'Shteti po hyn si sponsor në një biznes privat'/ Kikia: Ministria e Kulturës s’mund të japë fonde pa procedurë ligjore
Analisti Mentor Kikia , i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka kritikuar vendimin e qeverisë për të financuar koncertin e Kanye West, duke theksuar se nuk është kundër organizimit të koncertit, por kundër përfshirjes së shtetit dhe përdorimit të parave publike për një aktivitet privat.
Sipas Kikisë, fondi i emergjencës nuk mund të përdoret për të mbuluar kostot e një koncerti, pasi ai është i destinuar për situata të jashtëzakonshme. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për procedurën ligjore, duke argumentuar se Ministria e Kulturës nuk mund t’i transferojë fondet drejtpërdrejt një kompanie private pa një proces konkurrues dhe pa respektuar rregullat e prokurimit.
Kikia tha se aktivitetet kulturore financohen përmes thirrjeve publike dhe projekteve të përzgjedhura, ndërsa në këtë rast nuk ka pasur as aplikim dhe as procedurë ligjore. Ai shtoi se krijimi i privilegjeve të tilla për një organizator privat cenon barazinë dhe hap rrugë për abuzim me fondet publike.
Analisti kritikoi edhe lehtësitë fiskale që po i ofrohen organizatorëve të koncertit, duke theksuar se në vende të tjera artistët dhe organizatorët detyrohen të respektojnë rregullat tatimore, ndërsa në Shqipëri po shmangen detyrime që dëmtojnë interesin publik.
Kikia:
Padyshim që unë kam mbajtur një qëndrim publik, që në fakt ka patur një shpërndarje të madhe për këtë çështje. Unë nuk jam kundër koncertit në vetvete. Unë nuk e shijoj apo nuk e preferoj atë lloj muzike, por mund të ketë të tjerë që e preferojnë. Një koncert i njerëzve të këtyre përmasave nuk është se zhvillohet ekskluzivisht për banorët lokalë të një vendi ku zhvillohet, por për çdokush është i lirë që të vejë ta ndjekë. Për shembull, para nja 10 vitesh a diçka më shumë, erdhi Madonna në Budva, në Mal të Zi, edhe pati shumë shqiptarë që janë adhurues të kësaj këngëtareje që morën rrugën nga këtu, shkuan në Budva për ta ndjekur, dhe mund të ndodhë anasjelltas. Pra, është krejtësisht normale që një këngëtar të mbajë një koncert.
Unë kam udhëtuar në Athinë, në Romë për të ndjekur Ermonela Jahon sepse është një artiste që bën pjesë te preferencat e mia. Por çdo gjë këtu është private. Unë kam paguar kostot e mia, kam shkuar për të parë një koncert. Kush është ai që shkoi në Budva, shkoi me lekët e veta, dhe ai që do vijë nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Serbia për të parë Kanye West-in do vijë me shpenzimet e veta dhe Kanye West do fitojë lekët e veta. Këtu është një marrëdhënie biznesi dhe këtu s'ka asnjë lloj problemi. E gjithë historia ndryshon kur vihet tek futja e shtetit shqiptar si aktor për të sponsorizuar një koncert.
Padyshim shteti mund të ndërhyjë në ngjarje të caktuara me pasoja të rëndësishme për vendin, gjë që nuk e shikoj në këtë rast. Aq më shumë kur bëhet fjalë për futjen e duarve në fondin e emergjencës. Tashmë fondi i emergjencës është si puna e asaj shtëpisë ku thuhet 'të lëmë ndonjë lek mënjanë për ditë të këqija', që kur të kem hall, të di ku të vë dorën. Për këtë arsye dhe çdo vend ka fondin e vet të emergjencës, dhe ky fond emergjence nuk mund të preket sepse nuk u shitën biletat e Kanye West.
Dhe kjo është absolutisht shumë e rëndë. Por përtej moralit, unë mendoj që ajo që është e rëndësishme është procedura shtetërore tashmë, dhe ligjore. Lexova dhe një qëndrim të ish-ministrit socialist të drejtësisë, zotit Manjani, i cili prekte një çështje absolutisht shumë të rëndësishme që ishte marrëdhënia kushtetuese me këtë akt normativ. Akti normativ i qeverisë kalon në parlament dhe ai i kalon fondin Ministrisë së Kulturës, e cila ia disburson më pas grupit që organizon aktivitetin, si një aktivitet kulturor. Por ka një problem tjetër: Ministria e Kulturës nuk mund t'i transferojë paratë me trust. Në momentin kur këto para do t'i kalojnë një enti, do t'i kalojnë një subjekti, një NIPT-i, do duhet të kalojnë mbi bazën e një procedure ligjore. Sepse në stadium nuk ka rënë zjarri dhe befas nxorrëm një fond për ta fikur në mënyrë urgjente.
Që Ministria e Kulturës përmes fondit për aktivitetet kulturore të mbështesë projekte të caktuara, duhet që këto t'i bëjë mbi bazën e ligjit për prokurimet. Që do të thotë, Ministria e Kulturës hap thirrjet për projekte kulturore, organizata, subjekte, teatro, kompani private që ushtrojnë aktivitetin në këtë fushë aplikojnë për projekte. Ministria ngre një komision i cili përzgjedh projektet dhe në fund shpall, sipas buxhetit që ka, shpall nja 10-15 fitues të cilët marrin fondet, dhe pastaj dikush bën një film, dikush bën një shfaqje teatrale, dikush bën një ekspozitë, dikush bën një gjë tjetër. Nuk është ky rasti, sepse Ministria nuk ka shpallur asnjë thirrje, kompania që organizon koncertin e Kanye West nuk ka aplikuar...
Arsyeja pse ia kemi dhënë, padyshim që nuk ekziston. Por unë po flas tashmë edhe për procedurën se si do t'i jepen.
Se e thashë dhe një herë, Rama i ka lekët e veta këto, jo të tonat. Thashë edhe një herë, nuk mjafton që të dalin nga buxheti i shtetit, pavarësisht nëse është buxheti rezervë apo jo, por si do t'i jepen? Në ç'mënyrë do t'i jepen? Nuk mund të bëhet thjesht një transaksion nga llogaria bankare e Ministrisë së Kulturës tek llogaria bankare e subjektit që organizon koncertin. Sepse ky po i merr këto para në fund për të organizuar një aktivitet kulturor-turistik. Dhe aktivitetet kulturore turistike organizohen pasi ke aplikuar dhe ke fituar projektin.
Dhe kjo nuk ka patur një histori të tillë.Ata që punojnë me fondet e Ministrisë së Kulturës dhe jo vetëm, e dinë fare mirë se si operohet në këtë drejtim, sepse njëlloj siç iu dha Kanye West-it, mund t'i jepet edhe një artisti tjetër, t'i thuhet 'do bësh një gjë të mirë ti, po më pëlqen mua, po merri këto para'. Pastaj historia e TVSH-së që ju prekët, nuk e di, nuk jam i informuar se janë çështje të fushës së financave këto, por di të them që para pak vitesh shkuan disa këngëtarë shqiptarë si Sinan Hoxha ku di unë, në Zvicër. Dhe shkuan të këndojnë nëpër këto lokalet e natës për shqiptarët atje.
Dhe autoritetet zvicerane i ndaluan, i arrestuan... po e them i arrestuan, po përdor një term më të lehtë, i ndaluan, sepse po organizonin një aktivitet, po fitonin ca para dhe këta nuk kishin paguar taksat për paratë që po fitonin nga ai koncerti që organizonin në një lokal ku sa mund të ishin aty, 200-300 veta.
Dhe për këtë arsye disa prej tyre edhe u dëbuan me pa të drejtë kthimi për të riorganizuar aktivitete të tilla sepse ishin shmangur ligjeve fiskale të vendit. Ndërsa këtu në angazhime, me përmasa gjigante, në raport me koncertin e këngëtarëve shqiptarë në Zvicër, shmangen deri edhe ato që do të duhej t'i fitonte me të drejtë shteti shqiptar dhe besoj që të tilla lehtësira nuk t'i krijojnë askund. As vetë në Amerikë jo e jo, por asnjë kund tjetër sado interes mund të ketë një shtet apo një qeveri.