptarët: Jeni sorra

Ndonëse fillimisht u reklamua si një investim tërësisht privat, Edi Rama alokoi papritur mbi 4 milionë euro nga fondi i emergjencave përmes një Akti Normativ për të mbështetur koncertin e reperit kontrovers, Kanye West në Tiranë.

Sipas ekspertëve, ky vendim bie ndesh me legjislacionin shqiptar.

Por ndërsa janë shitur më pak se gjysma e biletave të koncertit, shqiptarët kanë reaguar me zemërim në median sociale dhe jo vetëm.

Sipas tyre, fondet e emergjencës po shkojnë për një aheng qeveritar që synon të eklipsojë protestën masive.

Jo vetëm kaq, por spitalet dhe shkollat janë në gjendje të mjerueshme, kurse qeveria jep 4 milionë euro të emergjencave për aheng.

I gjendur përballë kësaj furie të opinionit publik, Edi Rama e ka gjetur zgjidhjen duke fyer dhe ofenduar shqiptarët.

“Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.

Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare...

... Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit?

Shumë e thjeshtë:

Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre!

Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht,” shkruan Rama.