Ujësjellësi 4 mln euro në Klos jashtë funksionit, Denisa Vata: Kush mban përgjegjësi?

Deputetja Denisa Vata ka reaguar në lidhje me denoncimin e qytetarëve për gjendjen e ujësjellësit që furnizon me ujë të pijshëm disa zona në Bashkinë Klos.

Sipas denoncimit të publikuar, bëhet fjalë për një investim me vlerë rreth 4 milionë euro, ndërsa vetëm projekti ka kushtuar rreth 90 milionë lekë të vjetra. Pamjet tregojnë një situatë shqetësuese, me ambiente të degraduara, prani minjsh dhe dëmtime të mundshme në tubacionin kryesor të furnizimit.

Qytetarët shprehen se kjo vepër, e cila duhet të garantojë furnizimin me ujë të pijshëm për Planin e Bardhë, Shëngjunin, Klos Katundin dhe fshatin Fshat, aktualisht është jashtë funksionit.

Denoncimi ngre pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit dhe kontrollit të këtij investimi publik: kush e kolaudoi veprën, kush e mori në dorëzim dhe nëse janë respektuar specifikimet teknike të projektit.

Deputetja Denisa Vata ka kërkuar transparencë për përdorimin e fondeve publike, duke vënë në fokus përgjegjësinë institucionale për një investim që nuk po u shërben banorëve për qëllimin për të cilin është realizuar.

Postimi: 

Qytetarët denoncojnë:

Ky është ujësjellësi që furnizon me ujë të pijshëm Planin e Bardhë, Shëngjunin, Klos Katundin dhe fshatin Fshat ne Bashkine Klos.
Rreth 4 milionë euro janë investuar.90 milionë lek te vjetra vetëm projekti.

Pamjet nga vepra e marrjes tregojnë një gjendje alarmante.Galeri e degraduar, prani brejtësish dhe, sipas banorëve, tubacioni kryesor i furnizimit është dëmtuar, duke e nxjerrë veprën jashtë funksionit.

Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje: Kush e kolaudoi këtë investim? Kush e mori në dorëzim? A janë respektuar specifikimet teknike dhe ku kanë përfunduar miliona euro të taksapaguesve?