Atelia e ligjeve me porosi po qep një të tillë për një këngëtar!
Nga Irena Beqiraj
Po! Jo vetëm po i jep 4.2 milionë euro, por po i jep ato nga fondi i emergjencës me akt normativ i cili do të miratohet nga Kuvendi.
Edhe pse ligji nr. 10 352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën” i ndryshuar, ligji Nr. 93/2015 “Për turizmin” kërkon që mbështetja financiare për aktivitete ose projekte të fushave respektive, të bëhet sipas procedurave standarde të shtrira në kohë, në bazë të shprehjes paraprake të interesit të palëve dhe ndjekjes së etapave përkatëse të vlerësimit për arritjen në vendimmarrjen e financimit, qeveria ka vendosur të veprojë ndryshe.
Në rastin konkret meqë organizatorët e koncertit të shpallur që në 29 prill nga Kryeministri nuk kanë denjuar të aplikojnë apo për më keq nuk janë paraqitur më parë pranë MTKS për të përfituar sipas akteve ligjore të sipërpërmendura, qeveria ka bërë sërish atë që di të bëjë më mirë; ka qepur një ligj me porosi pa asnjë vlerësim për përfitimet pa procedurë edhe Ministri i Financave ka prekur Fondin e Emergjencës.
E pra, një aktivitet privat, i cili nuk mund të merrte mbështetje buxhetore sepse organizatorët nuk kanë ndjekur procedurat ligjore shpallet emergjencë.
Ndërkohë relacioni nuk ka asnjë matje të interesit publik, përfitimeve ekonomike, turistike dhe promovuese të aktivitetit.
Në relacion (në foto faqja 3) shkruhet e zeza mbi të bardhë ky arsyetim absurd, por jam e sigurt që deputetët e "Integrimit Europian" do ta harrojnë që kjo qasje është kundër integrimit, edhe do të vazhdojnë të qepin ligje me porosi, duke grisur e shqyer 400 copash ligjet të cilat i kanë miratuar po vetë.