Berisha: Inxhinierë dhe drejtues të sektorit të naftës u pushkatuan sepse nuk realizoheshin pritshmëritë e Enver Hoxhës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në takimin e organizuar nga Departamenti i Ish-të Përndjekurve Politikë në selinë e PD-së, ku u përkujtua martirizimi i elitës së sektorit të naftës gjatë regjimit komunist.
Në fjalën e tij, Berisha nderoi kujtimin e inxhinierëve dhe specialistëve që, sipas tij, u përndoqën dhe u ekzekutuan për shkak të bindjeve dhe profesionalizmit të tyre.
Berisha akuzoi diktatorin Enver Hoxha se ndërhynte arbitrarisht edhe në vendimmarrjet teknike për kërkimin e naftës, ndërsa theksoi se shumë inxhinierë dhe drejtues të shquar u pushkatuan ose u burgosën pasi nuk përmbusheshin pritshmëritë e vendosura prej tij, duke i cilësuar proceset ndaj tyre si një goditje ndaj elitës intelektuale të vendit.
Berisha: Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt të gjithë ju të pranishëm në këtë sallë, deputetë, miq, familjarë të elitës së martirizuar të naftës në Shqipëri.
I dashur Shkëlqim, e dashur Elizabeta.
Jemi mbledhur sot për të nderuar martirizimin e elitës intelektuale të naftës, e përbërë nga atdhetarë të flaktë, nga inxhinierë të shquar, të përkushtuar, të cilët u eliminuan, u torturuan, u burgosën, u ekzekutuan vetëm e vetëm sepse shfaqën mendimin e tyre shkencor.
Njerëz që i shërbyen Shqipërisë dhe kombit në një fushë strategjike të një rëndësie të madhe. Por që për diktatorin dhe diktaturën ishte po aq ideologjike sa letrat dhe ushtria.
Historia e elitës së naftës është një histori e pashembullt tragjike. Fillon me ekzekutimin e një kolosi të madh të gjeologjisë botërore, Stanislav Zuber, dhe inxhinierëve të tjerë të shquar, bashkëpunëtorë të tij.
Të gjithë të dyshuar si sabotatorë.
Enver Hoxha në llojin e vet disa aspekte ja kalonte dhe Kim Jong Un-it. Se të paktë janë ata që e dinë sot që ai kishte vepër edhe për naftën.
Dhe në veprën e tij mbi naftën, për naftën, ai përcaktonte dhe se ku duhej të shpohej. Se ma thotë kjo mendja ime, thoshte, se ky trekëndësh apo ky katërkëndësh ka naftë.
Dhe natyrisht inxhinierët ishin të detyruar të shponin. Po aty naftë nuk kishte, sepse e thoshte mendja e tij.
Dhe pastaj vinte sabotimi, pastaj vinin proceset, vinte persekutimi dhe terrori ndaj tyre.
Në fakt në tërësi qëndrimi i diktatorit ishte një qëndrim i një njeriu paranojak, për të cilin asgjë s'mund të besohej, gjithçka duhet të dyshohej.
Në këtë kalvar që ai vendosi inteligjencën e naftës, disa inxhinierë dhe drejtues të shquar të këtij sektori u pushkatuan, të tjerë u burgosën, grupe pas grupesh, si armiq të popullit, si sabotatorë, pavarësisht se ata kishin bërë më të mirën për popullin e tyre, për vendin e tyre.
Ata ishin njerëz të zotë, të aftë, por meqenëse pritshmëritë e diktatorit nuk realizoheshin, ata goditeshin.