Dita 38-të e protestës/ I riu: Pse 4 milionë euro për Kanye West ndërkohë spitalet vuajnë për pajisje

Protesta qytetare hyri sot në ditën e saj të 38-të, ku nuk munguan akuzat e forta ndaj qeverisë. Një prej protestuesve denoncoi një skandal me fondet publike, se 4 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit do të investohen në Eagle Stadium, ndërsa, thekson se spitalet në vend përballen me mungesë pajisjesh dhe ilaçesh.

"Po kush janë këta që i çojnë 4 milionë euro një këngëtari, kur në Shqipëri po vdesin njerëzit nëpër spitale?", u shpreh protestuesi gjatë fjalës së tij.

Shumica prej jush ndoshta sot e ka parë dhe dëgjuar që kryeministri ynë na paska dhënë 4 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit shqiptar për një këngëtar, të cilit i janë ndaluar koncertet nëpër Evropë për shkak të bindjeve të tij fashiste.

Kanye West, një këngëtar, një nga këngët e të cilit titullohet "Rroftë Hitleri" – më falni që e dëgjoni këtë fjalë – sot na del se do të marrë 4 milionë euro nga fondi rezervë i qeverisë shqiptare për të bërë një koncert, për të ndërtuar një stadium e ku dreqin e di se çfarë. Po kush janë këta që i çojnë 4 milionë euro një këngëtari fashist, kur në Shqipëri po vdesin njerëzit nëpër spitale sepse nuk ka pajisje dhe nuk ka ilaçe?! Si mundet?! Ku jemi këtu?!