Vjen goditja e dytë e Milanit në merkato, marrëveshje totale me Lazion për Gila-n

Pas Gonçalo Ramos, Milani ka realizuar goditjen e dytë në merkato dhe ka mbyllur marrëveshjen me Lazion për transferimin e Mario Gila-s në radhët e kuqezinjve. Mbrojtësi spanjoll ishte gjithashtu në listën e dëshirave të Napolit të Massimiliano Allegrit, por Milani arriti të mposhtte konkurrencën, fillimisht duke gjetur akordin me lojtarin dhe më pas me presidentin e Lazios, Claudio Lotito.

Të hënën në mbrëmje, bardhekaltrit kishin refuzuar ofertën e parë të Milanit prej 25 milionë eurosh plus 2 milionë euro bonuse, një shumë që presidenti i Lazios e konsideroi shumë të ulët. Gjysma e përfitimit nga rishitja e lojtarit i takon Real Madridit dhe drejtuesit e klubit kryeqytetas kërkonin të siguronin menjëherë një shumë të rëndësishme për ta riinvestuar në merkato.

Pas disa orësh reflektimi, Milani paraqiti sot një ofertë të dytë ndaj Lazios dhe më në fund palët arritën marrëveshjen. Dy klubet kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një shifër prej 28 milionë eurosh, bonuse të përfshira, shumë pranë 30 milionë eurove që Lotito kishte kërkuar fillimisht.

Në marrëveshje nuk është përfshirë Lorenzo Calvani, mbrojtës anësor i Lazios i vitlindjes 2008, i cili fillimisht ishte menduar si pjesë e operacionit për transferimin e Gila-s.

Kështu, Mario Gila është gati të firmosë një kontratë pesëvjeçare me Milanin, me një pagë prej 4.5 milionë eurosh në sezon. Mbrojtësi spanjoll do t’i bashkohet skuadrës në Milanello javën e ardhshme, kur të hënën, më 13 korrik, do të nisë zyrtarisht faza përgatitore nën drejtimin e trajnerit të ri Ruben Amorim.