Argjentina në këmbët e Messit pas përmbysjes ndaj Egjiptit: Është më i miri, është i pafund
Fitorja dramatike e Argjentinës ndaj Egjiptit me rezultatin 3-2 ka shkaktuar një valë emocionesh në vendin kampion të botës. “Albiceleste” siguroi një kualifikim të jashtëzakonshëm në çerekfinalet e Botërorit 2026, ndërsa protagonisti kryesor ishte sërish Lionel Messi.
“Mos e konsideroni kurrë të vdekur Argjentinën, kurrë mos e konsideroni kurrë të vdekur Messin. Ai është më i miri, është i pafund!”, deklaroi komentatori i ESPN Argjentinë, Mariano Closs, menjëherë pas përfundimit të sfidës.
Argjentina u gjend në një situatë shumë të vështirë, duke humbur 0-2, por arriti një rikthim të jashtëzakonshëm falë golave të Cristian Romeros, Lionel Messit dhe Enzo Fernandez. Kapiteni argjentinas ishte përsëri figura qendrore, me një gol dhe një asist, duke udhëhequr skuadrën drejt një tjetër fitoreje të madhe.
Ish-sulmuesi i Argjentinës dhe Juventusit, Carlos Tevez, i cili analizoi ndeshjen së bashku me Closs, e përshkroi suksesin e “Selección” si një fitore të ardhur nga zemra.
“Nuk mund të shpjegohet kjo ndeshje. Fitorja ishte e gjitha me zemër”, u shpreh Tevez.
Edhe trajneri Lionel Scaloni nuk arriti t’i fshihte emocionet pas këtij triumfi. Në përfundim të takimit, kur gazetarët kërkuan një koment të tij në zonën e intervistave, tekniku argjentinas u shfaq i prekur dhe vendosi të mos zgjaste më tej bisedën.
“Jam shumë i emocionuar. Çfarë grupi lojtarësh është ky! Kjo është e vetmja gjë që mund të them”, deklaroi Scaloni.
Entuziazmi për këtë fitore u reflektua menjëherë edhe në mediat kryesore argjentinase. Gazeta sportive “Olé” e përmblodhi suksesin me titullin “Zemër kampioni”, ndërsa “Clarín” e cilësoi si një “përmbysje epike”. “La Nación” e përshkroi përballjen ndaj Egjiptit si një “betejë historike”.
Argjentina vazhdon kështu rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit botëror, ndërsa Messi vazhdon të dëshmojë se mbetet figura simbol e kësaj skuadre.