AF Elbasani nuk arrin të ruajë avantazhin, barazim ndaj BATE Borisovit në ndeshjen e parë
AF Elbasani e nisi me një barazim aventurën europiane në Ligën e Konferencës. Skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç u ndal në shifrat 1-1 nga BATE Borisov në përballjen e parë të raundit të parë të kompeticionit.
Verdheblutë kaluan të parët në avantazh falë Ardit Nikajt, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Ky gol i dha Elbasanit një epërsi të rëndësishme dhe skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0.
Megjithatë, në pjesën e dytë BATE Borisov reagoi dhe arriti të barazonte rezultatin në minutën e 67-të. Rusakov ishte autori i golit për skuadrën bjelloruse, duke rikthyer ekuilibrin në sfidë.
Elbasani tentoi deri në fund të merrte një rezultat pozitiv në shtëpi, por nuk arriti të shënonte golin e fitores. Tashmë gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit, ku skuadra shqiptare do të kërkojë kualifikimin në transfertë.
Takimi i dytë mes BATE Borisov dhe AF Elbasanit do të zhvillohet më 16 korrik, në orën 19:00.