Zemërimi i Egjiptit ndaj arbitrit: Botërori është i manipuluar, duan të fitojë Argjentina

Egjipti ka shpërthyer në akuza pas humbjes dramatike 3-2 ndaj Argjentinës. “Faraonët”, të cilët dominuan për një pjesë të madhe të ndeshjes ndaj “Albiceleste”-s, por u përmbysën brenda 10 minutave, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për gjykimin e arbitrit francez Letexier.

Duke folur pas përfundimit të takimit, disa lojtarë dhe trajneri i Egjiptit kanë kritikuar vendimet e gjyqtarit, duke ngritur edhe pretendime të forta për mënyrën e menaxhimit të ndeshjes.

I pari që reagoi ishte Ziko, autor i një goli për Egjiptin, ndërsa një tjetër gol i tij u anulua për një faull ndaj Lisandro Martinez në nisjen e aksionit. “Arbitri na ndalonte vazhdimisht në fushë, na heshtte. Botërori është i manipuluar. Madje i bëj komplimente Argjentinës që është sërish kampione. Nuk është e drejtë, është një padrejtësi e madhe”, deklaroi lojtari egjiptian i zhgënjyer.

Edhe trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, ishte shumë kritik për përdorimin e VAR-it në rastin e golit të anuluar.

“Përdorimi i VAR-it në këtë mënyrë krijon zhgënjim te tifozët, sepse sot duket sikur gjithmonë kërkohet një mënyrë apo një arsye për të anuluar golat. Në vend që të flitet për golin e Egjiptit, të gjithë diskutojnë për arbitrat. Vendime të tilla mund të ndryshojnë të gjithë rrjedhën e një Botërori”, tha ai.

Trajneri shtoi më tej: “Ndoshta donin që kampionët e botës të qëndronin në garë? Ndoshta donin që Messi të vazhdonte të ishte pjesë e turneut? Në futboll ndonjëherë ka faktorë të jashtëm që shkojnë përtej aspekteve teknike. I thashë arbitrit se ajo që po ndodhte nuk ishte e drejtë”.

 

Ndërkohë, portieri i Egjiptit, Shobeir, i cili bëri një paraqitje të jashtëzakonshme duke ndalur shumë sulme të Argjentinës dhe u mposht vetëm nga goditje të paarritshme, zgjodhi të fokusohej te zhgënjimi sportiv.

“E kishim fitoren shumë pranë. Janë detajet e vogla që bëjnë diferencën dhe jemi shumë të trishtuar, sepse ndeshjen e kishim në dorë”, u shpreh portieri egjiptian.