VIDEO/ Çela: Protesta qytetare do të vazhdojë deri në dorëheqjen e Ramës, organizatorët thonë se kanë një plan
Gazetarja e SYRI TV Fiona Çela, në një lidhje direkte nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ me emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën, ka folur për protestën qytetare, e cila ka hyrë në ditën e saj të 38-të radhazi, duke dhënë detaje mbi ecurinë, organizimin dhe objektivat e saj.
Sipas Çelës, protesta ka ruajtur të njëjtin ritëm që prej ditës së parë dhe, ndonëse nuk ka një skenar të mirëpërcaktuar, ajo do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të protestuesve.
Ajo theksoi se organizatorët janë të vendosur të mos e ndërpresin protestën derisa të plotësohen pesë kërkesat e tyre, ku më kryesorja mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë.
Duke folur për mënyrën e organizimit, ajo nënvizoi se protesta vazhdon të mbetet fleksibël, pa një plan të ngurtë veprimi. Fiona Çela u ndal edhe te rëndësia që organizatorët i japin kësaj lëvizjeje qytetare, duke theksuar se ata nuk synojnë të zhvlerësojnë protestat e mëparshme.
‘Është një protestë e cila në fakt duket se nuk e ka një skenar të mirëpërgatitur, është një protestë e cila që prej ditës së parë, jemi aktualisht në ditën e 38-të edhe për 38 ditë me radhë ka pasur një vazhdimësi thuajse të njëjtë.
Për sa i përket vazhdimësisë, sigurisht që protesta do të vijojë, por mund të ketë skenarë të ndryshëm. Sikurse kanë ndodhur protestat përpara Parlamentit apo përpara institucioneve të tjera, të cilat kanë ndodhur spontanisht, janë menduar në moment të fundit dhe janë kryer nga protestuesit.
Sigurisht që sa i përket pyetjes suaj, vazhdimësia e kësaj proteste do të vijojë që të jetë prezente, pra protesta do të vijojë, nuk e ka një afat të përcaktuar se sa. Megjithatë vetë protestuesit dhe organizatorët janë shprehur se derisa të plotësohen 5 kërkesat e tyre, ku më kryesorja është dorëheqja e qeverisë dhe kryeministrit, protesta patjetër që do të ketë një vazhdimësi.
Se në çfarë mënyre kjo ende nuk dihet, pasi sikurse po e thoja, është një protestë e cila ndodh edhe spontanisht dhe disa vendime merren edhe në moment të fundit. Pra, nuk ka një skenar të mirëpërcaktuar por vazhdimësia do të jetë patjetër.
Nuk ka protesta të këqija apo të mira, janë protesta të cilat mbartin rëndësinë e tyre. Dhe ne kemi qenë koshientë, kemi qenë prezentë në shumë protesta të cilat janë zhvilluar, qoftë nga protestat e opozitës apo edhe protesta që shumë qytetarë janë ngritur për kauza të ndryshme që i kanë shqetësuar: shëndetësia, arsimi, shembjet e banesave, dhe shumë kauza të ndryshme që i kanë shqetësuar dhe kanë zhvilluar protestat e tyre, dhe gjithashtu kanë pasur kërkesat e tyre të ndryshme.
Megjithatë organizatorët e kanë cilësuar këtë protestë si të rëndësishme, të veçantë, më të bukurën të zhvilluar ndonjëherë, për shkak se nuk pati një indicie sikurse e quajnë ata politike. Pra ka qenë një protestë e lirë qytetare, ka qenë një indicie për t'u nisur pra nga zonat e mbrojtura, për të mbrojtur atdheun dhe më pas u zgjerua më tej qëllimi i kësaj proteste, që çoi më tepër edhe në pakënaqësi të tjera që u shprehën ndaj qeverisë.
Dhe që si rezultat kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë. Patjetër që janë koshientë dhe që rezultati është kryesor, dhe prandaj nuk duhet bërë një diferencim i tillë për të minimizuar le të themi rëndësinë e protestave të mëparshme që janë zhvilluar
Përderisa rezultati që synohet është dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë.
Në komunikimet që kam pasur me ta dhe në pyetjet që i kam drejtuar në bisedat që kemi zhvilluar edhe miqësore por edhe si gazetar-protestues, janë shprehur se sovrani do të jetë ai që do të vendosë.
E rëndësishme sipas protestuesve është që kryeministri të japë dorëheqjen dhe më pas hapat e mëtejshëm do të vendosen nga vetë populli, nga vetë këta njerëz të cilët kanë dalë në protestë. Ata janë shprehur se e kanë një plan në fakt, por nuk duan që të shprehen disi përpara kohe. Pra, presin që kryeministri të japë dorëheqjen dhe kjo është kërkesa kryesore e tyre dhe thonë që kjo është më e rëndësishmja pra.
Dhe më pas mbi ç'baza do të vendoset kjo qeveri teknike dhe kush persona do të jenë ata të cilët mund ta përfaqësojnë popullin shqiptar, ata janë shprehur se e kanë një plan por nuk duan ta zbulojnë, të paktën deri në këto momente që flasim.’, tha gazetarja Fiona Çela në lidhjen direkte në SYRI TV.